‘Kur Tito, i ka thënë Enverit se, Kosova banohet nga shumica shqiptare dhe ata duan të bashkohen, ai i’u përgjigj…’/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës

‘Kur Tito, i ka thënë Enverit se, Kosova banohet nga shumica shqiptare dhe ata duan të bashkohen, ai i’u përgjigj…’/ Dëshmitë e panjohura të Liri Belishovës

Josep Tito dhe Enver Hoxha

Memorie.al / Ka qenë vetëm 16 vjeçe, kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas, iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare, u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas, u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Kjo ishte Liri Belishova, që adoleshente në Luftë, humbi syrin, ndërsa pas lufte, humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960, si “armike e Partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991.

Për të gjitha këto, Liri Belishova flet ekskluzivisht në këtë intervistë, që po publikojmë në disa numra radhazi! Ajo përfshihej në debatet për 70-vjetorin e çlirimit, duke treguar të vërtetat për çka kishte parë dhe çfarë dinte: Çfarë duhet vlerësuar e kritikuar te Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare? Cili ishte roli i jugosllavëve për zgjedhjen e Enver Hoxhës në krye të Partisë Komuniste Shqiptare? Si tentoi Enver Hoxha të bashkonte Shqipërinë me Jugosllavinë dhe më pas u mbrojt, duke thënë se: “ishte thjesht provokim, si do reagonte Tito”!?

Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e më pas Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si e la Enver Hoxha pa drejtim luftën në dy dimra? Cili protagonist nga Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, do të ishte “perfekt” për në krye të PKSH-së apo në krye të Luftës, në vend të Hoxhës? A u çlirua Shqipëria me forcat e veta, siç pretendohet shpesh, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste?

Pse fitorja aq e madhe e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, degjeneroi më pas në diktaturë?! Në luftën kundër pushtuesit, kanë qenë edhe forca të tjera politike jo komuniste, si “Balli Kombëtar”, “Legaliteti”, etj., pse fitoi komunizmi dhe humbën këto forca politike? Pse u prish “Marrëveshja e Mukjes”, dhe letrat e Enverit për t’i propaganduar si “bashkëpunëtorë të okupatorit” e, për t’i ekzekutuar pas shpine, pa gjyq? Si u vranë vëllezërit e Musine Kokalarit në ditën e çlirimit me urdhër të Enver Hoxhës dhe hedhja e valles rreth tyre?

Eliminimet e kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës ndër dekada, çfarë di Liri Belishova për to? A ndihet edhe vetë ajo përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e, deri më 1960-ën, para se të shkarkohej nga funksionet politike dhe të internohej për 31 vjet? Përtej atyre që janë thënë, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e saj me, gratë e LANÇ-it, që më pas u bënë bashkëshorte në Bllok? Pse mendon se Nako Spiro, Mehmet Shehu etj., nuk kanë vrarë veten dhe për ta bën përgjegjës direkt Enver Hoxhën?

Si ndihet Liri Belishova kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë, ngrihet portreti i Enver Hoxhës…?! Këto janë vetëm disa nga pyetjet që asokohe, ku 89-vjeçarja u jepte përgjigje në këtë intervistë që ka filluar të merret që në fund të nëntorit 2014, pak nga pak, për disa javë me radhë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, por me një kujtesë që të mahniste, në personazhe dhe data. Shpesh biseda ndërpritej sa nga sëmundja, sa nga emocionet e të rrëfyerit, sidomos kur në kujtime, i shfaqej Drita, vajza që i ndërroi jetë para kohe në moshën 23-vjeçare, për të cilën përsëriste vazhdimisht: “Nuk pa kurrë një ditë të bardhë”. Një peng që nuk ka fjalë ngushëlluese që ia heq dot Liri Belishovës…?!

Znj. Belishova, cilat do të përmendnit shkurtimisht si, suksese dhe dështime të Luftës Antifashite Nacionalçlirimtare?

