Një episod dhune në një familje në Majtarë të Dibrës ka shkuar deri në kërcënimin me armë. Një 34-vjeçar ka dhunuar kunatën e tij dhe në përpjekje për ta trembur, nipi 19-vjeçar shtiu në ajër me armë.
34-vjeçari u vu në pranga, kurse i riu është shpallur në kërkim. 3 të tjerë, përfshirë kunatën janë vënë nën hetim. 40-vjeçarja dhe një anëtare tjetër e familjes, 25 vjeçe, kanë dhunuar njëra-tjetrën, kurse një tjetër ka tentuar të fshehë provat.
Gjithashtu nuk është gjendur as arma e përdorur nga 19-vjeçari.
Njoftimi:
Dhunoi kunatën e tij dhe, gjatë konfliktit, djali i saj qëlloi në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit.
Ndalohet 34-vjeçari që dhunoi kunatën, shpallet në kërkim 19-vjeçari që qëlloi me armë zjarri në ajër, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë.
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në një familje në fshatin Majtarë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përfshirjen në konflikt.
Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve policore, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit dhe u vu në pranga shtetasi D. E., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, shtetasen F. E., 40 vjeçe.
Ndërkohë, u shpall në kërkim djali i 40-vjeçares, shtetasi F. E., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e shtetasit D. E., xhaxhait të tij. Vijon puna për kapjen e tij dhe kontrollet për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur gjatë konfliktit.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetaset F. E., 40 vjeçe, dhe A. E., 25 vjeçe, pasi kanë dhunuar njëra-tjetrën, si dhe për shtetasin E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.











Komente
Komento