Rrëfehet Nexhmije Hoxha: Gjyqi, dënimi, një vit me Lenka Çukon në Bënçë dhe presioni i disa liderëve kokënxehtë të PD-së

Rrëfehet Nexhmije Hoxha: Gjyqi, dënimi, një vit me Lenka Çukon në Bënçë dhe presioni i disa liderëve kokënxehtë të PD-së

Kujtimet e Nexhmije Hoxhës
Në Burgun 313 të Tiranës qëndrova në gjendje paraburgimi dhe në kushte izolimi afro dy vjet, ngaqë më mbajtën edhe disa kohë pas gjyqit dhe dënimit që m’u dha. Në këtë burg m’u dorëzua aktakuza (për shpenzime të fondeve të shtetit dhe për shpërdorim detyre). Por, duke e ngrënë turpin me bukë, këtë aktakuzë prokurorët e ndërruan dy herë, sepse e shihnin edhe vetë që nuk qëndronte më këmbë.

Madje, kokat e nxehta kishin menduar të më kalonin në gjyq ushtarak! Por e panë që ishte një marrëzi të më çonin në një gjyq të tillë, me atë akuzë absurde dhe e anuluan. Për të shkruar mbrojtjen time, më dhanë vetëm një copë kalem dhe dy-tri fije letre. U këshillova me avokatin tim, zotin Dhimitër Beshiri (me të, si unë, edhe fëmijët e mi, merreshim vesh shumë mirë dhe u miqësuam me të në vitet e mëpasme), dhe nisa të shkruaj.

***

Gjyqi i shkallës së parë ndaj meje u bë pas 13 muajsh e më shumë. E caktuan ta fillonin në ditën e Krishtlindjes, në prag të Vitit të Ri, me qëllim që procesi të mos ndiqej nga gazetarë dhe sidomos nga ekipe televizive të huaja. Nuk e pranova atë datë dhe kundërshtova. Më në fund, gjyqi u shty dhe u hap disa ditë më vonë, më 8 janar 1993, ora 9.00, dhe vazhdoi, me ndërprerjet procedurale, deri më 27 janar. Ai u zhvillua në një sallë të gjykatës së Tiranës, me ftesa dhe me shumë gazetarë. Kishin vendosur ta transmetonin në televizion, duke menduar që, nga kjo, unë do të shqetësohesha se mos diskreditohesha dhe turpërohesha, se do të ulja kokën dhe do të paraqitesha një grua e dobët, qaramane.

Para se të niseshim për në gjykatë, pavarësisht kundërshtimeve të mia, më vunë prangat. E pata të rëndë, megjithatë, kur hyra në sallën e gjyqit, isha e qetë. I hodha një sy sallës dhe, sa pashë, në radhën e parë, djalin tim Ilirin, i buzëqesha dhe e përshëndeta, duke ngritur lart duart e prangosura. U ula dhe po rrija e gatshme dhe e përqendruar për të dëgjuar pyetjet dhe çfarë do të thuhej.

Zhvillimi i gjyqit u transmetua në televizion, u pasqyrua gjerësisht në shtypin e vendit dhe, siç më thanë, edhe në “Zërin e Amerikës”, sekush në zgjedhjen e vet.

Mua m’u dha fjala në seancën e nesërme, për të dhënë shpjegimet e mia. U ngrita e qetë dhe, gjakftohtë, për gati një orë, në përgjigje të fjalës së gjatë të prokurorit, solla fakte dhe argumente dhe hodha poshtë një për një të gjitha akuzat që më bëheshin.

Ndër të tjera theksova: “…Akuzat që më bëhen unë nuk i pranoj, sepse shifrat nuk janë të sakta dhe, siç do ta provoj gjatë seancave të gjyqit, nga ana ime nuk është bërë asnjë shkelje ligjore. Ky proces penal, siç shihet qartë nga përmbajtja e aktakuzës, ndonëse merret me probleme ekonomike, në të vërtetë, ka karakter politik. Është fakt që arrestimi im dhe gjykimi, që po më bëhet në këtë proces, tregojnë synimet e forcave politike në pushtet për të më diskredituar para popullit, jo mua si person në vetvete, por si bashkëshorte e Enver Hoxhës, personalitetit kryesor që udhëhoqi këtë vend për gjysmë shekulli…

Arrestimi im u bë për motive politike. Përveç urrejtjes për emrin që mbaja dhe etheve revanshiste, disa liderë kokënxehtë të Partisë Demokratike, megjithëse jo akoma në pushtet, kishin për qëllim për t’i thënë e për t’i bërë presion dikujt a disave që ligjin e bëjnë ata, arrestojnë kë duan, rrëzojnë qeveri dhe caktojnë zgjedhje kur duan ata. Të tjerët, sado poste të larta e të ligjshme të kenë, janë vetëm për të miratuar vendime dhe për të firmosur dekrete.