Lufta Antifashite Nacionalçlirimtare, e rinisë dhe popullit shqiptar kundër okupatorëve italianë, ka filluar në të vërtetë që në ditët e para të prillit 1939, kur rinia e shkollave të mesme, demonstroi duke dënuar jo vetëm këtë agresion, por duke kërkuar edhe armë për të luftuar, për të mbrojtur pavarësinë dhe lirinë e atdheut. Por Mbreti i Shqipërisë dhe qeveritarët shqiptarë, nuk arritën të organizojnë një rezistencë, të organizojnë popullin, rininë në këtë luftë.

Patjetër që Shqipëria e vogël, nuk mund t’i bënte ballë agresionit të një fuqie të madhe dhe shumë të armatosur, siç ishte atëherë Italia fashiste. Rezistenca duhej për shumë arsye, që kuptohen, por edhe sepse ky agresion u shoqërua me një propagandë shumë të madhe, shurdhuese e demagogjike nga ana e Musolinit, e partisë dhe e shtetit të tij, duke e justifikuar këtë agresion, sikur gjoja populli shqiptar, kërkonte ndihmë nga Italia, për ta shpëtuar nga sundimi i një Mbreti tiran.

Që këtë të vërtetë ata nuk e bënë. Mbreti dhe bashkëpunëtorët e tij, më të ngushtë ikën, ata që mbetën, një pjesë e pranuan këtë okupacion, madje ishin në delegacionin që shpuri Kurorën e Shqipërisë, Mbretit Viktor Emanueli III-të i Italisë. Sepse pushtimi i Shqipërisë nga propaganda fashiste, u justifikua si bashkim i dy Mbretërive, nën një kurorë; nën kurorën Mbretërore të Emanuelit III.

Pra, Italia nuk e quajti pushtim atë të Shqipërisë…?!

Sigurisht, italianët nuk e quanin pushtim. Dhe ata që bashkëpunuan me italianët, nuk e quajtën pushtim, por bashkim të Italisë me Shqipërinë, nën të njëjtën kurorë. Atëherë këtë pushtim të Shqipërisë nga Italia, në të vërtetë nuk e kundërshtuan, madje mund të themi e aprovuan, të gjitha fuqitë e mëdha të Europës. Edhe Britania e Madhe, edhe Franca, që ishin fuqi demokratike dhe antifashiste.

Sepse ishte një politikë e lëshimeve ndaj agresorëve fashistë e nazistë, mendonin se duke u dhënë këto copa, siç qe Abisinia, siç qe krahina e Sudetëve dhe pastaj dhe vetë Çekosllovakia, Spanja, Shqipëria, do të mund ta ulnin oreksin agresiv të Gjermanisë hitleriane dhe të Italisë fashiste.

Ishte patjetër një politikë jo e drejtë dhe dritëshkurtër, që çoi në fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe në angazhimin e Britanisë së Madhe, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pastaj, që hynin në aleancë me ish-Bashkimin Sovjetik, i cili kishte një traktat të fshehtë me Gjermaninë naziste, i deklaruar si një traktat mossulmimi, por në fakt ishte një traktat që garantonte kufirin lindor të Gjermanisë, i jepte asaj mundësinë që të sulmonte Francën dhe vendet e tjera pa qenë e rrezikuar.

Atëherë këto gjëra nuk diheshin, këto dokumente janë zbuluar më vonë, traktati i famshëm Mollotov-Ribentrop, d.m.th. traktati mes Stalinit e Hitlerit “de facto”, por i firmosur nga ministrat e tyre të Jashtëm.

Çfarë duhet vlerësuar dhe kritikuar te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare?

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, siç thashë, ka filluar që në ditët e para të prillit 1939, kur rinia studentore shpërtheu në demonstrata, ku jo vetëm dënohej agresioni, por kërkoheshin dhe armë për t’i dalë zot atdheut, për ta mbrojtur atdheun. Kjo i bëri një përshtypje të jashtëzakonshme patriotit dhe intelektualit të shquar, Mirash Ivanaj, që ka qenë dhe ministër i Arsimit në Mbretërinë Shqiptare.

