Rrëfimi, Giovanni Ruggiero: Ju
tregoj Edi Ramën e vitit 1992

Rrëfimi, Giovanni Ruggiero: Ju <br />tregoj Edi Ramën e vitit 1992
TIRANE - Giovanni Ruggiero është një gazetar i “Avvenire”, një e përditshme italiane me frymëzim katolik dhe ka qenë ndër të parët reporterë të huaj që ka vizituar Shqipërinë në fillimet e demokracisë së saj. Përveç gazetarisë, fotografon që kur ishte i ri dhe shpesh i përdor ato për të shoqëruar reportazhet e tij. Më 23 mars do të çelë një ekspozitë të kuruar nga Rubens Shima, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, e që është “dëshiruar nga Ministria e Kulturës”, vizitorët e të cilës do të kthehen 20 vjet mbrapsht në kohë, në periudhën e zgjedhjeve të para demokratike shqiptare. Ekspozita titullohet "Pas një dimri të gjatë" dhe pas 23-24 marsit në Tiranë do të prekë edhe qytete të tjera shqiptare.
Në një intervistë për “Shqiptarja.com” tregon si mbërriti për herë të parë në vendin tonë dhe si lindi pasioni i tij për “Vendin e Shqiponjave”. Në fund kërkon falje se “ndoshta u zgjata shumë. Më ndodh saherë që flas për gjëra që i kam pasion. Dhe besoj se e ke kuptuar: unë e dashuroj vendin tënd”, më thotë.

Kur keni ardhur në Shqipëri për herë të parë?
Ishte fillimi i nëntorit 1991. Shkak ishin ato familjet e grave italiane që ishin martuar me shqiptarë gjatë fashizmit e që prej 45 vitesh nuk kishin mundur të kontaktonin më Italinë. Kur avioni fluturonte mbi Adriatik, u ngjesha me hundën pas xhamit të dritares për të dalluar të parën copë toke të Shqipërisë. Isha kurioz për shumë gjëra. Im atë më fliste. E kishin burgosur në frontin grek dhe deportuar në Gjermani. Di që shqiptarët shpëtuan shumë ushtarë italianë nga deportimi, por im atë nuk pati këtë fat. Përfundoi në Dachau. Kur isha i vogël koleksionoja pulla. Informohesha për vende të ndryshme, por në librat tanë nuk kishte asgjë rreth “Vendit të Shqiponjave”. Shumë domethënës ishte qasja me shqiptarët në Bari, ata që zbarkuan nga anija “Vlora” në gusht 1991. Italianët u frikësuan: “Erdhën barbarët!”, dhe Italia nuk bëri një figurë të mirë. Nuk ditën të tregonin as mëshirë dhe as solidaritet. “Avvenire” e dënoi këtë. Unë isha në Bari për të treguar “pushtimin”. U tregova shumë i ashpër në reportazhet e mia. Ata të rinj të raskapitur, të uritur për bukë dhe liri, u gënjyen nga Italia që e mendonin mike. U ridërguan në shtëpi me 50 mijë lira, për t’i mbajtur urtë, dhe me një palë pantallona të shkurtra e një bluzë. Mbaj mend që shkruajta: “Ëndrra e këtyre djemve fillon në mbathje dhe mbaron me një bluze me lule”. Por unë në stadiumin e Barit, ku i kishin ngjeshur, pyesja veten: “Nga çfarë ferri largohen këta njerëz për të bërë një udhëtim kaq të dëshpëruar?”. Më në fund, në nëntor pata mundësinë të vija në Shqipëri dhe të kuptoj motivet gjithë këtij dëshpërimi.

Për sa kohë qëndrove këtu?
Qëndrova një javë, por menjëherë vendosëm që do të riktheheshim sepse ndjehej afrimi i zgjedhjeve të parakohshme që më pas u zhvilluan në mars 1992. Shqipëria ishte për t’u zbuluar. Perëndimi nuk dinte asgjë për këtë vend që qëndron përballë Italisë, pak milje më tutje. Zgjedhjet dukeshin të rëndësishme sepse do të vendosnin të ardhmen e Shqipërisë që shfaqej në dritaret e Europës. “Avvenire” vendosi kështu që t’i kushtonte më shumë vëmëndje.

Si e përjetove Shqipërinë?
Përballja ishte e fortë. Në dhjetor mora një dhomë në Hotel “Tirana”. Uji në lavaman mungonte dhe për të hequr mjekrën kisha zgjatur tubin e dushit duke e lidhur te rubineti... Ishte komike, sepse shpesh harroja. Hapja rubinetin dhe nuk dilte asgjë... Në mbrëmje shkoja për të ngrënë në restorantin e Hotel “Dajtit”. I kisha shpjeguar gazetës time se Shqipëria nuk përbëhej nga njerëz të këqinj, të shëmtuar apo të pistë, por se në këtë vend kishte artistë, intelektualë, shkrimtarë, piktorë, poetë, njerëz të fesë që për gati 50 vjet nuk kishin mundur të shpreheshin lirisht. Fillova kështu të mblidhja historitë e tyre. Histori vuajtjesh: françeskani Zef Pllumi, dy vëllezërit priftërinj Zef dhe Gjergj Simoni, poeti Frederik Reshpja (mbaj mend që ishte një takim emocionues); por mblodha edhe histori shprese: e reja Mimoza Ahmeti, një piktor i ri dhe shumë premtues që – mbaj mend – ishte zënë me grushta një ditë më parë me një kundërshtar, Edi Rama. Pjesa më e madhe ishte histori e një dhimbjeje të pabesueshme për gjithçka që shiptarët kishin hequr. Një mbrëmje te “Dajti” takova disa gazetarë italianë. I thonim njëri-tjetrin: “Si do ja bëjmë për të treguar gjithë këtë, dhe që të na besojnë në Itali!” Ato histori ishin të pabesueshme.