Në vazhdim hodha poshtë si të sajuara dhe të pabazuara në ligj akuzën e përvetësimit të pasurisë shtetërore, gjoja me dreka, darka, pritje, vizita, me kafetë “3 lekëshe”, ilaçet apo dhuratat për mjekët e huaj, si dhe akuzën tjetër për shpërdorim detyre. Në mbyllje të fjalës sime të mbrojtjes, deklarova: “Jam krejt e qetë për çfarë do të vendoset. Jam plotësisht e ndërgjegjshme se nuk kam kryer asnjërën nga veprat penale për të cilat akuzohem dhe, për rrjedhojë, jam e pafajshme para ligjit”.

Më pas vazhduan seancat e këtij gjyqi, ku u dëgjuan disa dhjetëra dëshmitarë (u fol për rreth 40 dëshmitarë të thirrur), që nga personazhet më të larta të Partisë e të Shtetit, si Ramiz Alia dhe shokë të tjerë kryesorë, punonjës të Aparatit të KQ të Partisë dhe bashkëpunëtorë të mi, që nga infermieret dhe punonjëse shërbimi në familjen time dhe deri në ambientet tona familjare në plazhin e Durrësit(!!).

Pasi dha pretencën prokurori i çështjes, avokati im bëri konkluzionet e tij, me objektivizëm dhe drejtësi, për mbrojtjen time juridike penale, duke hedhur poshtë akuzat si të pambështetura në prova, duke theksuar se në këto akuza mungon elementi thelbësor i veprës penale.

Me të drejtën që njeh ligji, unë kërkova dhe mbajta fjalën e fundit, drejtuar gjykatës, ku deklarova:

“Zoti prokuror në pretencën e tij parashtroi të njëjtat akuza dhe konkluzione si në aktakuzë, sikur këtu, para kësaj gjykate, pothuajse gjatë njëzet ditëve, nuk iu bë një analizë e vërtetë akuzave, me shpjegime, përgjigje dhe ndërhyrje nga ana jonë. Të gjithë dëshmitarët, me përjashtim të njërit, që m’u kundërvu për arsye personale, të thirrur nga prokurori dhe asnjë nga mbrojtja, provuan plotësisht deklarimet e mia…

Është e qartë si drita e diellit se qëllimi i vërtetë i këtij procesi gjyqësor është diskreditimi politik i familjes së Enver Hoxhës para opinionit publik…

Për të gjithë sot është e qartë se kush është përgjegjës për këtë varfëri të paparë të masave të gjera të popullit dhe se kush e shkatërroi Shqipërinë deri në këtë pikë, që nuk ka qenë as në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ata që i projektuan këto shkatërrime me thirrjet “të arrijmë nivelin zero” dhe që sot kanë hequr maskat, sepse shumë nga ata janë trashëgimtarët e pronarëve të mëdhenj të atyre kohërave ose të kolaboracionistëve të nazifashistëve, me mentalitetin feudal, më kot kërkojnë arin e tyre nga familja Hoxha…

Për aspektin ligjor të shpenzimeve foli avokati im, Dhimitër Beshiri, me të cilin jam plotësisht dakord. Shpresoj që trupi gjykues do t’i marrë në konsideratë. Nuk pranoj kategorikisht fjalën poshtëruese që përdori prokurori, duke i quajtur këto shpenzime “vjedhje ose përvetësim me dashje”.

Unë dhashë shpjegime pse janë bërë këto shpenzime, që janë reale, por nga ato, asnjë lek nuk ka hyrë në xhepin tim, nuk janë shpenzuar për interesa personale të miat apo të familjes sime. Ndërkohë, aty ka edhe shumë shifra që nuk janë të sakta, janë të manipuluara dhe për të cilat nuk kam asnjë përgjegjësi ligjore.

