Rrëfimi i Limos dhe Adriana Dizdarit, 22 vite mes vështirësive dhe ëndrrave në Ksamil

Shumëkush​ mund ta mendojë artistin e njohur Limos Dizdari si një njeri që jeton pambarimisht midis harresë së notave muzikore, në një botë thuajse të ëndërrt, ku po lë gjurmë të pashlyeshme. Po hynë në vitin e 23-të që kompozitori i njohur Limos Dizdari së bashku me të shoqen e tij Adriana, po jetojnë në Ksamil.

Prej 23 vitesh ata tashmë kanë lënë kontributet e tyre ku ndër më të mëdhat janë ato në rindërtimin e qendrës së Artit “Dea” në jetën kulturore të Ksamilit. I mbështetur edhe nga bashkëshortja e tij e cila e ka ndjekur hap pas hapi,  me sakrifica ekonomike çifti Dizdari arritën të shndërrojnë tërësisht fytyrën e pallatit të kulturës në Ksamilit. Në një intervistë për Report Tv, çifti Dizdari rrëfehet për jetën, sakrificat dhe emocionet që kanë përjetuar prej gati 23 vitesh në Ksamil.

Sot kemi edicionin e 21-të të konkursit “Këngët e tokës”. Si ka qenë rrugëtimi në këto 21 vite i këtij konkursi?

Ka qenë një rrugë e gjatë. Ishte ashtu si rruga e Ksamilit, rruga e Ksamilit ka qenë shumë e gjatë. Që të vije nga Saranda deri në Ksamil duheshin gati 2 orë e ca, se ishte rruga shumë e keqe. Tani vihet për rreth 8-9 minuta. Ndryshim i madh. Unë e Adriana këtu kemi 23 vite, pothuajse. Kemi kaluar 22, por afron i 23-ti. Një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Konkursin po ta shikoni, kur ta shikoni në skenë që të fillojë, që fillon sot, në orën 18:00 fillon, do të shikoni një pllakat të madh që e kemi bërë para shumë viteve. Ajo mban datën 18, të vitit 2018. Tani jemi më 2021, pra edicioni i 20-të. Tani është edicioni i 21-të dhe jemi në vitin 2021. Jemi në një hall të madh. Gjatë rrugës kemi bërë shumë lëshime, shumë ndryshime dhe kjo për shkaqe tepër banale. Tepër banale. Më shumë ka një sfond ligësie, xhelozie dhe intrigash sesa probleme të organizimit. Kemi hequr, më pyesin gazetarët, si e kaloni këtu? Heqim keq, por jemi të lumtur. Këtë dua ta përsëris sot. Rrugëtimi siç thashë ka qenë i gjatë, vërtet i vështirë por ka qenë jashtëzakonisht i bukur. Ne kemi parë me sytë tanë, kemi bërë të tëra përpjekjet tona dhe kemi ndier sesi fëmija zgjatej mbi karrigen e pianos dhe rritej si trup, si fizik, rritej si autoritet si një destinacion artistik, rritej si vlerë shoqërore shumë e dobishme, rritej si një filiz i njomë që merr të gjithë. Fëmijë të vegjël, të rinjtë veç kur i shikon që janë bërë zonjusha dhe që konkurrojnë nëpër takime, në koncerte, në festivale, në konkurse gjithandej nëpër botë.

Jemi të lumtur, kemi jashtëzakonisht gëzime të mëdha, p.sh., iku nga këtej dhe shkoi në Tiranë, fitoi në Universitetin e Arteve. Ikën nga Ksamili dhe të shkosh të fitosh në konkursin e Universitetit të Arteve është një hap goxha i madh. Nuk na takon neve, neve na takon t’i entuziazmojmë. Sigurisht që ka qenë një punë dhe një përpjekje e madhe e Adrianës, pse jo, edhe e imja deri diku, por e asaj kryesisht, por ama ka një gjë që shkojnë atje dhe befasohen. Befasohen se thonë që vjen nga fshati. Dhe vërtet shkojnë nga fshati, kaq sakrifica të mëdha. prindërit bëjnë sakrifica të mëdha. ka fëmijë që kanë ikur prej këtej dhe kanë shkuar në Konservatorin Nacional të Lionit dhe kanë fituar dhe po përgatiten për t’u bërë pianistë shumë të mirë. Vijnë dhe ndihem i gëzuar që krahas veprave të Moxart, Bethoven, Bah, Shopen, List etj., etj., nuk përtojnë të luajnë veprat e Zadesë, Dizdarit, Zoraqit, Feim Ibrahimit etj., etj., me radhë. D.m.th. ajo me vete merr diçka nga vendi i vet dhe vjen e sjell diçka të madhe nga kultura perëndimore evropiane, atje ku duam të arrijmë.

Sa ka ndikuar qendra e artit “Dea” në jetën kulturore të Ksamilit?

Është e pamatshme, është e jashtëzakonshme. Që të jem i besueshëm për këtë, do të thotë që Ana, këtu është një vajzë, Ana Hasani, që babanë e ka me skrep, që gërric tokën, edhe gurët e mëdhenj i thyen me skrep. Ai e kishte dëshirën që vajza të mësonte për piano dhe një ditë na thotë: “Profesor, çfarë lidhje ka, çfarë marrëdhënie ka muzika me arkitekturën?”. Dhe unë i them: “Muzika është arkitekturë, por edhe arkitektura është muzikë” dhe i tregova si dhe pse, që janë me viza, me drejtëza, me emocione, me kënaqësi estetike, me vlera etj., etj. Dhe Adriana e pyet me thjeshtësi: “Po ç’ne kjo pyetje?”.

Tha: “Po mua më pëlqen pianoja, por do të kisha dëshirë të vazhdoja për arkitekturë”. Në atë kohë unë fillova të mendoj që ky është entuziazëm. Ne nuk duam që këta të gjithë të bëhen profesion, të gjithë të bëhen pianistë, violinistë, këngëtarë, valltarë etj., të bëhen të gjitha, por tëë bëhen qytetarë. Pra ajo do të bëhet arkitekte, t’i bjerë edhe muzikës, t’i vjerë edhe pianos, t’i bjerë edhe violinës. Edhe unë i thashë një shembull asaj. Ajnshtajni kur donte të pushonte, merrte sonatat e Moxartit dhe luante në violinë. Dhe kjo është ideja më e madhe. Gjithë bota futet në universitet dhe të gjithë mësojnë pianon, mësojnë flautin, mësojnë violinën, mësojnë kitarën, mësojnë saksofon, mësojnë bateri e të gjitha, d.m.th. kush futet, në qoftë se di një vegël, i kursen ca vështirësi vetvetes dhe merr disa pikë. Kjo është gjë jashtëzakonisbt e madhe. Ky është një ndikim që neve vërtet na entuziazmon maksimalisht.

Qendra e Artit “Dea” në Ksamil është ndër të vetmet qendra kulturore në Shqipëri, të paktat. Cilat janë synimet tuaja për ecurinë e mëtejshme?

S’e them dot kaq prerë dhe kategorike. Këtë duhet ta thotë Ministria e Kulturës që përgjithësisht është e heshtur. Është e heshtur, s’di ç’të flasë se ajo nuk ka informacion, sepse ajo rri vetëm në Tiranë. Nuk e di pse e bëjnë kështu. Po qendra të tjera ka. Kthehemi te konkursi “Këngët e tokës”. Sot erdhën disa nxënës nga Shkolla e Muzikës së Lezhës dhe u entuziazmova. Kanë ardhur edhe të tjerë para 2-3 vitesh, më përpara kur e bënim ne konkursin, erdhi edhe, vijnë ata, rrëmbejnë trofetë dhe ikin. Janë jashtëzakonisht të përgatitur. Fati i Qendrës së Artit “Dea” është një fat i jashtëzakonshëm, por dashuria është minimale midis dy njerëzve. Është e pamundur të bësh dashuri vetëm me veten, jo. Ai është narcizëm, të dashurosh veten. Kështu që unë do të kisha dëshirë që të bëja këtë, por do të doja që të kisha mbështetjen e bashkisë që deri më sot s’e kam. Më vjen keq, por jam i detyruar ta them, s’e kam. Ajo që kam sivjet, ky konkurs, unë po mundohem që të rris perimetrin e pjesëmarrjes, të rris gamën e njerëzve pjesëmarrës. Ne kemi për piano, violinë, violonçel, kanto, muzikë dhome, të gjitha këto e këto. Unë kam shtrirë dorën që të vijnë të gjithë. Kanë filluar të vijnë violinat që punon Genc Xuxi dhe më vjen mirë se fillon gara. Këtu është garë.

Ju thatë që nuk keni mbështetjen e pushtetit lokal, pra të Bashkisë së Sarandës. Në cilin aspekt?

Po, po ka shumë të meta. Kam përshtypjen që nuk është sot ajo, se sot e kam ditë festive unë nuk, po të filloj të kritikoj nuk ndaloj unë, por e kam ditë festive dhe në ditë festash e di si e kam? Unë jam si ish-myslimanët që kemi qenë dikur, edhe unë ashtu kam ngelur, ish-mysliman, por i mirë, i ndershëm dhe ditën e Bajramit nuk ashtu neve. Vetëm kur mbaron Bajrami fillojmë ne, kur mbaron periudha e agjërimit hanë pastaj, ulen e hanë. Edhe unë sot e kam ditë që të marr gëzime, mos të fillojmë të kritikojmë. Boll kam kritikuar. Rëndësi ka që ka një gjë shumë pozitive, ky vit, risia që ka kjo gjë, risi të mëdha. e para, unë kam kohë që kam filluar që kërkoj me insistim që të ingranohet këtu dhe ka hyrë shumë thellë përfaqësimi, marrëdhënie shumë të ngushta midis Qendrës së Artit “Dea” dhe klubit poetik jonian, i poetëve dhe me ta bëjmë aktivitete të përbashkëta dhe unë i ftoj ata të vijnë dhe vijnë ata. Dhe mua nuk më kushton gjë që t’u jap një kafe, t’u jap një gotë raki, t’u jap një gotë ujë.

Por ata ndihen si në shtëpinë e tyre dhe faktikisht në shtëpinë e tyre duhet të ndihen, kështu duhet të jetë. Ne vjet bëmë një koncert që të mblidhnim 5 lekë për tërmetin dhe na prenë dritat. Nuk na erdhi mirë, por nuk e lamë koncertin pa bërë, e bëmë me qirinj. Dhe kjo është gjë e madhe dhe asnjëri nuk e mori vesh që ne nuk kishim drita. E mori vesh ai kryesori që ndodhi kështu, pse s’ka drita. Unë atij i thashë me zë të ulët: “Na kanë prerë dritat” dhe ai u revoltua. “Lëri, - i thashë, - të mbarojmë këtu”, sepse jemi pas agjërimit tani, të mbarojë agjërimi do të ulemi të hamë. Sivjet thashë që do të fus në konkursin “Këngët e tokës”, kështu quhet, do të marrin pjesë të gjithë poetët dhe prozatorët e Sarandës, klubi poetik i poetëve të Jonit. Dhe ashtu bëmë vërtet dhe të gjithë kanë sjellë nga një poezi. Por u kam kërkuar që secili do të ngjitet në skenë dhe do ta recitojë. Sot në orën 6, nëse do të vini ju, do të shikoni që do të dalin ata. Janë djem dhe vajza edhe ata që shkruajnë poezi. Ata janë nga 14-15 vjeç dhe shkojnë deri në 70-80 vjeçarë. Kjo është më e rëndësishme, të dalin e të recitojnë. Po recitojnë shpirtin e tyre, recitojnë shqetësimet që kanë. Sjellin një gjë, ama ta dish që ata duhet të thonë gjëra të mençura, thonë gjëra të talentuara, por thonë gjëra të vërteta që janë mes njerëzve. Ata nuk gënjejnë sepse s’janë politikanë, janë poetë. Ata nuk mashtrojnë sepse s’dinë të mashtrojnë.

