Rose Wilder Lane: Shqipëria, vendi
më i bukur dhe më i pa lumtur në botë

Rose Wilder Lane: Shqipëria, vendi<br />më i bukur dhe më i pa lumtur në botë
TIRANE - Rose Wilder Lane, është amerikania e parë që vizitoi malet e Shkodrës, kryesisht (Dukagjinin), por edhe Matin, Tiranën dhe Durrësin duke kaluar rreth gjashtë muaj në këtë oaz të një lashtësie te perënduar, në kohën kur shumica e bashkëkohësve të saj përtej Atlantikut nuk e dinin fare se ekziston një vend me emrin Shqipëri.

Zonja Lane sikurse ka deklaruar vetë me sinqeritet, udhëtimin në Shqipëri e bëri pa e njohur fare këtë vend, madje fillimisht edhe pa dëshirën e saj pasi ishte duke udhëtuar nga Mali i Zi në Stamboll, kur një zonjë e Kryqit të Kuq amerikan(një mike e saj Franceska Hardi) e bindi të vijë e të shohë Shqipërinë.

-Ju nuk duhet të humbisni këtë rast që ndodheni kaq afër atij vendi aq të largët në kohë është një rast sa nuk gjendet lehtë e nuk sheh njerëz aq të çmuar si arbëreshët. Çdokush vete në Kostandinopojë e nuk sheh Shqipërinë ke lëshuar rastin jetësor. Atje lart në male, një ditë udhë përtej këtu njerëzit jetojnë siç kanë jetuar para 20 shekujsh para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët.

Pas kësaj ftese surprizuese të mikes së vet, Zonja Rose Lane, e tërhequr prej kureshtjes të takohej dhe të nihej me një popull primitiv, shumë interesant nga pikëpamja sociologjike dhe historike, ndërmori aventurën e saj në malet e Shkodrës . Kur u nis drejt maleve, nuk e kishte parashikuar se do të impresionohej sa të botonte një libër.

Ajo ideonte se do të gjendej përpara një race primitive mbeturinë, më pas se të gjitha racat e Evropës, një popullsi që më kokëfortësi noton në kahun e kundërt të rrjedhës së çdo përparimi, mbeturinë e kohërave barbare mesjetare, madje ndoshta edhe e epokës prehistorike.

Por që në hapat e parë të turit të saj spektakolar, ajo fillon të ndjejë një simpati për kombin “e egër” ( fq 20), madje bën të thotë një mikën e saj”
- Sa gënjeshtarë këto i bën propoganda e huaj. Si mund të thotë njeriu se shqiptarët rrinë kundër qytetërimit?!

Do thonë se kanë kundërqendruar një mësymje me armë mijëra vjetësh, se u kanë vënë krahërorin, perseve, grekëvet, romakëve, mongolëve, serbëve, turqve dhe kanë mbajtur gjuhën dhe zakonet e tyre të hareshme. Autorja me sinqeritet ka shkruar të zezën mbi të bardhë kur nënvizon:
“Do ishte e padobishme edhe sikur të ishte e sinqertë po të pohoja se shoh Shqipërinë me sy të pa anshëm. Por duhet thënë këtë sikur ndjej dashuri për këtë vend të vogël që mbase trazon gjykimin e qartë, kjo dashuri është krijuar duke njohur Shqipërinë. Erdha në të me paragjykime...

Zonja Lane në librin e saj nuk ka dashur të bëjë përpjekje për një studim mbi një popull primitiv siç i ideonte në fillim shqiptarët. Udhëtimi i saj nuk kishte asnjë suport politik, as ideologjik. Ky libër nuk ishte përpjekje për zgjidhjen e nyjës së ngatërruar ballkanike.

Ai është një libër i këndshëm udhëtimesh shkruar me plot ndjenjë e sinqeritet ashtu siç i ka përjetuar aventurat e hareshme në shtigjet e panjohura me një kënaqësi për të papriturën. Libri ‘’Majat e Shalës” është një fotografim autentik i një kohe të cilën Europa dhe Amerika kishin shekuj që e kishin lënë pas. Autorja na jep vetëm ato që ka parë, ndjerë e mësuar nga bujtja në vatrat tona malësore.

Zonja Lane ka shfaqur në mënyrë lakuriqe ndjenjat e shdërvjellta artistike, stilin elegant e lakonik të përshkrimit, të bukurive natyrore të mrekullueshme. Në takimin me banorët e Thethit Zonja Lane i thotë përkthyesit dhe shoqëruesit të vet Perollit:
-”U thuaj se vij nga Kalifornia, pjesa me e bukur e Amerikës, edhe unë kam parë malet amerikane dhe malet zviceriane të njohura në botë dhe kurrë nuk kam parë male më të bukura se këto të vendit të shqiptarëve”. Shtegtaren amerikane e magjepsi bukuria fizike e racës sonë, ndaj vrojtoi me kënaqësi hollësirat e tipit, karakterin inteligjencën. Ajo ka vizatuar në mënyrë të shkëlqyer shumë portrete madje karaktere njerëzore autentike surprizuese të cilat të evolucioni natyror i zhduku, gjë të cilën autorja nuk e dëshironte, por mbetën në kujtesën tonë historike nga penda qëndistare e zonjës Lane.

“Njera ishte plakë plot rrudha me një shprehje të çuditshme dhe të mprehtë, tjetra sapo shkarkoi barrën e druve dhe drejtoi shpinën, tregoi një fytyrë të bukur, Poezia e kokës së saj ishte mbretërore, balli i saj, sytë dhe goja, na therën zemrën me përkryerjën e tyre të bukurisë dhe pikëllimit!

E PARA FEMËR NE PANTALLONA NË MALE!

