Rrëfimi i balerinit për karrierën, Eno Peçi: Që të kesh sukses, duhet të luftosh me shumë dashuri

Balerini Eno Peçi vjen në një rrëfim për rrugëtimin e tij artistik në Trupën e Baletit të Vjenës, një ditë pas vlerësimit nga Presidenti Ilir Meta, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe prezantimit të dokumentarit “Solisti” në Vjen. Artisti tregon, se udhëtimi i tij në fushën e baletit dhe koreografisë nuk ka qenë aspak i lehtë, por përtej punës së bërë me shumë dashuri ka pasur edhe mbështetjen e madhe të prindërve dhe bashkëshortes. Peçi ndalet edhe tek projektet e ardhshme si koreograf, pa harruar bashkëpunimet që do të ketë me skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Eno Peçi 

Eno, urime për titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” ishte surprizë edhe për neve, prisnim vetëm dokumentarin “Solisti” të realizuar nga producenti Gjergji Maze...

Edhe unë vetëm atë prisja, derisa pashë Presidentin Meta, që ishte i pranishëm.

Është kënaqësi, që ky titull shkoi tek një individ që e meriton... Por, si e prite, a mund të na tregosh emocionet dhe mendimet, që kishe gjashtë fjalimit të zotit Meta?

Të them të drejtën ishte e papritur për mua. Unë po dëgjoja fjalimin e zotit Ilir Meta edhe e quajta diçka normale pas një dokumentari, që ka në qendër edhe vitin e kulturës Austri-Shqipëri. Derisa në fund përmendi titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, që tha: “Këtë titull do t’ja japim edhe artistit Eno Peçi”. Këtu u befasova! Mendova, a e dëgjova mirë, apo po flet për dikë tjetër? Pastaj, e kuptova. U ngjita lartë shumë i emocionuar për këtë titull të lartë, që më bën të ndihem krenar të mbaj këtë titull, sepse Skënderbeu është heroi ynë kombëtar. Isha pa fjalë, nuk e prisja, jam shumë i nderuar.

Po, përsa i përket dokumentarit “Solisti”. Janë 18 vite vetëm në Trupën e Baletit të Vjenës, por edhe shumë vite në Shqipëri. Çfarë emocionesh ke përjetuar gjatë këtij rrugëtimi, që ishin edhe në këtë dokumentar?

Ishte diçka, sepse unë as dokumentarin nuk e kisha parë tamam. Kisha bërë disa intervista me producentin Gjergji Mazi, por unë nuk e dija se kush ishin personat që ishin intervistuar. Në atë dokumentar pashë nga fillimi deri në fund, të gjitha gjërat që ishin të lidhura me njëra-tjetrën, u befasova shumë. Ishte diçka që tregonte karrierën time, që kam kaluar edhe jam akoma duke e ndjekur. Është diçka e veçantë, që të pasqyrohet karriera jote në një ekran. U ndjeva i kënaqur, sepse edhe fëmijët e bashkëshorten i kisha me vete. U ndjeva vërtet shumë i nderuar. Ishte diçka shumë e veçantë.

Nga personat që kanë folur në këtë dokumentar për ty, cila është ajo frazë apo mendim i një personi, që të ka bërë më tepër përshtypje?

Ishin shumë persona që kishin folur për mua, edhe drejtori i teatrit të Vjenës kishte folur. Në një fjali thoshte: “Të kishim dhjetë veta si Eno Peçi”. Ishte diçka që më bëri përshtypje, se këto gjëra nuk i dëgjon çdo ditë në teatër, por u dëgjon në dokumentar, ku mëson se çfarë mendojnë të tjerët për ty.

Eno, në këtë udhëtim tëndin ka luajtur rol edhe familja, bashkëshortja, tashmë edhe fëmijët. Edhe në dokumentar shprehesh, se është e vështirë që të ndahet jeta personale nga ajo profesionale. Si ka qenë ky udhëtim?

Të them të drejtën, pa këtë karrierë që unë kam bërë edhe këtë titull që unë mora atë ditë, faktorët më të rëndësishëm që e kanë bërë këtë të mundur, duke më ndihmuar shumë, janë familja ime, prindërit dhe motra, plus dhe familja ime që unë kam krijuar këtu, bashkëshortja dhe fëmijët. Të arrish të ndërtosh një karrierë duhet që të kesh një shtysë të madhe nga ana psikologjike, sepse familja gjithmonë kanë qenë me mua, duke më dhënë liri që të ndjek karrierën time, që e kam dashur edhe do ta dua përherë. Pa këta faktorë, unë nuk mund që të ecja përtej. Janë njerëzit e dashur, që të shtynë të ecësh më tej në karrierën tënde.

Cili është momenti më i vështirë, dhe ai më i lumtur, që kanë ndikuar të tek ti, që të ecësh para. A ka dy momente të tilla, që mund t’i veçosh?

Ikja ime në Austri ka qenë shumë e vështirë, sepse kanë qenë trazirat, përpos që familja ime ka sakrifikuar shumë për vajtjen time në Austri. Është hapur një faqe e re. Ikja edhe ardhja në Vjen, aty nisi kapitulli i ri.

E megjithatë lidhjet me Shqipërinë vazhdon që t’i ruash ende, qoftë edhe me skenën artistike këtu... Çfarë ke aktualisht në duar dhe cilat janë projektet e përbashkëta midis dy vendeve?

Po është e vërtetë, vitin që kaloi dhashë një pjesë koreografike. Por me drejtoreshën e Teatrit të Operës dhe baletit, Zana Çela, kemi disa projekte, por jemi akoma në bisedime.

Përsa i përket veprimtarisë tënde në Vjen, aktualisht me çfarë po merresh tjetër?

Aktualisht kërcej, se kam kontratën me Teatrin e Baletit të Vjenës, por punoj edhe me pjesë koreografike dhe në vende të ndryshme. Vazhdoj me këto, sepse janë dy gjëra, që më pëlqejnë akoma t’i bëj, baleti dhe koreografia.

Eno edhe një mesazh për të gjithë ata të rinj, që kërkojnë të jenë balerin në të ardhmen?

Rruga e artit është shumë e bukur, por është në maksimum shumë e vështirë. Nuk mund që të ecë çdo gjë mirë, duhet që të përballesh me shumë faktorë të vështirë, që të shikosh pak dritë dhe të arrish atë që do me zemër. E vetmja rrugë është që të luftosh edhe ta bësh këtë me shumë dashuri.

Atëherë, kjo luftë me shumë dashuri, për ty do të vazhdojë drejt rrugës së koreografisë?

Ky, është pikësynimi. Po (qesh).

Eno Peçi 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë