Tre vajzat të cilat dhunuan një tjetër vajzë të mitur, akt që e filmuan me telefon nga fillimi në fund, kanë dalë para togave në zeza në Gjykatën e Fierit për verifikimin e masave të sigurisë të lëshuara nga organi i akuzës.
Prokuroria e Fierit ka lëshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 20-vjeçaren që dhunoi të miturën në Fier si dhe masën ‘arrest shtëpie’ për njërën nga 15-vjeçaret. Ndaj të miturës tjetër, 15-vjeç, është vendosur masa “Shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik”, pranë një Institucioni të Posaçëm për të Mitur, pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve.
Nëna e një prej 15-vjeçareve, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “Shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik”, pohon se shqetësimi i tyre ka qenë i hershëm, që kur vajza ishte nxënëse në një shkollë 9-vjeçare publike disa muaj më parë.
Ajo pohon se kishin nevojë për ndihmë nga shkolla dhe psikologia, por janë përzënë dhe prindërit iu drejtuan Zyrës Arsimore në Fier. Si zgjidhje, ata vendosën ta dërgonin në një shkollë private, ku vajza nuk shkoi asnjë ditë, pasi ndihej e bullizuar.
Nëna e saj pohon gjithashtu se ndihet e shqetësuar, pasi nuk është në dijeni as të diagnozës dhe as të trajtimit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 qershor në banesën e 20-vjeçares, ndërsa u bë publike vetëm disa ditë më parë pasi në rrjete sociale u publikuan pamjet e dhunës. Njëra prej vajzave ka regjistruar të gjithë skenën ndërsa 2 të tjerat e kanë dhunuar në mënyrë brutale. 17-vjeçarja, pas traumës së rëndë, i ka rrëfyer të gjithë ngjarjen nënës së saj, e më pas ka bërë denoncimin në polici. Të rejat në dëshminë fillestare të dhënë në polici, e pranuan se e kanë dhunuar 17-vjeçaren, por janë justifikuar me disa arsye, që policia nuk i bën të ditura, por i vlerëson si motive të dobëta.
lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente






