TIRANE- Gjylbege Hasa, ka 28 vjet që bredh qendër më qendër të shëndetit mendor me vajzën e saj që tashmë është 28 vjeçe. Por nëse deri 18 vjeç ajo kishte se ku ta trajtonte, tashmë që është në moshë madhore, i duhet të paguajë 3 mijë lekë në ditë seancën, ndaj tashmë e ka mbyllur të bijën në shtëpi.

Jeta për të ka qenë shumë e vështirë. Jo vetëm se jetojnë në skaj të varfërisë, por edhe sepse nuk gjen dot një vend ku të trajtojë vajzën e saj për problemet mendore që ajo ka. Merr një kemp në vlerën e 9 mijë lekëve të reja në muaj, ndërkohë që vetëm një seancë kushton 3 mijë lekë të reja. Në një intervistë për "Shqiptarja.com" ajo rrëfen se për këtë kategori duhet të miratohet statusi, që të përfitojnë së paku një biletë urbani falas.

Sa vjeç është vajza juaj dhe nga se vuan?

Vajza ime aktualisht është 28 vjeçe. Që kur lindi, lindi me një deformimin të shpatullës së djathtë e cila më pas i preku një nerv qendror dhe e la me zhvillim të vonuar.

E keni trajtuar ju vajzën tuaj?

PO vazhdimisht. Deri në moshën 18 vjeç e kam pasur te qendra e pëllumbave, por pas kësaj moshe kam bredhur sa andej këndej për të gjetur një vend ku ta kuroj.

Po përse? Nuk ka qendra të specializuara për këtë?
Qendra shtetërore nuk ka. Deri para ca kohësh e çoja tek një qendër private që ishte këtu në Tiranë, por tani ajo është zhvendosur në fshatin Shesh të Tiranës, diku matanë Kombinatit dhe plus që i ka tarifat e larta.

Sa kushton një seancë?
Po e kanë 3 mijë lekë të reja ditën dhe vajza ime ka nevojë së paku tre herë në javë për terapi, e mira ishte ta çoja çdo ditë, por edhe me tre herë në javë do të isha e kënaqur.
Ju e dërgoni aktualisht vajzën në këtë qendër?

Jooo! Ku t'i gjej unë kaq shumë lekë, plus që për të vajtur deri atje duhet të paguash edhe furgonin çdo ditë. Ne po përpiqemi të mbijetojmë dhe jo të jetojmë.

Po tani ku po e dërgoni?
U bënë nja dy vjet që e mbaj në shtëpi. Nuk kam ku ta çoj. Shteti nuk ka qendra të tilla, në privat po nuk ia dal dot, ndaj e kam mbyllur në shtëpi.

A merr ndonjë pension shtesë për sëmundjen që ka vajza juaj?

Po merr 9 mijë lekë të reja, që nuk i dalin as për të blerë gjëra për nevojat e saj personale. Imagjino për gjë tjetër. Kjo pasi në bazë të ligjit, vajza ime nuk konsiderohet plotësisht invalide, pasi ajo është në gjendje të ecë. Por ajo nuk mund të bëjë asgjë vetë. Duhet ta shoqërosh kudo. Ndërkohë që unë kam edhe një djalë tjetër dhe veten time, pasi bashkëshorti ka vite që më ka vdekur.

Po a nuk ka status të veçantë për kategorinë ku bën pjesë edhe vajza juaj?

Statusi është një gjë që ne e kemi kërkuar vazhdimisht. Është premtuar, por asnjëherë nuk është bërë gjë. Dhe kjo do të ishte një gjë e mirë për këtë kategori, pasi ne jetojmë në kushte shumë të këqija. Të paktën do të mund të merrnin nga një biletë urbani falas. Shteti duhet të vërë dorë mbi këta, pasi kjo kategori nuk mund të lihet rrugëve. Kur unë të vdes kush do të kujdeset për vajzën time?
(ne foto: Gjylbege Hasa me vajzën e saj që vuan nga probleme të shëndetit mendor)
(sg/shqiptarja.com)