Dëshmia u dha sot paradite në Gjykatën e Elbasanit ku u dha masa e arrestit burg për 67-vjeçarin. Ai akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të dy personave.
UCAJ: POLICIA FAJTORE, DUHEJ TA MBANTE DJALIN NE BURG
I moshuari bën me faj policinë pasi ajo duhej ta kishte mbajtur në burg dhe jo ta lironte 27 vjeçarin, 3 orë para krimit kur babë e birë përfunduan në komisariatin e policisë për të sqaruar konfliktin mes tyre të nisur prej disa ditësh. “Policia duhej ta mbante në arrest atë ditë (flet për pasditen e 30 janarit) dhe jo ta lironte”, tha Engjo Ucaj prapa hekurave në sallën e gjyqit. Ai kujton se herën e dytë kur bashkëshortja e tij kishte njoftuar në polici për rifillimin e sherrit, në apartamentin e tyre në katin e katërt të lagjes “Sul Papri” të Elbasanit, kishin ardhur dy policë vetëm me 2 radio.
(foto: Engjo Ucaj ne gjykate)
MOMENTI I KRIMIT
“Atë pasdite, (30 janar) pasi dolëm nga komisariati, djali vazhdoi të na rrihte. Na mori telefonat celularë dhe na i theu që ne të mos lajmëronim policinë dhe një herë tjetër. Në këtë moment gruaja doli tek shkallët e pallatit për t’i kërkuar ndihmë komshinjve.
Mua më rrihte, më tërhoqi zvarrë nëpër korridor dhe dhomë deri ke parvazi i katit të katërt për të më hedhur poshtë. Zoti më dha fuqi dhe munda të shpëtoj. Më goditi me shkelma dhe pastaj u largua në dhomën e italianes. Unë isha shtrirë për tokë kur mori të më godasë sërish dhe unë mora armën.
“E maskara e paske marrë”- mësohet t’i ketë thënë djali i tij, sipas dëshmisë së 67 vjeçarit i cili shton se “Nuk mbaj mend më, vetëm kam shtirë me automatik në drejtim të djalit dhe më pas kam vajtur tek dhoma e italianes dhe kam shtirë në drejtim të saj “- kujton momentin i arrestuari duke shtuar se "Nëse nuk do ta kisha ndalur do i vriste të gjithë.Do vriste 2 policët që po vinin në banesë, mua gruan time dhe bashkëjetuesen italiane”.
(Në foto Engjo Ucaj në Gjykatë)
SI E GJETA AUTOMATIKUN
Engjo Ucaj kujton se armën e kishte sjellë djali i tij pak ditë para krimit dhe ai e kishte gjetur rastësisht të fshehur në rrobat e palosura në divan. “Përpara pak ditësh po kontrolloj rrobat në divan dhe dora më përkiti dicka të fortë. Pashë që ishte automatik kallashnikov që djali e kishte sjellë. Ia hoqa fishekët nga foleja që ai të mos na qëllonte, dhe i vendosa në karikator që nëse ai do tentonte të na qëllonte, plumbi të mos dilte dhe ne të fitonim kohë që të iknim.
UCAJ: DJALI BEHEJ AGRESIV SA HERE QE ITALIANIA VINTE NE SHTEPI
65 vjeçari rrëfeu se prej dy vitesh ai së bashku me bashkëshorten ishin rrahur barbarisht nga djali i tyre, madje në dy raste bashkëshorten e tij të sëmurë, (të ëmën e Sokolit) e kishte rrahur për vdekje. Plaku bën me faj 24 vjeçaren italiane për dhunën e cila sipas tij shtohej edhe më shumë sa herë që ajo vinte të jetonte në shtëpinë e tyre. I ati tha djali ka qenë në Itali i dënuar me 6 vite burg pasi merrej me drogë dhe grabitje. ”Sa herë që vinte italiania bëhej agresiv. Në Itali ishte dënuar me 6 vite dhe ne nuk dinim gjë. Nusja i prishte lekët djalit tim. Atë italianen e mbante për të bërë letrat pasi kishte në Itali një ekspuls 10-vjeçar, mendohet të ketë kryer grabitje me këtë vajzën", tregoi Engjo Ucaj.
Arkivoli i 24-vjeçares është dërguar në Itali dhe sot pasdite do t'i jepet lamtumira nga familjarët e saj në Montelupone.
MASA E ARRESTIT
Trupa gjykuese e kryesuar nga Danjela Shirka pranoi kërkesën e bërë nga prokurori i cështjes Alfred Shehu për arrest me burg“ për vrasje në rrethana të rënda cilësuese të dy personave. I shoqëruar nga uniformat blu, 67 vjeçari është dërguar në ambjentet e paraburgimit në periferi të qytetit deri në përfunim të hetimeve.
(sg/shqiptarja.com)