Është shumë e vështirë të flasësh për veten tënde, por e drejta e mbrojtjes sime para dënimit absurd që propozon prokurori, 14 vjet, që, në moshën time 73-vjeçare, do të thotë dënim me vdekje, sepse është shumë e vështirë të rezistosh në burg deri në moshën 88-vjeçare, më detyron të nënvizoj që unë nuk jetoj dhe nuk jam mësuar të jetoj në luks, sepse, sa për informimin tuaj, unë jam lindur në Manastir (Maqedoni) dhe serbët më kanë djegur shtëpi e katandi dhe pas shumë peripecive, po si ata që vuajnë akoma sot, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, më 1927 kam ardhur me gjithë familjen në Tiranë, për të fituar bukën e gojës dhe për të ndjekur shkollën në gjuhën shqipe. Në moshën 20-vjeçare isha e vetmja delegate e grave të Shqipërisë në Konferencën historike të Pezës (16 shtator 1942) bashkë me figura të opinioneve të ndryshme, si Abaz Kupi, Ndoc Çoba, Myslim Peza etj., për të krijuar Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, për lirinë e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë. Meqë merrja pjesë në të gjitha demonstratat e rinisë, atëherë më kanë dënuar me mbi 14 vjet burg, por kolaboracionistët dhe nazifashistët nuk mundën të më kapnin, sepse hyra në ilegalitet, këtu, në Tiranë, në mes të terrorit më të egër dhe, më vonë, dola partizane. Atëherë ata nuk mundën të më vënë prangat, por fati e solli që sot, pas 50 vjetësh, trashëgimtarët e kolaboracionistëve, që po hipin shkallët e pushtetit me revanshizëm, që hakmerren, më futën në burg, më vunë prangat dhe tani, nëpërmjet shtypit dhe mjeteve të informacionit të brendshëm dhe padronëve të tyre të jashtëm, dhe nëpërmjet rrugëve të tjera të errëta, kanë vendosur që vitet e jetës, që më kanë mbetur, t’i kaloj në burg…”

Më 27 janar 1993, gjykata e shkallës së parë më dha dënimin me 9 vjet. Kur çështja kaloi në Gjykatën e Apelit, unë nuk u paraqita, në vendin tim shkoi avokati. Kjo gjykatë më dënoi me 11 vjet burg, nga një gjykatëse grua, që ishte bërë edhe mike e familjes sonë.

Edhe pas dhënies së vendimit të gjyqit, mua më mbajtën edhe një vit, në Burgun 313, po në izolim, në kushtet që isha. Insistova shumë të më dërgonin në Burgun e Grave, ku mendoja se do të isha e lirë të dal në ajër të pastër, po kush dëgjonte?!…

Aty, në Burgun 313, të Tiranës, ndenja gjithsej në izolim për 2 vjet e 10 ditë, nga 4 dhjetori 1991 deri në 15 dhjetor 1993. Në fillim isha në qelinë nr. 47, pastaj në atë me nr.39. Më pas do “të eksploroja” edhe Burgun e Bënçës…

Ne burgun e Bënçës

Në Burgun 313, të Tiranës, u njoha me Gjekë Çelajn, ish-shef i policisë në Shkodër, dhe me Dilaver Paparen, të dy të arrestuar për ngjarjet e 2 Prillit, në Shkodër, ku shpërtheu dhuna e egër e demokratëve dhe e forcave të errëta në shërbim të tyre, me vrasje dhe me djegie, deri edhe të ndërtesës së Komitetit të Partisë të rrethit.

…Gjeka, tani është në Kanada dhe ka shkruar mbi të vërtetën e vrasjeve të 2 Prillit, në Shkodër, në një libër që është shpërndarë gjerësisht në Shqipëri.

Edhe Dilaveri, si ai, vuajti padrejtësisht dënimin me burg, deri në hapjen e burgjeve pas revoltave të vitit 1997.

Dy të dënuarit e tjerë për ngjarjet e 2 Prillit, Hajredin Shytin dhe Çapajev Taçin, i njoha në burgun e sigurisë së lartë të Bënçës, në Tepelenë, ku më transferuan pasi më hoqën nga Burgu 313.

