“Qeni është kafsha më besnike e njeriut, por ky e mban të lidhur”! Kështu thoshte filozofi gjerman, Artur Schopenhauer, shumë kohë më parë, por duket se nga shqiptarët nuk është lexuar ende. Por përtej mungesës së të lexuarit dhe dijes, shumë shqiptarëve duket se iu mungon dhe zemra, ndjenja e të qenit njeri, dashuria, që shpeshherë reflektohet më e pastër dhe më e bukur te vetë kafshët.
 
Një video e tmerrshme e shfaqur ditët e fundit në media dhe rrjetet sociale, ka tronditur mbarë opinionin publik. Një djalë nga Kuçova shfaqet duke dhunuar në mënyrë barbare një qen. Ai e godet kafshën pa pushim dhe me gjithë forcë, duke e gjakosur të gjithën. Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, djali që duket të jetë i vogël në moshë, e kap pamëshirshëm kafshën nga veshët dhe e kthen në anën e gjakosur, duke treguar me mburrje veprën e tij të shëmtuar dhe të rëndë.
 
Ngjarja u bë shpejt virale, duke prekur mjaft zemra, për të cilën pati dhe një reagim të ashpër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, madje-madje ky i fundit fitoi dhe mbështetjen e LSI, të parën pas sulmeve të pafundme që kjo forcë politike ka hedhur ndaj tij.  

“Nje rrace e re dhunuesish po rritet. Sot me nje qen, neser me nje shok a familjar, e keshtu pa mbarim. Thuajse 1 vit me pare propozova nje p/ligj per mbrojtjen e kafsheve nga dhuna, por PARLAMENTI NUK DEGJON. Me mbetet ta risjell perseri ne vemendje, me shpresen se te gjithe ata qe nga kjo e sotmja jane neveritur e frikesohen nga e ardhmja, te gjejne kohe te behen bashke e te detyrojne parlamentin te marre ne shqyrtim e te miratoje nje ligj per te ndalur perfundimisht masakren ndaj kafsheve”, shkruante Tahiri në Fb.