Ai është shprehur me fjalët më emocionuese, pikërisht për këtë reagim të rinisë shqiptare. Por, duke mos pasur një parti politike që ta udhëhiqte këtë rezistencë, këtë luftë, pati një mpakje, pasoi një periudhë relativisht e qetë dhe vetëm pas krijimit të Partisë Koministe Shqiptare, u krijua mundësia që kjo rezistencë të ketë një qendër organizuese. PKSH-ja u themelua më 8 nëntor 1941, pra pasi ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik, atdheu socialist.

Grupet komuniste, që ishin baza e formimit të Partisë Komuniste, kur Italia fashiste sulmoi dhe okupoi Shqipërinë, nuk mbajtën të gjitha një qëndrim të qartë. Disa u shprehën dhe dënuan këtë agresion, pati brenda këtyre grupeve komuniste edhe rryma që mbajtën një qëndrim shumë të dënueshëm, duke thënë që okupacioni fashist, do të krijojë mundësi për industrializimin e Shqipërisë, pra për lindjen dhe zhvillimin e proletariatit dhe kështu, do të favorizohej dhe zhvillimi i lëvizjes komuniste.

Cilat ishin këto rryma brenda grupeve komuniste që mbajtën këtë lloj qëndrimi?

Këto ishin ish-grupet komuniste, siç thashë. Nuk më kujtohet se cili grup shfaqi të tilla mendime, por kur është krijuar PKSH-ja, një nga kritikat që është bërë dhe që u shtrua edhe te komunistët e tjerë, ka qenë pikërisht kjo kritikë. Pra për ata që nuk mbajtën një qëndrim të duhur, kundër okupacionit fashist.

Në fakt, është rasti të theksoj që, pasi Stalini dhe Hitleri firmuan traktatin e famshëm të vitit 1940, për të cilin folëm më lart, partitë komuniste të botës, e ndërprenë demaskimin dhe luftën kundër fashizmit, megjithëse Kongresi VII-të i Kominternit, në vitin 1935, e kishte bërë demaskimin e fashizmit si problemin qendror, për partitë komuniste.

I ngarkonte këto parti që ta shfrytëzonin luftën kundër fashizmit, kundër nazizmit, për t’u lidhur me masat, sepse fashizmi rrezikonte të gjitha shtresat e popullatës të Europës, dhe kundër tij ishin ngritur në radhë të parë intelektualët më të shquar të Europës. Ata e shikonin këtë si një mundësi që partitë komuniste, të fitonin përkrahjen e popullit të vet, për qëllimin e tyre, që të merrnin pushtetin, që të vendosnin diktaturat e proletariatit.

Po thoni që në ’41-n, kur është themeluar PKSH-ja, i bie që Shqipëria ishte e vetme, pasi komunistët e shteteve të tjera, e lanë luftën kundër pushtimit fashist?!

Por atëherë ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik. Të gjitha partitë morën nga Internacionalja komuniste që ekzistonte akoma (u shpërbë në 1943), detyra e tyre kryesore, ishte që të mbronin atdheun socialist, të luftonin nazizmin. Pra ishte tjetër situatë. Partia Komuniste, nuk u formua pas ’39-ës, grupet komuniste nuk u alarmuan aq shumë sa të formonin një parti, por kur u sulmua Bashkimi Sovjetik, atëherë u alarmuan dhe u bashkuan brenda pak muajsh dhe formuan Partinë Komuniste.

Si e shpjegoni këtë?

Komentet janë të tepërta për disa gjëra, flasin vetë faktet. Domethënë, ata komunistë në radhë të parë vinin atdheun socialist dhe në radhë të dytë, atdheun, që ishte atdheu i vërtetë.