Largimi im nga Tirana për në Bënçë pati peripecitë e veta. Papritur, një ditë erdhën dhe më thanë: “Bëhu gati, se do të lëvizim…”. Nuk e fsheha gëzimin që më pushtoi. Mendova se po më çonin në Burgun e Grave, këtu në Tiranë, siç kisha kërkuar, ndaj i lashë fjalë gardianes Tone të lajmëronte familjen time. Kur po ikja, trokita në dritaren e derës së dhomës së Ramiz Alisë, për ta përshëndetur.

Më hipën në një furgon policie, pa më thënë se ku po shkojmë. Unë tërë shqetësim shikoja rrugën ku kalonte furgoni. Por, kur pashë Kombinatin e Tekstileve ”Stalin”, kuptova që po dilnim jashtë Tiranës dhe po shkonim në drejtim të jugut të vendit. E habitur, pyeta: “Ku po më çoni?”. Asnjë përgjigje… E shqetësuar shumë, kur po kalonim pranë varrezave të Sharrës, së brendshmi, nisa të flas me Enverin: “Shih, Enver, se ku po e çojnë Nexhmijen tënde, nga burgu, në burg…”.

Përsëri pyeta: “Ku po më çoni kështu?”. Por vetëm heshtje, askush në furgon nuk fliste…

Kalimthi, syri më zuri në rrugë tabelën ku shkruhej “TEPELENË”. Makina eci edhe pak minuta dhe u ndal. Kur më zbritën, pashë që ndodheshim para një burgu. Ishte burgu i Bënçës, për të cilin nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Aty qëndrova më shumë se një vit. Sesi e kalova atje, unë rrëfej në disa shënime të mia të shkruara në burg, një pjesë të të cilave i kam përfshirë në këtë libër.

Në Bënçë, ndryshe nga burgu i Tiranës, u ndjeva më mirë, duke shijuar ajrin e lirë, natyrën, ditët me diell dhe shëtitjet në oborrin e zbukuruar nga lulet.

…Nëse e “përballova” me durim burgun e Bënçës, të Tepelenës, larg vizitave të mundimshme e të rralla të familjarëve, këtë ia dedikoj edhe kujdesit shoqëror të shokëve bashkëvuajtës. Që në fillim, ata lëshuan për mua dhomën e tyre, që ishte në hyrje të katit të parë dhe e vetmja me hapësirë normale dhe me dritare të zakonshme. Ndërsa vetë ata kaluan në atë qelinë time “të çuditshme”. Them “e çuditshme”, sepse ajo nuk ishte një dhomë normale, por e sajuar në një hapësirë të ngushtë, nën shkallët që të çonin në katin e dytë. Aty nuk kisha qetësi as natën, as ditën, nga këmbët e policëve që ngjiteshin e zbrisnin. Kur ngriheshe nga krevati, duhej të kishe kujdes e të kërruseshe fare, se përndryshe përplasje kokën te “tavani”, që ishte pjerrësia e shkallëve.

Dhe flisnin për kushte të mira në burgje! Në këtë qeli desh e pësoi edhe vetë ministri i Drejtësisë, i asaj kohe. Një mbrëmje, kisha përveshur mëngët dhe po laja ndërresat e mia. Afër derës, ku lartësia e “tavanit” ishte pothuaj normale, unë kisha vënë një govatë plastike dhe afër saj një kovë uji, që po e ngrohja me një rezistencë elektrike, të cilën unë e kisha shumë frikë, se, po të gaboje në përdorimin e saj, mbeteshe në vend nga korrenti. Atë kohë, dëgjoj zhurmën e rëndë të çelësave dhe të bravës dhe hapet dera. Para meje shoh një person, ca i shkurtër, që, nga veshja (ishte me borsalinë e pallto) dukej se ishte zyrtar i lartë. Drejtori i burgut ma prezantoi: “Zotëria është ministri i Drejtësisë, Kudret Çela”. Ministri kishte mbetur i shtangur aty jashtë derës, tek më shihte duke larë rroba, ngaqë, edhe po të donte të hynte brenda, nuk kishte vend ku të rrinte.

Pas pak, zgjati ca kokën, i hodhi një sy gjithë qelisë dhe, më në fund, e hapi gojën dhe tha: “Zonjë, si je?”. “Siç e sheh”, u përgjigja. Kur më pyeti nëse kisha ndonjë kërkesë, i thashë, kryesisht, të më jepnin një qeli të jetueshme.

Pas kësaj vizite, drejtori i burgut u vu në lëvizje, por ishin Hajredin Shyti dhe Çapajev Taçi, që e zgjidhën problemin. Ata më lëshuan dhomën e tyre. Në këtë dhomë unë ndenja më shumë se një vit, bashkë me Lenka Çukon, të cilën, pas dënimit të anëtarëve të Byrosë Politike, e sollën në Bënçë, bashkë me disa prej tyre.

Nuk mund të mos them këtu disa fjalë edhe për Lenkën, e cila gjithë kohën e burgosjes së saj e kaloi me mua. Edhe për mua, kjo qe gjë e mirë, sepse kisha, të paktën, një shoqe. Asnjëherë nuk e dëgjova atë të ankohej për burgosjen e saj, sepse ajo nuk kishte patur të bënte me akuzat që u bëheshin Byrosë Politike dhe shokëve të Ramiz Alisë. Ajo u mor në KQ personalisht nga Enver Hoxha, nga fronti i saj i punës në Lushnjë, ku kishte treguar aftësi të veçanta në ngritjen dhe fuqizimin e kooperativës bujqësore në nivelin e “tipit të lartë”, që ishte gati si ndërmarrje bujqësore shtetërore. Lenka ishte shumë punëtore, e shkathët dhe e thjeshtë, por njëkohësisht, një shoqe me karakter të hapur dhe me personalitet. Kështu e njohëm kur erdhi në funksionin e anëtares së Byrosë Politike dhe Sekretare e KQ të PPSH.

Në dhomën time të burgut, Lenka u akomodua mirë, me një krevat të dytë, që na e sollën. Tërë kohën e kalonim bashkë. Ajo ishte disa vjet më e re se unë dhe tregohej e gatshme të bënte punët më të lodhshme në dhomën e përbashkët. Sigurisht, edhe unë bëja pjesën që më përkiste. Kështu, tregonim gjithmonë respekt reciprok për njëra-tjetrën. Lenka e gjeti shpejt fjalën dhe bashkëpunimin e mirë me dy shokët tanë, Hajredinin dhe Çapajevin. Të katërt ne krijuam një shoqëri të pandarë, orët e shëtitjes dhe të ajrimit në oborrin tonë i kalonim bashkë. Hajredini gjeti te Lenka një bashkëpunëtore të mirë dhe kompetente për parcelën e luleve, që ai i mbillte dhe i rriste me pasion. Disa herë ai më pati shprehur përshtypjet e tij të mira për Lenkën, për seriozitetin dhe qetësinë me të cilën e kishte marrë dhe po kalonte burgosjen e saj. Vërtet, ky ishte një qëndrim i lavdërueshëm.

Por edhe më i lavdërueshëm ishte qëndrimi i të shoqit, Nasit, pasi nuk është e lehtë të të mungojë gruaja në shtëpi për disa ditë, pale ta kesh në burg për disa vite. Lenka kishte lënë në shtëpi të shoqin me vajzën e katërt, më të voglën, dhe të pamartuar ende. Ai i vinte shpesh për takim, bashkë me vajzat. Lenkës i vinin për vizitë edhe bashkëfshatarë të saj, të cilët nuk rrinin pa i sjellë edhe prodhime bujqësore të stinës. Madje, një herë i sollën edhe një kosh me pjepra. Lenka i ndau ato me shokët, duke mos harruar edhe ndonjë polic.

Por një ditë, u ndamë prej dy shokëve tanë të mirë. Sa kishim ngrënë drekë, erdhën papritur e pa kujtuar dhe na thanë mua dhe Lenkës: “Shpejt, shpejt… bëni gati plaçkat!”. Brenda një çerek ore, u bëmë gati, na nxorën jashtë me valixhet tona në duar dhe… drejt e në furgon. Me sa dukej, na larguan, se duhej të lirohej dhoma, sepse po sillnin aty Fatos Nanon. Kryetari i parë i Partisë Socialiste ishte arrestuar me urdhër të Sali Berishës dhe u dënua nga gjykatësit 6-mujorë “të Plepave”.