Cilat janë qytet e Shqipërisë që ke arritur të shikosh?
Në gjithë këto vite mund të them se kam lëvizur gjithë Shqipërinë gjerë e gjatë e në të gjitha stinët. Mbeten në sytë e mi malet përreth Elbasanit, reflektimi i dritës në liqenin e Shkodrës dhe uji i kristaltë i Sarandës. Nuk kam parë malet në veri-lindje të Shkodrës, ku mbaron Shqipëria dhe fillon Mali i Zi. Në periudhën e kryengritjes së 1997 doja të shkoja. Ja thashë edhe guidës sime, Dashit (jemi miq dhe fëmijët e tij i kam parë të rriten). “Më vjen keq – më tha – por atje nuk të çoj. Jo vetëm kaq, por do bëj të mundur që nesër në mëngjes të mos gjesh askënd të gatshëm të të dërgojë. Sepse për ty është e rrezikshme, dhe ti je miku im”. E falenderova.

Ke mundur ta ndjekësh ndopak zhvillimin e Shqipërisë në këto 20 vjet?
Nga viti 1991 besoj se kam ardhur në Shqipëri mbi 20 herë. Dhe kam ndjekur të gjitha ngjarjet kryesore: “piramidat”, protestat, të shtënat në ajër me kallashnikov (një obsesion i vërtetë). Kur Europa lëshoi moton “Shqiptarë, ulni armët!”, mbaj mend se një humorist (më kujtohet vetëm emri, Bujar), komentoi: “Ju lutem. Mos i ulni se pastaj na vrisni!”. Më pas kam shkruar mbi zgjedhjet e ndryshme që janë zhvilluar. Nga fillimi i vitit 2000 kam filluar të tregoj për – më në fund – ndryshimin: rilindjen e letërsisë dhe të artit figurativ, rikthimin e shqiptarëve në Atdhe ku kanë filluar një aktivitet, rizgjimin e feve, jo vetëm asaj katolike. Dhe akoma histori të tjera.

Kanë kaluar 20 vjet nga këto fotografi...
Njëzet vjet janë një jetë. Ata fëmijë që kam fotografuar, që kërkonin monedha përballë Hotel Tiranës, tani janë rritur. Me siguri janë prindër dhe kur rishikoj fotot i them vetes: “Shpresoj që dikush atje lart të të ketë ndihmuar”. Më qëlloi vitin e kaluar të krahasoja ato foto të 1992 me të fundit që kam bërë. Atëherë fotografi dallohej menjëherë. Në disa fotografi shikonin drejt objektivit edhe njerëz që ishin në sfond metra larg. Fotografi nuk kalonte pa rënë në sy. Përveç fëmijëve që dëfreheshin, ekzistonte shqetësimi i pamjes mbi veten, sikur subjekti të shqetësohej se kush do të ishte mesazhi që do te jepte. Janë shqiptarë të varfër ata të portretizuar. Dhe sërish ka në ta një dinjitet të heshtur.

Çfarë do të shikojnë shqiptarët kur të ndodhen para shkrepjeve të tua?
Do doja ta di edhe unë, dhe do më pëlqente të përballesha me kë do të shikojë fotot dhe ndoshta do të gjejë një të afërm, nëse jo veten, që gëzonte në Sheshin Skëndërbej dhe nëpër rrugët e Tiranës ndërsa më në fund ndjehej i lirë. Gruaja që në lot bën shenjën “V” me dy gishtat besoj se është thelbi i klimës së atyre ditëve. Duhet fotografuar jo një personazh, por një koncept. Ndonjëherë fotografi ja arrin. Në këtë fotografi ja kam arritur edhe unë.

Mendon se shqiptarët do kenë frikë të kthejnë kokën pas?
Nuk besoj të kenë frikë. Besoj se duhet të ndjehen krenarë dhe të gjithë pak heronj për sa kanë duruar ndër vite. Do shikohen sikur një i sëmurë që sapo ka dalur nga spitali, dhe do të thonë, ndër shikohen sot të shëruar: “Ja dola!”.

Kam gjetur në Internet një artikull tuajin mbi “Rilindjen shqiptare”. Pse ky kuriozitet mbi të shkuarën e Shqipërisë?
E thjeshtë. A nuk kërkon vallë një i dashuruar të dijë gjithçka mbi njeriun që do?

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin