Dueti “Akoma” i Rozana Radit dhe Sany-t, rrëmbeu çmimin e parë në festivalin e 24-ët të “Këngës Magjike”. Votat e Jurisë dhe të vetë Artistëve në garë, sollën një diferencë të ngushtë pikësh me vendin e dytë, por ishin votat e publikut ata që i dhuruan Rozana Radit sërish një fitore në festivalin e “Këngës Magjike”.
“Jam shumë e lumtur që ky çmim u rikthye në dorën time. Dhe i ruaj thesare shumë të bukura të karrierës time artistike. Muzika nuk njeh kufij. Muzika njeh vetëm dashuri ”, tha Rozana Radi.
“Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur për këtë çmim. I falenderoj të gjithë, falenderoj publikun që e ka dëgjuar dhe e ka vlerësuar”, u shpreh Sany.
Kënga “Më Fort” e Eneda Tarifës, u rendit e dyta në këtë festival.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe të rikonfirmosh që këngët e tua janë aty, ti je aty, vazhdon fort punon, për të lënë gjurmë në muzikën shqiptare”, u shpreh Eneda Tarifa.
Ronela Hajati me këngën “Labirint”, u vlerësua me çmimin e tretë.
“Faleminderit të gjithëve ata që më kanë mbështetur. Unë jam shumë e lumtur, sepse kënga është bërë hit”, tha Ronela Hajati.
Ky edicion solli performanca të jashtëzakonshme edhe nga artistët e rinj, ku çmimin e artistit më të mirë e rrëmbeu këngëtarja Lore.
“Nuk e kisha imagjinuar që kjo mund të bëhej realitet”, tha Lore.
Por surpriza dhe vlerësime pati edhe për dy artistë të rinj, Jet i cili u vlerësua me çmim ekskluziv nga Sony Music.
Dhe artistja e re Sareta Bega arriti të fitonte një çmim nga shtëpia e mirënjohur ndërkombëtare diskografike, Warner Music.
“Kisha shumë emocione në fillim, nuk e kisha menduar fare që do ndodhte e tillë”, tha Sareta Bega.
Ëndërr e bërë realitet ishte nata finale edhe për artistët e tjerë.
“Është arritje shumë e madhe për mua, që si fillim jam në natën finale”, tha Xheisara Frisku.
Një moment tepër special në natën finale, ishte performanca e fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët ngritën publikun në këmbë me këngën “Më prano kështu siç jam”.
Një mbrëmje e gjatë me shumë emocione ishte finalja e madhe në “Kënga Magjike 2024”, ku 23 finalistë u ngjitën në skenë duke dhuruar performanca të jashtëzakonshme.