Po me furgonin e policisë, që solli Fatos Nanon, mua dhe Lenkën na nisën “fishek” e në Tiranë, në Burgun e Grave. Këtë transferim ne e kishim kërkuar aq shumë. Pra, u larguam nga Bënça, ku kisha kaluar një vit e gjysmë, papritmas dhe në rrethana qesharake. Nuk u pamë as me dy shokët tanë bashkëvuajtës, sepse na hipën me nxitim në furgon, sa nuk u thamë dot as lamtumirë, as “mirupafshim të lirë”. Edhe më pas nuk u takuam më me dy shokët tanë të mirë. Ata edhe në ditët e sotme do të ishin në burg, në qoftë se në vitin e mbrapshtë 1997 nuk do të ishin shpërthyer burgjet…(DITA)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Safet Qose: 16/01/2020 08:39

    Kur behet nje akuze ne publike dhe i akuzuari nuk e pranon se mendon qe eshte intrige eshte gjykata qe do ta vendos si qendron e verteta Ne jemi mesuar me llomotitejet berishjane qe shpifjet i perdor per qellime denigruse dhe na eshte bere normalitet kjo metode sjelleje .Rama ka shume te drejte qe ka ndemarre kete veprim dhe kete ta vendos drejtesia ne Kosove .

    Përgjigju
  • Gjarperijnte me helm..: 15/01/2020 23:13

    Keshtu eshte kure Gjarperijnte me Helm, kure nuk kane ne cfare te ushqehen ,shqyhen njeri tjetrin .. Kjo le te Jetoje me gjate ,e te kujtoje ato vuatje qe te lehta.. Fale pjedhjes te tyre Komuniste qe ishin pasardhes,qe e ndimuan me kaqe.. Kjo ska as Turp,se perndryshe nuk do vritej i gjithe ai Popull. Falendero dhe Popullin qe sju terhoqi edhe Juve zvare ... Me mijra Nena,Baballare dhe Femije i kani vrare ,,Plake e keqe..

    Përgjigju
  • Eri: 15/01/2020 10:01

    SA e pafytyr,paska Pas te drejte LILIANA nusja e djalit te saje,qe ja nxori bojen televizor me televizor Brenda dhe jashte vendor,Harroje Nexhmije Hoxha,komunizmi vdiq nje here e pergjithmone,pa me kur ishe e pskenaqur per njetiun e urte dhe te mire HYSNI MILLOSHI,qe gaboi duke mbrojtur Enverinqe partia e tije e degdisi nga Tirana ne Delvine dhe Sinje te Beratit komandant toge,dhe we nuk we asnjeher ne radhet e partis tuaji te mbushur me injorante dhe te pashkolls qe ti sundonit dhe te benit si te donit,duke Len intelegjencen jashte .Si nuk I vjen turp kesaj plakes qe merret me te vdekurit ,merry moj me te gjallet,SE ne kohen qe Hysni Milloshi luftonte per te mbrojtur figuren e Enverit,njerzit dhe komunistet e Tu nuk guxonin te I zinin emrin nga frika,Hysni Milloshi nuk shtypte nje mize,ndersa ju shtypet nje popull.Mbaro ditet qe te Jan mbetur Nexhmije,hiqe ate shpresen qe do Cheri komunizmi petseri larg qofte,kurre e kurres,por Gjithesesi Enver Hoxha Ka bere per shqiperin,qe komandanti I luftes dhe e fitoi ate dhemb per dhemb me forcat kalabroniste dhe doli fitimtare,por e poshtruat juve qe kishte rreth tije me Ty ne krye.Mos u mundo te hedhesh balte mbi te vdekurit Ramus Alia qe largpames dhe e dorezoj sistemin pa gjak,ishte njeriu me I besuar I familjes tuaji

    Përgjigju
    • Rrema: 15/01/2020 20:49

      Zoti eri besoj se edhe ju vini nga nje familje e larte komuniste. Keni pasur edhe ju privilegje ne kohen e Nexhmies.

  • Sam: 15/01/2020 05:29

    Nexhmia ka qene pjese e rendesishme e diktatures se genocidit shqiptar qe beri krime;por trupa gjykuese post komuniste e gjykonte per “ceshtjen “e pritjeve dhe kafeve ,turp monstruoz ;dhe sot populli paguan demshperblimet e te perndjekurve,kur dihet se nuk eshte ai fajtor (c’hipokrizi)?Ajo qe theshte populli ha edhe bar,familja e mbetur e saj duhet te hane m__ per edhe 100 vjet!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare