TIRANE - Droga, kjo ishte tema e diskutimit në programin “Urbanika” në A1Report. Tematika u prezantua nga një ish-përdorues i cili rrëfeu historinë e tij për të gjithë shikuesit e “Urbanika”.

Ish përdoruesi i heroinës rrëfen vuajtjet e tij prej 10 vjetësh si narkoman. Nuk e ka të lehtë të flasë për atë pjesë të jetës të cilën kërkon me ngulm që ta harrojë.

Për të gjithë, djaloshi rreth të 30-ve do të jetë shoku e miku i tyre, ai që është tani. Në intervistën e dhënë në “Urbanika” ai tregon se ka pasur shumë probleme me familjarët gjatë periudhës kur ishte një përdorues i rregullt i drogës.

Iu deshën 10 vjet rrjesht që të bindej të ndryshonte kursin e jetës së tij. Ai tashmë merr të gjithë ndihmën e nevojshme pranë Shoqatës Aksion Plus.

"Kam qenë i mërzitur dhe e nisa si kuriozitet, dëshirë për ta provuar. S' është asgjë e mirë. Eshtë pak vonë por arrita ta kuptoj se jeta duhet jetuar ndryshe"-  tregon ai.

Ndihma e mjekëve dhe terapia me metadon i ka ndyshuar jetën, marrëdhëniet me njerëzit dhe socializimin në shoqëri. 30 vjeçari nuk ngurron të japë disa këshilla për të gjithë të rinjtë:

 “Të mos afrohen kurrë pranë përdoruesve dhe atyre që kërkojnë t’i joshin për përdorimin e lëndëve narkotike”, më tepër se një këshillë kjo ishte një thirrje për të rinjtë.

Ish përdoruesi i drogës duke folur për gazetaren e Urbanika me logo
(Në foto ish-përdoruesi i drogës duke folur për gazetaren e emisionit Urbanika)


GODINA QE FREKUENTOJNE NARKOMANET, 50 M LARG QSUT

Ndërkohë emisioni “Urbanika” ka zbuluar një ambjent shumë të frekuentuar nga narkomanët në Tiranë. Ajo është një godinë tre katëshe që ndodhet në krah të rrugës së Dibrës, përballë QSUT.

Emisioni “Urbanika” vizitoi këtë ambjent dhe ai rezulton të jetë burimi më i madh i infeksioneve sepse në të ka gjithë andej shiringa të hedhura pas përdorimit nga narkomanët, prezervativë etj, madje është kthyer edhe në një banjë publike në tre katet e saj.

Ambjenti ndodhet vetëm 50 metra larg QSUT, përballë sallave të operacionit dhe vetëm kalimi i këmbësorëve pranë saj përhap një numër të madh sëmundjesh. Askush nuk ka vënë dorë në këtë ambjent as nga pronarët të cilët jetojnë jashtë shtetit dhe as nga shteti. E lënë në mëshirë të fatit kjo ndërtëse tre katëshe është bërë streha e narkomanëve, të pastrehëve dhe burimi më i madh i infeksioneve pranë qendrës spitalore.

Punonjësja sociale e Shoqatës Aksion Plus, Enkelejda Ngjelina shprehet në “Urbanika” se përdorimi i drogave duhet parë si një sëmundje kronike për të cilën ka një trajtim të veçantë dhe të gjithë të prekurit mund të paraqiten në institucionet përkatëse për të marrë ndihmën e duhur.

godina pranë QSUT që frekuentojnë narkomanët me logo

(Në foto godina pranë QSUT që frekuentojnë narkomanët)

AKSION PLUS 200 PERSONA TRAJTOHEN CDO DITE

Sipas Znj. Ngjelina në Shoqatën Aksion Plus marrin trajtim 200 persona çdo ditë të cilëve u shërbehet nga stafi mjekësor. Sipas saj nga rrethet, duke përfshirë Vlorën, Elbasanin, Korça, Shkodra etj., numërohen 750 persona që marrin trajtimin mjekësor nga kjo shoqatë dhe numri i përdoruesve ka ardhur duke u rritur.

 “Terapia psikologjike bën fjalë për sjelljen e personave narkomanë të cilët ndryshojnë në bazë të llojit të drogës që ai ka përdorur. Të ndryshojë, shoqërinë, zakonin e të ushqyerit, të bëjë sa më shumë sport, të bëjë jetë aktive. Ky ndryshim sjellje kërkon pak që ata të mësohen dhe të bëjnë një jetë normale. Pjesa më e madhe e përdoruesve e fillojnë në moshën 15-16 vjeçare dhe fillesat e tyre vijnë nga kurioziteti, nga mosha e pubertetit e cila sjell një lloj çrregullimi, presioni i grupit me të cilin shoqërohen me moton “Provoje edhe ti”, thotë punonjësja sociale.

Mjeku toksikolog i Shoqatës Aksion Plus, Andrin Tahiri i ftuar në studion e Urbanika shpjegon se trajtimi i përdoruesve të drogave të rënda me metadon i afron me jetën sociale, i bën që të largohen sa më shumë nga përdorimi i drogave. “Metadoni është një lloj droge, por ai i ndihmon shumë, i bën të largohen nga përdorimi i heroinës apo kokainës si dhe i ndihmon në reduktimin e sëmundjeve infektive dhe ai merret vetëm një e herë në ditë dhe ai zgjat 24 orë. Të gjithë ish-përdoruesit nëse u mungon metadoni si trajtim apo edhe droga që përdorin ata janë persona të dhunshëm”, shprehet mjeku Tahiri.

Bedri Bedri Hasani Shef i Patrullës së Përgjithshëme me Policinë e Tiranës thotë në “Urbanika”se për 3 muajin e parë janë 70 shpërndarës që janë kapur të cilët mund të jenë edhe përdorues. Berdi Hasani flet në “Urbanika” edhe për një nismë që Policia e Tiranës ka filluar me shkollat 9-vjeçare të Tiranës i cili është programi i edukimit, ndërgjegjësimit dhe reduktimit të kërkesës për drogë dhe subsatanca të tjera të rrezikshme në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Në këtë program 29 punonjësit e përfshirë në të realizojnë seminare në klasat e gjashta të shkollave pasi ata janë edhe kategoria më vunerabël për tu joshur në rrugën e përdorimit të lëndëve narkotike. “50 patrulla policie monitorojnë Tiranën në një turn dhe kjo është mëse e mjaftueshme për çdo lloj telefonate që denoncojnë qytetarët kudo që janë në Tiranë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të skeduar”, shprehet Hasani.

Gazetarja e Urbannika duke treguar një shiringë të përdorur nga narkomanët me logo
(Në foto gazetarja e emisionit Urbannika duke treguar një shiringë të përdorur nga narkomanët tek ndërtesa e braktisur)

Redaksia online
(ar.sh/b.m/shqiptarja.com)