Portugezi shënoi vetëm një gol mbrëmjen e djeshme përballë Bazelit në Madrid, në ndeshjen e vlefshme për turin e pestë të grupit B, të Ligës së Kampionëve, ndërsa Lionel Messi shënoi një tripletë të martën ndaj Apoel Nikosisë, në ndeshjen e vlefshme për turin e 5-të të grupit F, duke marrë në dorë fronin e golashënuesit më të mirë të Ligës së Kampionëve, që deri të hënën e mbante ish-lojtari i Real Madridit, Raul Gonzales me 71 gola.
Tashmë argjentinasi udhëheq listën e golashënuesve më të mirë të Ligës së Kampionëve me 73 gola në 91 takime, i ndjekur nga dyshja Kristiano Ronaldo (71 gola në 107 ndeshje) dhe Raul Gonzales (spanjolli është tërhequr nga futbolli aktiv) me nga 71 gola në 142 ndeshje të luajtura. Pra, sfida për mbretin e golave në turneun më të rëndësishëm të europës vijon të mbetet e hapur dhe segmenti Argjentinë-Portugali, apo segmenti Barcelonë-Madrid është mjaft i "nxehtë".
