Liri Belishova ishte një personalitet shumë i njohur në vitet e para të komunizmit në Shqipëri. Ajo lindi në vitin 1923 në fshatin Belishovë të Mallakastrës nga një familje e pasur. Në fund të viteve 1930, ajo ndoqi Institutin Nënë Mbretneshë në Tiranë ku studioi për një kohë si infermiere. E frymëzuar nga romani "Nëna" i shkrimtarit Maksim Gorki, Liria iu bashkua lëvizjes së rezistencës komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore ku humbi edhe një sy gjatë luftimeve. Në vitin 1944, Liria ishte sekretare e Këshillit të Rinisë Anti-fashiste dhe në fund të luftës ishte anëtare e Frontit Demokratik.
Në nëntor të vitit 1945, mori pjesë në një kongres botëror të rinisë të mbajtur në Londër. Në periudhën 1946-1947, ishte kryetare e Rinisë Popullore. Kur në 1947, burri i saj i parë Nako Spiru (1918-1947) u spastrua nga partia dhe bëri vetëvrasje, edhe Lirinë e larguan nga të gjithë postet politike dhe e dërguan në Berat si mësuese. Shkaku ishte përkrahja e saj për pavarësinë ekonomike të Shqipërisë nga Jugosllavia në kohën e aleancës së shkurtër midis të dy vendeve. Në 1949, pas rënies së Koçi Xoxes (1917-1949), Liria u rehabilitua dhe që nga viti 1948 deri në vitin 1960, ishte anëtare e Byrosë Politike. Bashkë me Ramiz Alinë (1925-2011) ajo ndoqi Institutin Marksist-Leninist në Moskë në vitet 1952-1954 dhe në periudhën 1954-1960, ishte anëtare e Sekretariatit të Partisë. Gjatë këtyre viteve, ajo ishte e martuar me Maqo Çomon, ministër i bujqësisë në vitet 1954-1960.
Gjatë kthimit të saj nga një vizitë zyrtare në Kinë me Haxhi Lleshin (1913-1998) dhe Gogo Nushin (1913-1970) në qershor të vitit 1960, Liri Belishova ndaloi në Moskë dhe gjoja foli me udhëheqësit sovjetikë për synimet anti-sovjetike të udhëheqësve kinezë. Më 8 shtator të atij viti, Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet politike me Bashkimin Sovjetik. Gjatë spastrimeve që ndodhën si pasojë e ndryshimit të kursit politik, Liri Belishovën e larguan nga të gjitha postet politike dhe partiake si simpatizuese e Hrushovit. Pas pak kohe, e arrestuan dhe e dërguan në burgun e Gjirokastrës. Pas kësaj e internuan për vite me radhë në Cërrik të Elbasanit. Në të vërtetë, Liri Belishova u lirua në vitin 1991, pasi kaloi 31 vite të jetës së saj në internim.
Në këtë intervistë të zhvilluar në Tiranë në korrik të vitit 2011, Liri Belishova flet për interesimin e saj të hershëm për lëvizjen komuniste si dhe për zhgënjimin dhe përbuzjen e saj për fatin e ardhshëm të kësaj lëvizjeje në Shqipëri pas Luftës se Dytë Botërore. Gjithashtu, ajo shpreh mendimet e saj për personalitete të shumta publike që njohu me kalimin e viteve, duke përfshirë Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Nako Spirun, Musine Kokalarin dhe Ramiz Alinë.
Belishova: Pse u bëra komuniste?
Kam qenë 11 vjeçe, kur një kushëriri im që mësonte në Shkollën Normale në Elbasan, për t’u bërë mësues, më ka folur për ide socialiste, që kjo shoqëri është e padrejtë dhe material kishte jo pak, se kishte shumë varfëri në Shqipëri dhe në krahinën ku neve banonim, në Mallakastër, dhe që duhet luftuar për një shoqëri që të jetë e drejtë, që njerëzit të jetojnë mirë e të tjera, dhe më dha të lexoja librin “Nëna” të Maksim Gorkit.
