PHENIAN - Tre shtetas amerikan, të burgosur prej kohësh në Korenë e Veriut, kanë dhënë një intervistë ekskluzive për një ekip gazetarësh të CNN mbi gjendjen e tyre aktuale.
 
Kenneth Bae, Matthew Todd Miller dhe Jeffrey Edward Fowle janë takuar me një gazetar të CNN, Will Ripley, në një hotel të Phenianit. Secilit prej të burgosurve amerikan i’u lejua nga inteligjenca e Koresë së Veriut vetëm 5 minuta për tu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Ripley.
 
Kenneth Bae, i cili po vuan një dënim me 15 vite burg për “akte armiqësore dhe orvatje për të rrëzuar qeverinë”, deklaroi se po punon 8 orë në ditë, 6 ditë në javë, në një kamp pune. “Vazhdoni të luteni për mua”, ishte dhe apeli i Bae ndaj familjarëve dhe miqve të tij në SHBA. Dhe pse dënimin e tij e quan si “punë të detyrueshme”, Bae deklaroi se po trajtohej nga autoritetet me humanizëm.
 
Matthew Todd Miller, gjatë intervistës së tij i bëri apel qeverisë së Shteteve të Bashkuara: “Situata ime është tepër urgjente sepse shumë shpejt do të më dërgojnë në gjyq, dhe me shumë siguri do të dërgohem direkt në burg”. Miller gjithashtu bëri të ditur se nuk do të mësojë përse akuzohet deri ditën që do të dali përballë trupit gjykues.
 
Ndërsa Jeffrey Edward Fowle, amerikani tjetër i burgosur në Korenë e Veriut, bëri një deklaratë tepër shokuese. I ndaluar nga autoritetet e Phenianit, gjatë kohës që kishte vizituar vendin si turist, sipas CNN, për thyerjen e ndonjë ligji ende të pa specifikuar, Fowle deklaroi: “Nuk kam asnjë ankesë mbi trajtimin që po më bëhet, ka qenë vërtet shumë mirë deri më tani, dhe shpresoj e lutem që qëndrimi im këtu të vazhdojë, ndërkohë që ndodhem në vend për dy ditë apo për dy dekada më shumë”.
 
Të tre të burgosurit nga SHBA, deklaruan gjithashtu se kanë firmosur një dokument ku pranojnë fajësinë e tyre mbi shkelje (në rastin e Miller dhe Fowle) që ende nuk i dinë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)