Rosa Lane shtegtimin e saj e filloi nga Shkodra, drejt Qafës së Beshkasit, aty mahnitet nga peisazhi natyror, zbret nga mushka dhe shkruan në bllokun e shënimeve: “Kurrë nuk kisha parë apo ëndërruar male të tilla” . Prej aty zbret siç i quan ajo në tokat e bajraqeve të fshehura të Pultit, Në qytetin historik të Pogut: Në shtëpinë e Marka Gjonit në Plan aty “dëgjon zërin e një ore, shpirti roje i shtigjeve”.

Hidhet mbi një qafë tjetër, atë të Boshit dhe pastaj ulet poshtë Varoshit të Shalës, ngjitet në Thethin e bukur në shtëpinë e At Marjanit , shkon për vizitë në shtëpinë e Sadri Lukës me kureshjlën:
-(Si mund të jetë njeriu më i pasur në të pesë bajraqet? nënvizimi im PM)

Në shtëpinë Kryetarit të Thethit, Lulashit, zonja Lane befasohet duke thënë:
-Ja, kjo është shtëpia ime”(i kujton shtëpinë e vet në Sanfrancisko nënvizimi im P.M). Në Thethë amerikanja me pantallona (e para femër e tillë në ato male) u takua pa dyshim me burrin më të bukur(Lulashi) që kishte parë në jetën e saj. Pasi la perlën natyrale edenjane të Thethit, nga njëra anë dhe zhelerinën e mjerimin e thellë të njerëzve të thjeshtë nga ana tjetër, përmes një kohe me shi zbret në Shalë.

Diku tek një guvë afër Lumit të Shalës takohet me një koçak këmbëzbathur, leckaman, jashtëzakonisht mustaqemadh, me mjekër si krifka e luanit, të cilit Turgut Pasha i kishte djegur shtëpinë, dhe vrarë gruan e fëmijët. Atëherë ky trim i çartun hodhi pushkën krahut, i dha besën vetes se nuk do ta hiqte pushkën krahut dhe nuk do ta rruante mjekrën përderisa Shqipëria të mos ishte e lirë. Ishte një koçak romantik që i këndoi me lahutë udhëtares amerikane një këngë qindra vargjesh që i kushtohej luftës me Turgut Pashën.

Intenerari i zonjës Lane vijon nga Lotajt në Shosh, këtu fle një natë në kullën e Gjelosh Kolës bajraktarit të Shoshit pastaj niset drejt Prekalit dhe Shkodrës. Kthimi nga Shoshi në Shkodër ka qenë vuajtja e saj më e madhe, gjatë atij udhëtimi të pazakontë, frikësohet se mos e zë pneumonia. Mezi gjen një mushkë, ndërsa udhërrëfyesi i saj refuzon të arrijë natën në Shkodër, por punon dhe intrigon që të shkojë natën në një katund nga shkaku se është në gjak me njerëzit e Kirit.

Por malësori nuk ka se ç ‘bën veç ti bindet një dëshire stoike femërore. Natën vonë, nën dritën e hënës, hypur mbi një mushkë të vogël të bajraktarit të Shoshit le pas malet madhështore, nga më të bukurat male të dheut (fq 210) për ta vazhduar aventurën e saj edhe në Mat, Durrës e Tiranë.

Zonja Lane mahnitet nga kreshtat gjigande, horst-grabenet me morfometri të çuditshme, vëzhgon me sytë zhbirilues shqiptarët, vorfanjak e të kamur duke mbledhur lëndën e nevojshme për të gatuar brumin e begatshëm të veprës së saj, në të cilën ka dekoruar pamjen fizike, morale dhe psikologjike të shqiptarëve të maleve (kryesisht dukagjinasve).Ja si e përshkruan një fëmijë malesh të rreckosur mes shiut.

-Ai i ngjante më shumë një fantazme se një fëmije, llërë e këmbë i çveshur, mbështjellur me një copë lëkure delje me sy egersisht të mbërthyer, të ndritshëm dhe të egër”..

Zonja Lane fillimish e pranon se e ka patur vështirë t’i bëjë malësorët të kuvendojnë lirshëm . Por ajo dinte të rrinte pranë vatrës dhe të kuvendonte bukur me malsorët, duke pirë duhan, kafe, raki, “kënaqet” duke fjetur si ata, duke ecur në këmbë, madje një herë edhe me opinga me lëkurë lope.

Gëzohet kur sheh e dëgjon gjëra të panjohura kurrë më parë, nuk qahet fare për vështirësitë e udhës së gjatë ku moti me shi nuk iu nda, duke marrë çdo send me humor.

Autorja është befasuar nga inteligjenca, oratoria mënyra e mendimit të tyre për gratë, për dashurinë, martesën, lumturinë etj. ... Pa dyshim shprehet autorja ne ishim në mesin e njerëzve më të sjellshëm në botë.

                                                                                                 ***

Zonja Lane admiroi natyrën e egër dhe piktureske të Shqipërisë duke e cilësuar më të bukur, më interesante dhe romantike se Zvicrra .Ajo admiroi shqiptarët, ashtu siç ishin dhe nuk i harroj. Libri “Majat e Shalës”, është një manifest simpatie plot ndjenja të sinqerta dhe fisnike, shkruar në një kohë kur shqiptarët shiheshin si mbeturinat e vetme të barbarisë në Evropë.

Jo vetëm afro pas një shekulli por edhe shumë e shumë dekada të tjera ky libër u bën nderë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Shkrimi u botu sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2.013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I dënuar me 2 vite burg nga GJKKO, arrestohet 55-vjeçari në Elbasan

I dënuar me 2 vite burg nga GJKKO, arrestohet 55-vjeçari në Elbasan