Unë porsa kisha mbaruar klasën e pestë, shkollën fillore. Isha 11 vjeçe, bile pa i mbushur. Ka qenë korriku i 1937-ës, kurse unë do t’i mbushja 11 vjeçët në tetor, më 14 tetor. Mirëpo, e lexova me shumë emocion këtë libër. Sigurisht nuk i kuptoja të gjitha ose i kuptoja në mënyrë shumë të thjeshtëzuar dhe isha dakord me këtë kushëririn tim që kapitalizmi duhet të rrëzohet dhe të ndërtohet kjo shoqëri e re, e ndritur. Ishin ëndrrat e një fëmije.
Mirëpo këto patën rëndësinë e tyre sepse në shkollë kishte vajza që ishin të lidhura me grupet komuniste, të cilat ishin më të mëdha në moshë se unë. Dhe ato pa më folur mua direkt ma ushqenin këtë mendim, të paktën në anën kritike, që kjo shoqëri është e padrejtë, ka shumë plagë. Plus kësaj, leximi i letërsisë artistike, d.m.th. shkrimtarët e mëdhenj kritikë të Perëndimit, mund të them kanë lozur një rol të madh për zhvillimin e lëvizjes komuniste të Shqipëri sepse ata kritikonin problemet, anët negative të shoqërisë kapitaliste dhe neve mendonim që ja, këto “koka të ndritura”.
Tashti, në këto mendime si të thuash të një adoleshenteje romantike u shtua okupimi i Shqipërisë nga Italia. Neve ishim të lidhur shumë me idetë patriotike sepse prindërit tanë dhe shkolla na edukonin me këtë gjë. Mësuesit ishin shumë patriotë. Dhe neve ndjenim shumë jo vetëm një urrejtje për okupacionin pesëshekullor osman, por edhe për copëtimin e Shqipërisë që e quanim një padrejtësi të madhe (vendimet e Konferencës së Londrës të 1913-ës që lanë Kosovën, Çamërinë dhe shumë vise shqiptare nën Jugosllavinë dhe nën Greqinë). Këto ndjenja ishin shumë të forta. Dhe këto u lidhën me idetë komuniste, ky patriotizëm sepse mendonim që vetëm një parti komuniste do të mundë të organizojë luftën dhe ta shpëtojë Shqipërinë.
Dhe kështu, në 1941-in, u krijua Partia Komuniste dhe pak ditë më vonë, më 23 nëntor, Rinia Komuniste. Unë dhe shumë shoqe të mia u futëm në këtë organizatë, duke e konceptuar kështu socializmin, d.m.th. një ëndërr e bukur. Dhe gjatë luftës filluam të lexojmë diçka, letërsi, d.m.th. ishin gjëra shumë të vogla, por edhe kjo që lexonim, mbaj mend një broshurë “Zhvillimi ekonomik i shoqërisë njerëzore” dhe disa vepra të Stalinit, këto të gjitha i perceptonim në një mënyrë shumë sipërfaqësore sepse ishim shumë të reja.
Por Partia Komuniste Shqiptare lindi si një parti staliniste, jo si partitë e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, që kanë një të kaluar social-demokrate, kanë pasur një lëvizje sindikaliste, bile dhe parti liberale. Neve lindëm si parti staliniste dhe edukata jonë ka qenë stalinizmi. Thuhej leninizmi, por në të vërtetë jo. Kurse Marksi dhe Engelsi njiheshin shumë pak dhe aq më tepër thuhej që neve idetë e Marksit dhe të Engelsit do t’i marrim nëpërmjet Stalinit sepse Stalini këto ide i ka adaptuar me kohën e re. Atëherë, neve çdo gjë që bënte Partia na dukej e drejtë dhe disiplina ishte e atillë, edukimi ishte i atillë që u krijua kulti i Komitetit Qendror të Partisë dhe i vetë Partisë, që çfarë thotë Partia nuk diskutohet, është e drejtë, duhet zbatuar.