Ata nuk dinë të gënjejnë sepse janë të përkushtuar që të thonë vetëm të vërtet dhe i thonë bukur, se i thonë me shpirt. Kjo gjë ngjall entuziazëm. Risia tjetër, e dyta, është kjo, për herë të parë, se ne s’kemi asnjë mbështetje financiare, janë afruar njerëzit dhe kanë dëshirë që të japin. Unë çuditem nga lista e njerëzve që kanë dhënë. Çuditem jashtëzakonisht shumë. Këtë e di si e përkthej, i dashuri adashi im? E përkthej ndryshe. E përkthej sepse është një qëndrim shumë interesant i tyre. Mbajnë qëndrim ndaj kohës, mbajnë qëndrim ndaj institucioneve, mbajnë qëndrim. Ky është një qëndrim popullor i heshtur. Këtë dua unë. Ama, duhet të kuptohemi, shteti ka detyrat e tij sepse ky popull është i ndershëm dhe korrekt, paguan taksat në mënyrë sistematike dhe përderisa paguan taksat je i detyruar ta respektosh sepse fëmija i tyre të shkojë drejt interesave kulturore, interesave artistike, interesave të së bukurës, interesave ndaj vlerës. Ne e filluam si shaka këtë, se unë bashkë me Adrianën thamë që më mirë të merremi me një gjë, heqim keq, por s’prish punë, sesa të presim vdekjen dhe të keqen. Merremi me diçka. Dhe çuditërisht ne e filluam me shpresën se mbase do të na mblidhen rreth 15-20 veta. Jemi përpara 104-105 vetave. Është një bum i jashtëzakonshëm.

Si lindi ideja juaj për krijimin e Qendrës së Artit “Dea”në Ksamil?

Në fakt, nuk ishte ideja ime, ishte ideja e tim shoqi. Ai është një ëndërrimtar që kur fillon me ëndërrimet duhet të kesh pak frikë se i imagjinon gjërat nganjëherë që tjetrit i duken të parealizueshme. Kjo ishte një ëndërr e vjetër e tij, për të bërë një teatër të muzikës së dhomës dhe pas disa përpjekjeve në Tiranë, jo për teatrin e kukullave, jo për salla të tjera të cilat pas 1990-s kishin mbetur të lëna pas dore, nuk ia dolëm dot sepse ato u kthyen në vende ku bëheshin qofte, bëheshin panine. Nuk ia dolëm dot. Por kjo ëndërr e tij është edhe më përpara 1990-s. Atëherë sikur u vu diçka në vijë për Teatrin e Kukullave, që paradite të ishte Teatri i Kukullave dhe në darkë të bëhej teatri i muzikës së dhomës sepse muzika e dhomës ka një publik më të mbledhur, më të pakët dhe Teatri i Operas është shumë i madh. Por nuk u realizua, pavarësisht nga dëshira. Mirëpo ëndrrat janë të frikshme, të rrezikshme, të ndjekin në jetë. Kështu që Limozi, që është vendali këtej, e njihte mirë Ksamilin.