Çfarë roli ka pasur PKSH-ja gjatë luftës, a pati kjo parti një bosht identik të sajin apo ishte vetëm një kopje e Partisë Komuniste Jugosllave?

Rezistenca antifashiste, nisi që në ditët e para të vitit 1939, por u meh, sepse nuk kishte një forcë drejtuese dhe organizuese. Pas themelimit të PKSH-së, ajo mori përsipër rolin që të organizonte këtë luftë dhe në rezolutën e themelimit të partisë, thuhet shprehimisht se, kjo luftë do ta ndihmojë partinë të lidhet me masat. Partia duhet të sigurojë me çdo kusht hegjemoninë e saj në këtë luftë. E në përfundim të kësaj lufte, konkluzioni logjik, ishte se, partia do të fitonte mundësinë të merrte pushtetin. Dhe a pati PKSH-ja një bosht identik të sajin…?

Fatkeqësia e popullit shqiptar ka qenë e dyfishtë. Jo vetëm u themelua kjo Parti Komuniste që, në të vërtetë në Shqipëri nuk kishte një bazë sociale, se Shqipëria nuk ishte një vend i industrializuar, nuk kishte proletariat, nuk kishte një të kaluar me sindikata, me lëvizje punëtore etj. Por, fatkeqësia ishte se, kjo Parti Komuniste, që në themelimin e saj, u lidh me Partinë Komuniste Jugosllave, veproi nën udhëheqjen e saj, duke kopjuar të gjitha format e organizimit dhe të politikës. Kjo Parti Komuniste Jugosllave, përfaqësohej në Shqipëri me anë të dy emisarëve të saj, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.

A keni pasur rastin që t’i njihni personalisht këta dy emisarë, Popoviçin dhe Mugoshën?

Mugoshën nuk e kam takuar asnjëherë. Miladin Popoviçin, për herë të parë e kam takuar në Helmës, ku u zhvillua Kongresi i Parë i Rinisë. Para se të fillonte Kongresi, unë kam shkuar atje si delegate e Tiranës, si kryetare e delegacionit të rinisë së Tiranës. Nga fusha e Lirzës, ku u bë Kongresi, kam zbritur në Helmës, ku kishte qendrën Shtabi i Përgjithshëm. Atje, për herë të parë kam parë Miladin Popoviçin. E kam pyetur Nakon: Kush është ky burri i gjatë? (Ishte më i gjatë nga Enver Hoxha). Ai m’u përgjigj: Miladin Popoviçi. Unë bërtita: Uaaaaa, pse e vërtetë qenka?!

Pse reaguat në këtë mënyrë, çfarë a ishte e vërtetë?

Sepse deri atëherë nuk besoja që pranë Partisë Komuniste, në udhëheqjen e saj, ishte Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Mendoja se këto, ishin propaganda të armiqve të Partisë Komuniste Shqiptare.

Pra, në Partinë Komuniste Shqiptare, ishin kundër këtyre emisarëve…?!

Nuk e dija që ishte një Miladin Popoviç që e thërritnin “Ali Gostivari”, ky ishte pseudonimi i tij. Ndërsa Dushan Mugoshën, e thërrisnin “Sala”…!

Çfarë përshtypjeje ju la Popoviçi?

Popoviçi as që bisedoi me mua. Unë me Popoviçin jam takuar në Bari të Italisë, në shtator 1944, ose në fund të gushtit, kur kisha shkuar për të operuar syrin. Ai ishte në Bari për një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, se e bënin në Itali, sepse në Jugosllavi, ishin akoma okupatorët dhe zhvillohej luftë. Miladini atëherë kishte ardhur nga Shqipëria dhe nuk do të kthehej më në Shqipëri. Atëherë kam biseduar disa herë me Miladinin.

Dhe… përshtypjet për të?

