TIRANE- Drita Pelinku, një emër që mbarti me vete një karrierë më shumë se 60-vjeçare në aktrim, regjisurë dhe pedagogji arriti të ndalojë përmes roleve që i dha frymë e shpirt. Në moshën 85-vjeçare ajo i rikthehet skenës në dramën “Shtrigat e Salemit”, një vendim jo i zakonshëm ky sidomos mbas humbjes së të bijës dhe mbesës. Duartrokitjet e fundit iu dhuruan nga publiku në interpretimin e Zerinës në shfaqjen “Përjetësisht dashuria”, premierë e TK-së, 2013.

Në një nga rrëfimet e saj të fundit në 85-vjetorin e saj të lindjes, artistja Pelinku rrëfeu se jetën nuk e ëndërronte si aktore, por nuk ka menduar kurrë të heq dorë nga teatri. Ishte viti 1926 kur në qytetin e Vlorës lindi ajo që më pas do të bëhej një yll i skenës shqiptare me mbi 130 role në skenë. Jetën studentore në “Institutin Nëna Mbretëreshë”, Drita Pelinku e kujtonte me nostalgji me gjithë bukuritë dhe prapësitë e adoleshencës. “Kujtoj me nostalgji profesorët e mrekullueshëm e mbi të gjitha shoqet e klasës me të cilat ruajmë marrëdhënie edhe sot, por kemi mbetur shumë pak. Rreshtat tanë gjithnjë po rrallohen, por ne mblidhemi”, është shprehur Pelinku.

Kur në dhjetor të vitit 1945 u shpall në gazetë konkursi për hapjen e shkollës së parë dramatike, ëndrra që as vet ajo se dinte se qëndronte e strukur brenda, shpërtheu. Pa pyetur as babanë, as nënën, as motrat më të mëdha rrëmbeu për dore motrën më të vogël dhe vrapoi në dyert e konkursit duke qenë kështu e vetmja femër që konkurroi dhe fitoi krahë të talentuarve të tjerë si: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, etj.

“Isha e re, për paragjykimet e kohës që të mbysnin nuk pyesja fare”, shprehej Pelinku, ndërsa shton se në atë kohë marrëdhëniet me familjen u tronditën. “Presionet për të hequr dorë nuk më lëkundën, por në heshtjen e natës qaja. Jo pse kisha bërë zgjedhjen time, por pse i kisha gënjyer. Më vriste ndërgjegjja se kisha gënjyer idhujt e mi që i doja aq shumë”, thoshte Pelinku.


Shkrimi u publikua sot (03.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)­