Kishte ardhur në kohën kur ishte i ri, kishin bërë koncerte këtu dhe vijmë njëherë pas 1997-s edhe ai u çudit, u befasua, u revoltua, u mërzit kur pa këtë qendër që ishte krejtësisht e shkatërruar dhe menjëherë ajo ëndrra e parë iu ringjall. Vjen e më thotë mua me një bindje dhe me këmbëngulje: “Adriana, do të kërkoj që ish-kinoteatrin e Ksamilit ta marrim, ta rikonstruktojmë dhe të vëmë në jetë atë ëndërr që kemi pasur me kohë. Unë që kisha ardhur, ishte dimër dhe isha lemerisur, ca nga pamja këtu se nuk ishte kështu siç është sot, 25 vite më parë, por ishte edhe aq larg, që të vije deri këtu duheshin 10 orë rrugë. Thashë ky im shoq sikur po më vë në pozita shumë të vështira. Por unë i kuptoj ëndrrat e tij. Unë në njëfarë mënyre jam edhe vetë artiste dhe e kuptoj që ëndrrat e artistit i kalojnë nganjëherë realitetet, por realizojnë. Dikush do të jetë ai i pari që do ta çajë këtë. Dhe pas shumë debatesh, pas shumë po-jo, vendosëm që ne të shesim shtëpinë në Tiranë, kishim një shtëpi shumë të mirë, shumë të madhe, 230 m2, në mes të Tiranës, të shesim shtëpinë dhe të investojmë në qendrën këtu dhe filloi puna.

Si ka qenë dita e parë?

Dita e parë kur kam zbritur këtu, ne zumë një dhomë në hotel “Joni”. Ftohtë, shkurt ishte, e mbaj mend si tani. Edhe atje ishte shumë ftohtë. Unë u ngrita natën, u ula kështu dhe fillova të qaj, se ç’është kjo situatë kështu, kaq e çuditshme. Limozi u ngrit dhe tha: “Çfarë ke Adriana?”. I thashë unë: “Limoz, nuk është gjë që bëhet kjo, ç’bëjmë këtu?”. Tha: “Mirë, nuk e bëjmë, nëse s’do nuk e bëjmë”. Të nesërmen në mëngjes tha: “Hajde shkojmë edhe një herë ta shikojmë”. Dhe në krye të rrugës më thoshte: “Shiko, ajo atje do të jetë kështu kur ta bëjmë. Ajo do të jetë ashtu, këtu do të bëjmë një kështu, këtu do të mbjellim pemë, këtu do të bëjmë buste, kështu e ashtu”. Dhe fillova ta shoh edhe unë me syrin e tij edhe thashë, po në fund të fundit ne jemi drejt pensionit, pse të mos merremi me një gjë që do të na mbajë gjallë edhe do të bëjmë diçka të bukur”. Edhe unë e kam pasion zanatin tim, e dua shumë dhe më duket zanat me shumë vlerë, pse mos ta bëjmë. Do të ngre edhe një klasë pianoje, thashë, këtu, me fëmijët të cilët nuk besoj se do t’u vijë ndonjëherë shansi që të kenë këto mundësi. Le t’ua jap unë. Ndoshta është motivi i jetës sime. Dhe kështu i thashë Limozit: “Mirë, do ta bëjmë”. Dhe kështu filloi.

Nisja si ka qenë? Si u mirëprit qendra?