Isha shumë e re atëherë. Nga mënyra se si ai fliste për rininë shqiptare, kur më prezantoi me një përfaqësues të rinisë jugosllave; e pastaj për mënyrën si fliste, për luftën e të rejave dhe grave të Shqipërisë, kur më prezantoi me një delegacion të grave jugosllave, që do të vinin në Shqipëri për të asistuar në Kongresin e Parë të Bashkimit Antifashist të Grave të Shqipërisë, dilte se ai ishte shumë entuziast për luftën e rinisë, të grave, të popullit shqiptar. Unë formova mendimin se ky, me këtë rast do që të evidentojë, të lançojë edhe rolin e tij, që ja ç’kam mundur të bëj unë. Në fakt, Popoviçi ishte “de facto” kryetari i Partisë Komuniste Shqiptare.

Vërtet ishte “de facto”?

Po, ishte. Këtë e ka thënë dhe vetë Enver Hoxha, në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.

Keni qenë prezente kur e ka thënë këtë?

Jo, nuk kam qenë atje, por është proces-verbali: “Për mua Miladini ishte mësuesi. Unë isha nxënësi i tij. Ato që thoshte Miladini, për mua ishin të padiskutueshme”, ka thënë Enveri.

A bëri mirë Enveri që mori jugosllavët për të krijuar PKSH-në?

Nuk i mori Enveri jugosllavët. Enveri atëherë, ishte vetëm një simpatizant i grupit të Korçës. Nuk ishte as anëtar. Ndërsa këto tri grupet komuniste, ai i Korçës, i Shkodrës dhe Grupi i të Rinjve që, bazën më të madhe e kishte në Vlorë, kishin militantët e tyre. Por këta militantë, u eliminuan nga Enveri dhe Miladini. U eliminuan jo vetëm politikisht, por edhe fizikisht. Miladini preferoi Enverin, në radhë të parë sepse pa te Enveri, një njeri që nuk e kundërshtonte.

Një njeri që i bindej plotësisht. Dhe mendoj që nuk gaboi. Miladini ka llogaritur se Enveri do t’i bindej, se ishte Miladini që e ngriti dhe që do ta ngrinte, derisa e bëri edhe sekretar të Përgjithshëm të Partisë. Është një gjë interesante që ka shkruar Kristo Frashëri, i cili nuk e ka lexuar proces-verbalin e mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare.

 

Ky proces-verbal, u kap nga policia fashiste, në kontrollin që i bënë bazës, shtëpisë, ku ishte teknika e partisë dhe dokumentet e partisë. Që atëherë ky procesverbal nuk është gjendur. Besoj se është zhdukur me qëllim, sepse policia fashiste, këtë proces-verbal, diku do ta kishte. Arkivat e shtetit fashist dhe e policisë fashiste, ranë në duart e partizanëve, pasi u çlirua Shqipëria, por kurrkund nuk gjendet.

Pra, nuk ka proces-verbal origjinal?

Nuk ka, se nuk është gjendur. Kristo Frashëri, nga i ka nxjerrë materialet për këtë proces-verbal?! Nga dokumentet e policisë. Nga një raport i policisë fashiste, që shkruan për Partinë Komuniste. Pra në këtë dokument janë vënë pjesë të këtij proces-verbali. Këto pjesë ka shfrytëzuar Kristo Frashëri, duke nxjerrë konkluzionin se në mbledhjen e formimit të partisë, Enver Hoxha gjithmonë ka mbështetur Miladinin dhe Dushanin. Kurse komunistë të tjerë, si: Qemal Stafa dhe Koço Tashko, aq më tepër ata të “Grupit të të Rinjve”, kanë pasur dhe kundërshtime, kanë pasur edhe debate. Kështu që jo rastësisht, është konkluzioni i Kristo Frashërit, që Enver Hoxha, u zgjodh nga Miladini, e mbajti afër dhe e bëri edhe kryetar.

Me këto zhvillime, a mund të themi Enver Hoxha ishte një person në kohën e duhur e në vendin e duhur, apo kishte dhënë ndërkohë kontributet e tij…?