Kështu që gabimet që bënte Partia Komuniste që gjatë kohës së luftës, nuk ishim në gjendje t’i kuptonim. Na bënin patjetër përshtypje, por unë për veten time jo vetëm në atë kohë por edhe shumë vite më vonë, vuaja shpirtërisht se mendoja duke qenë një vajzë që vij nga një familje pak a shumë e kamur, kam mbeturina mikroborgjeze, që nuk jam komuniste e mirë. Dhe si të thuash ishte një vetëqortim, një vetëndëshkim i vetes sime. Nuk i jepja të drejtë mendimeve dhe ndjenjave të natyrshme të një njeriu që i ka të zakonshme disa ndjenja humane, disa ndjenja demokratike, mendoj unë për çdo njeri normal.
Mirëpo në fund të nëntorit të 1944-ës u bë Plenumi i Dytë i Beratit. Dhe aty, unë nuk kam qenë megjithëse ky plenum më zgjodhi kandidate, unë kam qenë në Tiranë atëherë, nuk isha në Berat, ky e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për sektarizmin e tij dhe bashkë me Enver Hoxhën u kritikua edhe Miladini sepse Enver Hoxha e thotë në këtë plenum dhe kështu ka qenë realiteti, që Miladini për të ka qenë mësuesi dhe ky ka bërë çdo gjë që thoshte Miladini. Dhe këto kritika që ishin në radhë të parë për një sektarizëm të madh, të atilla që Sejfulla Malëshova tha: “Në qoftë se neve nuk heqim dorë nga kjo rrugë do të përfundojmë në një parti terroriste”.
Fakte ka shumë. Atje një nga anëtarët e Komitetit Qendror që më vonë u bë edhe anëtar Byroje, Gogo Nushi, tha që duke qenë Sekretar i parë i Tiranës kishte marrë nga Enver Hoxha një letër me një listë ku ishin tridhjetë e ca veta, me urdhër që të pushkatoheshin, por të pushkatoheshin në mënyrë sekrete që të mos merrej vesh në publik që i vranë komunistët. Gogo Nushi tha: “Unë u habita se të tërë njerëzit që ishin në këtë listë nuk ishin fashistë ose bashkëpunëtorë të fashistëve, të gjermanëve, ose patriotë antifashistë të lidhur me neve ose bile edhe komunistë”. Enver Hoxha ka ndërhyrë dhe i ka thënë: “Ti vetë na ke shkruar dhe i ke kritikuar këta njerëz”. Gogo Nushi i është përgjigjur: “Shoku Enver, unë ju kam shkruar që këta njerëz kanë disa gjëra të paqarta, disa pakënaqësi, me qëllim që neve t’i sqarojmë, t’i bindim, por jo t’i pushkatojmë”. Dhe Enver Hoxha nuk e ka kundërshtuar.
Megjithëse mendoja që ndonjëri edhe mund të mos dënohej kaq rreptë sepse nuk kishte krime ishte vetëm çështje politike, por të them të drejtën, jam tronditur kur kam qenë në Holandë dhe më thanë që atje si kriminelë lufte kanë pushkatuar vetëm katër veta, një pjesë të vogël e kanë burgosur, internime nuk mund të bëheshin se Holanda është shumë e urbanizuar, dhe pjesa tjetër kanë bërë një dënim publik, d.m.th. janë kritikuar në gazeta dhe ata vetë kanë kërkuar falje. Ka pasur ligje që të mos merrnin poste shtetërore etj. Dhe, megjithatë, mua atëherë më dukeshin të drejta, por, siç thashë, kisha këto rezerva.
Etapë tjetër ka qenë kur u bënë tatimet e jashtëzakonshme të luftës dhe u caktuan tatime të tilla që jo vetëm i rrënonin ekonomikisht tregtarët e ndryshëm, pronarë fabrikash etj., por në fakt i linin pa bukë. Një pjesë e tyre përpiqej që ta ruante këtë pasuri, p.sh. florinjtë që kishin etj., dhe ndaj tyre janë sjellë në mënyrë mizore. I kanë torturuar, i kanë pushkatuar, janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre fëmijët, gratë, janë dërguar të jetojnë nëpër baraka, nëpër kasolle. Këto, të them të drejtën, nuk më dukeshin të mira. Ama, mendoja që janë armiq të klasës.
Gjithmonë shoku Stalin dominonte trurin dhe ai shpirti human që e ka çdo njeri ishte në luftë me stalinizmin. U hodh një bombë në ambasadën sovjetike dhe me atë rast, si kundërpërgjigje, u pushkatuan 22 veta, të cilët nuk kishin të bënin fare me këtë aksion, mund të them, me këtë incident.
Por, u pushkatuan si hakmarrje dhe për të trembur të tjerët, sipas parullës së Leninit “Terrorit të bardhë do t’i përgjigjemi me terror të kuq”. Kjo gjë nuk më ka bërë përshtypje të mirë, por për të folur nuk kam folur. Dhe dua t’ju them që vetë Enver Hoxha pastaj na ka thënë që Voroshilovi, në prezencë të Stalinit, pra, d.m.th. me dijeninë ose me urdhrin e tij, i tha Enver Hoxhës: “Çfarë bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë”. “Po ata hodhën bombë shoku Voroshilov”, - tha Enveri. “Po sa bomba hidhen nëpër konsullatat e ambasadat tona, një xham u thye, nuk u vra njeri. Pushkatohen 22 veta për këtë gjë?”. Merre me mend tani. E dimë kush ishte Stalini edhe Voroshilovi dhe ata i kanë hequr vërejtjen Enverit për teprim në masat represive.
Pastaj erdhi puna e kulakëve. Në atë kohë, burri im i dytë Maqo Çomo ishte në fillim zëvendësministër i Bujqësisë pastaj u bë ministër i Bujqësisë. Dhe ai sidomos kishte kontakt me fshatin dhe më ka treguar raste që ishin me të vërtetë të dhimbshme dhe absurde. D.m.th. në një fshat shpallnin 20 kulakë, 30 kulakë. Hasmëri personale, a i kuptoni të gjitha këto? P.sh. një grua e kishin shpallur kulake sepse ajo kishte një vajzë të bukur, burrë ose djalë të rritur nuk kishte që ta mbronte. Sekretari i Partisë së fshatit e donte këtë vajzën e bukur për nipin e tij. Kjo nuk ia dha se vajza nuk donte dhe për këtë e shpallën kulake. D.m.th. kishte gjëra shumë të këqija.
Tani këto më bënin të mendoja që sa sëmundje ka kjo Parti Komuniste që unë e quaja ideale. Por edhe lëkundesha. A janë të drejta këto udhëzime për kulakët sepse në fund të fundit, fshatari i pasur bëhej ai që ishte i zoti, nuk bëhej ai që ishte i humbur. Dhe duke marrë parasysh fshatin tim, p.sh. unë e dija që do ta merrnin në dorë fshatarët e varfër, por fshatarët e varfër ishin ata që i hante morri dhe pleshti, kur i thonë, nuk ishin të zotët. Mirëpo, siç thashë, gjithmonë ishte ajo mëdyshja, por me kohë këto gjëra dekantoheshin, kur thonë, një çikë sot, një çikë nesër.
Kolektivizimi. Stalini e ka porositur Enverin: “Mos u shpejtoni me kolektivizimin se jeni një vend i vogël, malor, nuk keni industri që të mund të ndihmoni fshatin. Shkoni gradualisht. Mos na kopjoni neve, se neve u detyruam të bëjmë kolektivizimin si masë për t’u mbrojtur nga Lufta e Dytë Botërore. Juve nuk e keni këtë rrezik”. Enver Hoxha ka qenë diktator, po diktator i përgjakshëm sepse janë vrarë në këtë popull të vogël kaq shumë njerëz. Ka vrarë dhe shokët e tij më të ngushtë.
Unë mendoj, d.m.th. nuk mendoj por nuk mund t’i konceptoj tre gjyqet që u bënë në vitet 70-të: gjyqi që u bë kundër ushtarakëve që ra si fshesë e hekurt (e përdorte vetë këtë fjalë) në ushtri; gjyqi që u bë kundër ekonomistëve që u pushkatua Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, u burgosën gjithë ata të tjerë, ca vdiqën nëpër burgje, ca vdiqën nëpër tortura, siç ishte Ahmet Jegeni p.sh. një nga ekonomistët më të mirë; dhe gjyqi që u bë pastaj për këta të kulturës dhe të artit, Todi Lubonja, Fadil Paçrami e kush e di se sa të tjerë. Nuk e kuptoj se si mund ta bënte njeriu këtë gjë.
Por mendoj që ai ka qenë dhe shumë demagog sepse nga natyra ishte një burrë i pashëm, ishte një njeri me maniera të kultivuara sjelljeje, si të them, dhe prapa kësaj maske fshihej një njeri i tillë. Ndofta ky njeri ka qenë i tillë, instinktet e tij kanë qenë të këtilla se jo çdo njeri mund të bëhet diktator dhe aq më tepër një diktator i tillë, se diktatorë kanë pasur edhe vendet e tjera të Lindjes, por jo kështu. Por, ndofta ishte edhe puna që ai, marksizmin e fitoi nga Miladini. Miladini vinte nga Partia Komuniste jugosllave. Ajo ka qenë partia më radikale, tjetër pastaj që ndryshoi për efekt të prishjes me Stalinin dhe për t’iu bërë qejfin amerikanëve se ndryshe s’i sillnin dollarë. D.m.th. qe një evolucion i detyruar. Ndofta është edhe kjo që ka influencuar.
Në fillim nuk e kam takuar këtë njeri, nuk e kam njohur. Për herë të parë e kam takuar kur u bë Kongresi i Rinisë në Helmës, në korrik 1944, kam vajtur unë se kongresi u bë më vonë, ose fundi i qershorit ose fillimi i korrikut. Vetëm një shtëpi kishte atje, të tjerat ishin çadra. Kur doli ky nga kjo shtëpi, më tha Nako: “Ky është Enver Hoxha”. E unë u çudita se të gjithë të tjerët ishin të veshur partizançe, me nga një xhaketë nga ato të anglezëve, me pantallona civile, me opinga. Kurse ky ishte i veshur me rroba të një oficeri italian, shumë elegant, me çizme të lustruara, me flokë sikur i kishte bërë me brilantinë, dhe kjo më habiti që udhëheqësi komunist të jetë kështu? Revolucionari?
Por ajo që më ka tronditur dhe që e mbaj mend edhe sot, ishte që fjala e parë, pa më thënë si je, se unë po vija nga burgu, sa isha liruar nga burgu i Tiranës, nga një vend ku terrori ishte në kulm, më tha: “Si e lejuat juve që të shpëtonte Zai Fundo armiku? Kishit urdhër që të vritej me çdo kusht Zai Fundo”. D.m.th. u trondita që në fillim për këtë gjë. “Unë kam qenë në burg, shoku Enver”, - i thashë, - “nuk e di këtë gjë”.
“Shumë keq që nuk e di”, - më tha, - “komiteti qarkor i Tiranës që është përgjegjës për Zai Fundon, i ka bërë një dëm të madh Partisë”. Dhe unë isha anëtare e komitetit qarkor të Tiranës, përgjegjëse për rininë. Por puna është që unë isha në burg. Dola nga burgu dhe u nisa menjëherë për këtej. Këtu s’kishte logjikë, këtu ishte tërsëllëm i madh d.m.th. Dhe nuk e di pse ma bëri këtë gjë, për të më thënë që ti të rrish sus, apo ishte një gjë e natyrshme për të, që këto kishin rëndësi, vrasjet e armiqve.
Megjithatë, nuk e kam menduar kurrë që do të përfundonte kaq keq. Dhe e di si është puna, që duhet ta them sinqerisht. Më ka ardhur shumë keq kur janë dënuar shokë të ndryshëm. Mirëpo mendoja që këta shokë do të kenë bërë gabime të rënda dhe Partia kushedi, ka dhe të dhëna të tjera. Por duke ardhur gjithnjë koha nuk mund të pajtohesha dot, sidomos kur u dënua Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Por nuk guxoje jo t’i mbroje, po të mos t’i kritikoje. Dhe të them të drejtën në këtë kohë isha martuar për herë të dytë. Kisha bërë dy fëmijë. Burri, kur u martua me mua, kishte dy vajza d.m.th. katër fëmijë.
Kisha pesë vëllezër që i rrita vetë se babai vdiq shumë herët. Kishin mbaruar universitetet, ishin martuar tre, dy ishin të fejuar, kisha nënën dhe gjyshen, po e lë sojin e burrit. Dhe e dija që hapi im për të kundërshtuar Enverin nuk do të më kushtonte vetëm mua personalisht, që në fund të fundit, isha gati, si të thuash, të sakrifikohesha sepse ndieja dhe përgjegjësi për këtë rrugë. Po ata ç’faj kishin? Kështu që kam bërë çmos që nga kjo kohë kur fillova të shikoj më qartë dhe deri sa u dënova, si e si mos të krijoj tek Enver Hoxha përshtypjen që unë kam vërejtje kritike, që unë nuk jam dakord me këtë rrugë. Një rol me shumë rëndësi ka luajtur Kongresi i 20-të.
Ai raporti sekret i Hrushovit. Unë atëherë kam qenë e sëmurë, sa kisha lindur djalin dhe kam qenë katër muaj në krevat. Megjithatë, erdhi Enver Hoxha në shtëpinë time, ma tha shumë shkurt dhe nga kjo kuptova që ai nuk ishte dakord me kritikën ndaj Stalinit. Por ama edhe neve nuk e adhuronim pak Stalinin dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë nuk e kishim shumë të qartë. Kur e kemi lexuar atë, burri e kishte lexuar në tjetër vend, kemi thënë që të dy që edhe këto janë maja e ajsbergut, se Hrushovi ka qenë bashkëpunëtor i Stalinit. Disa gjëra ndofta ai vetë nuk i kupton, por ndofta disa gjëra me qëllim nuk i thotë sepse e ngarkonte edhe atë me përgjegjësi.
Po dhe ato ishin mjaft për të thënë, “po tani çfarë do të themi se më përpara thoshim propaganda imperialiste-borgjeze”, po tani e thoshin ata vetë. Dhe çështja ishte këtu: njeriu mund të diskutojë a është e drejtë politika e kolektivizimit apo jo, a është i drejtë nacionalizimi i industrisë i gjithë vendit, a është rentabël apo jo, dhe shumë gjëra të tjera. Ky kontroll kaq i madh për letërsinë, për artin, për kulturën, a është e drejtë kjo që nuk ka asnjë marrëdhënie me Perëndimin, që nuk mund të lexosh një libër, nuk mund të dëgjosh një radio. Këto të gjitha diskutohen dhe kuptohet që njeriu normal do t’i dënojë, por i falet edhe atij që është i indoktrinuar që mos t’i kuptojë menjëherë.
Por krimi është krim, Robert, apo jo. Dhe kur është puna për krime, për qindra, për mijëra, për miliona veta, këtu është e pafalshme të hezitosh dhe të lëkundesh, e pafalshme. Mua më ka bërë përshtypje më vonë, pas Kongresit të 20-të, kam lexuar disa kujtime dhe letra të Gorkit që kishin botuar. Dhe çfarë shkruan Gorki për Leninin. Thotë: “Sa mizor duhet të jetë ky njeri që lejon të bëhet eksperiment me jetën e miliona e miliona njerëzve duke shkaktuar këto vuajtje mbinjerëzore dhe kaq shumë viktima dhe gjak”. Më ka tronditur.
* (Shkrimi është botuar në Shqiptarja.com (print) në 9 janar 2015, kur i ndjeri Robert Elsie (1950-2017) ishte gjallë. Dh.H.)
Rrëfimi i jetës/ Liri Belishova studiuesit Robert Elsie: “Pse u bëra komuniste, krimet e Enverit”
Komento