Kur kemi zbritur ditën e parë, pra ditën e parë që erdhëm, me një kamion të madh sollëm këtë pianon që është këtu dhe unë e ndieja që banorët e Ksamilit që ishin pak dhe na ndiqnin me sy që ç’janë këta, ç’është kjo, ne të tërë duam të ikim dhe këta duan të vijnë? Në fillim na panë pak si me dyshim, ç’ne kjo këtu, si e qysh e tek. Mirëpo pasi mbaroi, me shumë peripeci u ndërtuan këto se edhe nuk ishim në atë zanatin tonë, nuk e dinim, megjithëse Limozi i kapi menjëherë situatat, por sidoqoftë prapë vështirë. Pasi u ndërtua, edicionin e parë të këtij konkursi që ne e fillojmë sot, ishte edicioni i 7-të. 7 edicione i kishim bërë në Tiranë. Kur u bë edicioni i parë këtu ishte vërtet si një festë. Erdhën nga Ksamili, nga Saranda, gazetarë, dashamirës, prindër të fëmijëve që s’kishin asnjë lidhje me ne, por vetëm që kishin marrë vesh se kanë ardhur filani e filani, që ka ardhur një mësuese pianoje etj., etj. U mbush salla dhe ishte vërtet një kënaqësi shumë e madhe për të dy ne. Unë pata një emocion të madh se e pashë që të gjitha mamatë kishin ardhur me fëmijët për dore dhe thashë, tani sikur të tërë këta fëmijë të duan unë nuk mund ta bëj dot sepse ky është mësim individual dhe ka një sasi të caktuar. Por ishte një gëzim vërtet i madh dhe vërtet, mbaroi koncerti dhe më kapin dy nëna. Njëra është këtu madje, e kemi mbajtur miqësinë. Kishin fëmijë të vegjël dhe thanë: “Ne duam t’i sjellim”. Njëra kishte vajzën, tjetra djalin. “Duam t’i sjellim të mësojnë. Mund të mësojnë fëmijët tanë”. Unë u thashë: “Po pse të mos mësojnë?”. Thanë: “Nuk e di se si na duket”. U thashë: “Do të mësojnë se s’bën”.

Ata tani janë rritur, kanë dalë në punë, mësuan gjithë ato vite, bënë piano, kanë luajtur edhe në këtë skenë, kanë marrë pjesë në konkurse. Edhe shumë të tjerë si këta. U është hapur një dritare tjetër që e shikojnë botën. Dritarja e artit është diçka krejtësisht e veçantë. Lum ai që e shikon, e ndien dhe mundohet që ta bëjë sa më të madhe këtë dritare, që hapësira e saj të jetë sa më e madhe. Nesër nuk është e thënë që të gjithë këta fëmijë do të bëhen pianistë, violinistë, valltarë a ku e di unë. Ai mund të jetë një doktor dhe mund të jetë një mjek i cili e bën edhe punën e tij si artist. Me gjithë vështirësië e mëdha që kemi, unë jam natyrë optimiste, nuk dua, nganjëherë them nuk dua t’i kujtoj fare, them se e kam të realizuar. Unë kam pasur shumë të mirë edhe kur kam punuar në Lice edhe vazhdova në Tiranë, po kështu kisha një klasë shumë të mirë. Por, kjo ideja që këtu s’kishte asgjë dhe në Ksamil janë blerë gjithë ato piano, në një fshat, se në fund të fundit fshat është. Edhe Saranda kur erdhëm ne, s’kishte piano fare.

Ne sollëm pianon e parë dhe tani numërohen 15 a 16 piano. Ky është një emancipim i shoqërisë. Njerëzit e kuptojnë tashmë që fëmijët e tyre duhet të ecin me hapin e botës, duhet të ecin me shokët e tyre që janë në kryeqytetet dhe në qytetet e mëdha të botës. Unë tani isha në Amerikë për punë shëndetësore dhe pata mundësinë që të ndjek disa nga këto shkollat. Ne kemi shkollën “Dea” në Nju Jork, “Dea” e Nju Jorkut, është filiale e kësaj, por ka marrë përmasa shumë të mëdha sepse mbështetet shumë. Kemi “Dean” në Londër, që e kanë vajzat tona. Edhe ajo mbështetet shumë. Ai komuniteti i asaj zonës ku është vajza, d.m.th. si ato minibashkitë, çdo vit e mbështet këtë shkollën e vajzës sepse duan që fëmijët të rriten në ambiente të kulturuara dhe të mos merren me drogë e me pisllëqe, se aty fillon edukata e fëmijës. Nuk mundet që një fëmijë që rrallë mund të ndodhë, që njeh Moxartin, Bethovenin, Shopenin, në fund të fundit Tonin Harapin, Çesk Zadenë, Limoz Dizdarin, Feim Ibrahimin e plot kompozitorë tanët, nuk mundet që ai të kalojë në pisllëqe. Jo, nuk mundet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë