TIRANE - Teksa është kapur në mesnatën e para katër ditëve nga agjentët e policisë së Tiranës si i dyshuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, 24-vjeçari Kristi Pine, ka pranuar të rrëfejë rreth aktivitet të tij, jo si i përfshirë në ngjarjet që kërkonte me insistim policia të zbardhte, por për disa ngjarje të vjetra, sigurisht të mbetura pa autor.

Përpara se të vihej në gadishmëri të hetuesve, i riu ka kërkuar mbrojtje nga shteti pasi bëhej fjalë për ngjarje të rënda kriminale që lidhen dhe me emra të njohur të botës së krimit dhe për pasojë ndihej i kërcënuar jo vetëm ai, por edhe familja e tij në Elbasan. Teksa gjithçka është siguruar nga ana e policisë, 24-vjeçari ka treguar se ai në bashkëpunim edhe me të dënuarin përjetë Admir Tafilaj, shokun e tij Alfred Qefalia dhe Aleksandër Gora kanë marrë pjesë në disa krime të rënda, si në qershor të 2014 ka vrarë me armë zjarri Ibrahim Manin, duke bashkëpunuar me Gorën dhe një person tjetër të quajtur Tarzan Prroni.