Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit, Migjen Basha, i njohur për qetësinë në mesin e fushës, ka treguar për FSHF se priti tre vite për të marrë pasaportën shqiptare dhe për të luajtur me ekipin kuqezi.
Nga pritja e gjatë për të veshur fanellën kuqezi, te netët historike që çuan Kombëtaren drejt kualifikimit të parë në një Europian, Migjeni ndalet tek emocionet, sfidat dhe krenaria për të qenë pjesë e një brezi që shkroi faqe të arta në historinë e futbollit shqiptar.
"Më kujtohet shumë mirë momenti, sepse për ata që duhet të ishin pjesë e kombëtares, kanë pasur probleme me pasaportat shqiptare. Në atë kohë kisha pasaportën e Zvicrës. Aty procedura ime ishte shumë e gjatë dhe humba tre vite larg Kombëtares. E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biasi u afrua te Torino.
U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt. Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013.
E gjithë ajo kohë ka qenë pak stresuese sepse në asnjë moment se dija kur do të ishte vërtetë drita jeshile për mua. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare", tha ai.
Basha tregon se fitorja kundër Armenisë dhe kalimi në finalet e Euro 2016 janë të paharruara për të.
"Momenti kur ka përfunduar ndeshja në Armeni pasi ajo na dha kualifikimin në Europianin 2016. Ai ka qenë momenti më i mirë. Tre ditët përpara Armenisë kanë qenë shumë stresuese, sepse humbëm kundër Serbisë në Elbasan. Ishte më e vështirë, sepse ishte e rëndë për ne të humbnim edhe kundër Serbisë.
Momenti kur mbaroi ndeshja në Armeni ishte gëzim i madh për të gjithë, sepse ishte hera e parë. Në atë moment, askush nuk e priste që Shqipëria të ishte e dyta në grup pas Portugalisë, sepse ishim në një grup të vështirë. Ishte gëzim shumë i madh", tregoi ish-futbollisti.
Basha flet edhe për humbjen 0-2 kundër Serbisë në 'Elbasan Arena'.
"Më e vështirë sa i përket rezultatit është ndeshja kundër Serbisë, kur humbëm 0-2 në Elbasan, sepse ka qenë në momentet e fundit. Të gjithë kemi menduar se rezultati do jetë 0-0, pastaj pësuam një gol me kundërsulm dhe humbëm shpresat. Ai ka qenë momenti më i vështirë dhe dyfish e bën të vështirë se humbëm kundër Serbisë", tha mes të tjerash 39-vjeçari që tanimë vijon punën e ndihmëstrajnerit te Lausanne në Zvicër.
Sipas tij, De Biasi ka qenë trajneri më me ndikim në ekipin kombëtar.
Komente











