Sipas jush a ka probleme matura shtetërore?
Unë them po, ka pasur probleme. Dhe për mua janë tre momente kryesore. Së pari është hartimi i testeve. Cilësia e testeve lë shumë për të dëshiruar. Duke filluar që nga gabimet ortografike, në momentin që ka gabime gjuhësore ai quhet një test i gabuar. Ta zëmë nëse nxënësit i jepet “lule e kuqe” për “lulëkuqe”, në këtë rast krijohet konfuzion. E dyta është administrimi i testeve. Nëse nxënësve u lihet më shumë kohë për testin se sa është parashikuar, atëherë ai ose do të kopjojë nga nxën¬ësit e tjerë ose do ta ndihmojë mësuesi, dhe sidomos te testet e arritjeve, që janë Matematika dhe Gjuha. E treta është vlerësimi testeve. Në fillimet e kësaj qendre ne patëm parashikuar një vlerësim të pavarur, d.m.th. çdo test të korrigjohej nga dy vlerësues të ndryshëm, të cilët nuk ishin në dijeni të vlerësimit që kishte bërë kolegu i tyre. Por kjo ishte thuajse e pamundur, vlerësuesi i dytë e kalonte testin pa e parë fare dhe jepte të njëjtin vlerësim si i pari. Pra praktikisht kjo nuk funksionoi sepse të dy vlerësuesit shikonin vlerësimet e njëri-tjetrit, pra nuk është një vlerësim i pavarur.

A duhet të kenë kritere të ndryshme testet e detyrueshme nga ata me zgjedhje?
Duhet të jemi të qartë se ka një ndryshim midis testeve të pranimit në shkollat e larta dhe testeve të maturës. Testet e pranimit në shkollat e larta ndryshojnë nga kriteret e hartimit të testeve të arritjeve. Në testet e arritjeve të nxënësve mund të vësh pyetje të natyrës: kur ka lindur Skënderbeu, sepse në fund të fundit ky është një test që mat nivelin e njohurive që kanë përfituar ata në shkollën e mesme, por një pyetje të tillë nuk mund ta bësh në testet e pranimit të shkollave të larta, pasi ai vlerëson se çfarë prirjesh kanë nxënësit për atë degë.

A e ka realizuar sistemin meritë-preferencë matura shtetërore?
Këtë nuk mund ta them pa pasur para një studim për këtë. Në 2006-ën, pas maturës së parë, ne bëmë një raport që u mbajt sekret dhe doli me shumë probleme.
 
Çfarë problemesh zbuloi ky raport?
Kishte shumë vlerësime subjektive.

Ç’do të thotë vlerësime subjektive, kishin kopjuar?
Po dolën që kishin kopjuar, sepse nuk kishte përputhje të rezultateve të viteve shkollore me atë të marra në provimet e maturës. Nuk ka mundësi që një nxënës shumë i dobët të dilte shumë mirë në provime.

Ky problem ishte më i dukshëm nëpër rrethe?
Nëpër rrethe dhe në Tiranë. Nuk kishte një shpërndarje normale të të gjitha vlerave të nxënësve. Kurba e Gaussit në të vërtetë neve na doli me devijime që tregon që ose testi ka qenë me gabime, ose mund të ketë pasur probleme me administrimin e testeve.

Matura shtetërore u tha se do të zhdukte korrupsionin në arsim, a e ka realizuar këtë?
Nuk zhduket korrupsioni në arsim. Matura në fillim u projektua, pasi konkurset e universiteteve kishin degraduar keq fare, dhe rasti tipik ishte konkursi i drejtësisë më 2005. Kjo qendër ishte një qendër e specializuar që kishte si detyrë funksionale testimet, ndërsa universitete nuk kanë si detyrë funksionale testimet. Duke qenë një qendër e centralizuar probaliteti për të dalë një tezë është më i ulët dhe minimizohet korrupsioni, dhe nëse dilte dihej se kush e ka nxjerrë tezën.
Por, nëse gjatë konk¬urseve në universitet, mundësi për të kopjuar kishin shumë pak veta, tani në shkollat tona mësuesit u tregojnë në masë nxënësve...
Pikërisht ky është problemi i administrimit. Ne propozuam që provimi i maturës të zhvillohej në rang qarku, të përqendroheshin në 12 salla të mëdha, të 12 qarqeve dhe provimi do të ishte më i kontrolluar se sa siç bëhet tani në çdo shkollë. Kush i kontrollon provimet që bëhen në një fshat të largët?

Universitetet ankohen se s’janë përfshirë në procesin e përzgjedhjes së studentëve që ulen në auditoret e tyre, a kanë të drejtë?
Ky është një gabim shumë i madh. Që në fillim është menduar që qendra do të merret edhe me provimet e pranimeve në shkollat e larta, por duhej të bashkëpunonte me universitetet. Është e drejta ekskluzive e universiteteve për të përcaktuar kriteret selektive se si i duan studentët që do të pranojnë në fakultetet. Pra duhet të jemi shumë të qartë që nuk është Ministria, por universiteti që përcakton kriteret dhe në të njëjtën kohë ata duhet të jenë pjesëmarrës të hartimit të testeve. Pronësia e testeve për pranimet, pra vetëm për këtë pjesë është e universiteteve, por këtë pronësi ata ia delegojnë qendrës së provimeve si një institucion i specializuar për hartimin e menaxhimin e testimeve.

Ka pasur degë ku fituesit e dalë nga Matura shtetërore nuk dinin asgjë dhe fakulteti është detyruar t’u bëjë kurse fillestarësh..
Po sepse u kalua nga një ekstrem në një tjetër ekstrem. Nga ai ekstremi ku i bënte universiteti të tëra dhe nuk i linte gjë ministrisë, tani është kaluar në ekstremin tjetër, ku universitetit i janë hequr të gjithë të drejtat. Ata duhet të jenë palë me ministrinë dhe të marrin pjesë në procesin e hartimit të testeve për pranimin në shkollat e larta. Me teknikat e hartimit të testeve merret qendra e specializuar, por kriteret i vendos universiteti.

A shkojnë nxënësit më të mirë në degët më të mira?
Jo, përderisa ka mangësira te cilësia e hartimit të testeve, tek administrimi e tek vlerësimi i testeve, kuptohet që nxënësi më i mirë nuk ka shkuar aty ku ai dëshiron.

Pse ka mangësi në vlerësimin e testeve?
Përderisa nuk është realizuar ajo pika, një vlerësim i dyfishtë dhe i pavarur, ka mangësi. Kjo gjë mund të bëhet shumë mirë dhe në mënyrë transparente.

Mos duhet të shikojmë mundësinë e rikthimit të konkurseve të pranimit në universitete?
Jo, jo! Matura ka nevojë të përmirësohet, universitetet të bëhen palë me qendrën. Por jo rikthim të konkurseve. Testi nuk është ai që mat gjithçka që nxënësi di, apo nuk di. Në këtë pikë duhet të futen në lojë kriteret e vendosura nga vetë universitetet. Ta zemë, pasi merr rezultatin e testit universiteti shikon edhe prirjet e nxënësve. Ka marrë pjesë në olimpiadën e matematikës, atij i shtohen pike tek ekonomiku; ose ka marrë pjesë në grupet e letërsisë, atëherë i shtohen pikë te fakulteti i Filologjisë.

(ek/im/shqiptarja.com)