Mund të themi këtë gjë, që Miladin Popoviçi, diti ta zgjedhë Enver Hoxhën. Diti shumë ta zgjedhë. Të përshtatshëm për të. Sepse Enver Hoxha, iu bind Miladin Popoviçit dhe pastaj jugosllavëve, derisa u prish Stalini me Titon. Arriti deri atje puna që, Enver Hoxha i shkruan Titos: “Ne jemi dakord që Shqipëria të bashkohet me Jugosllavinë”, d.m.th., që Shqipëria të gëlltitej nga Jugosllavia. “Dhe kërkojmë nga juve të na thoni datën, se kur duhet ta bëjmë këtë gjë”. Për këtë është dokumenti në Arkivin e Shtetit.

Ndërkohë pretendohet e kundërta, që Enver Hoxha i ka marrë premtim Titos se, do t’i japë Kosovën…?

Janë ngjarje të ndryshme. Kur ka vajtur Enver Hoxha në Jugosllavi, e para vizitë që bëri, ka qenë vera e 1946-ës, në bisedimet që ka pasur “kokë më kokë” me Titon, i ka ngritur edhe çështjen e Kosovës. Mendoj se është shkruar, por nuk mbaj mend se ku dhe me ç’rast, që ambasadori i Shqipërisë, në Moskë, Koço Tashko, i kishte shkruar Enver Hoxhës, që: “shokët e këtushëm mendojnë se mund ta ngresh edhe çështjen e Kosovës”. Mirëpo çështja e Kosovës atëherë, ishte shumë e mprehtë dhe jo vetëm në Kosovë që nuk pranonin ata të ishin në Serbi, sepse italianët, e bashkuan Kosovën me Shqipërinë, për interesat e tyre…!

Enver Hoxha, kur është takuar me Titon (nuk e mbaj mend mirë e duhet parë dokumenti, nëse e hapi Tito apo Enveri çështjen e Kosovës), i ka thënë që: “Kosova banohet nga shumicë shqiptare dhe ata duan të bashkohen me Shqipërinë. Por këtë gjë nuk mund ta bëjmë, sepse do të na akuzojë borgjezia serbe se ju po e copëtoni shtetin jugosllav”. Kur ia tregon Enver Hoxha këtë gjë ambasadorit sovjetik në Tiranë, që e ka pyetur për bisedimet me Titon: “Po ju shoku Enver, si u përgjigjët”?

Enveri përgjigjet: Unë i thashë, “dakord, shoku Tito”. Ambasadori, këtë bisedë, ia ka shkruar udhëheqjes së tij. Rusët kanë botuar e po botojnë vëllime me dokumente arkivash dhe në një nga këto vëllime është edhe ky raport i Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Se dokument tjetër, për këto bisedime “kokë më kokë” të Enverit me Titon, nuk kemi.

Tani, besoj që jo vetëm unë, por çdo shqiptar do të mendonte: Po pse mo shoku Enver, i the “dakord”, por t’i thoshe: “Shoku Tito, juve ju akuzon borgjezia serbe, por mua më akuzon borgjezia e Kosovës dhe e Shqipërisë, më akuzon populli i Kosovës që ia kemi premtuar Vetëvendosjen gjatë luftës. Kjo është e drejta, që Kosova të ketë të drejtën e Vetëvendosjes sipas Kartës së Atlantikut”. Ndërsa Enveri i tha vetëm: “dakord, shoku Tito”…! Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 07/03/2023 07:31

    Pirth pirth o gazetar Enveri qoft i 99 tave Por asnje cop toke si fali kujt Asnje cop toke nuk dha me koncesion Tani jemi bere republik bananesh ku komandojn ambasadoret amerikan

    Përgjigju
    • Ben10: 07/03/2023 08:45

      Po O Roçke! Hajt t'i biem Amerikes tani... me Saliun dhe tufen e budallenjve qe i vene pas! Mos harro te marresh dhe Ropt e Shpise!!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë