Rrëfimi i violinistit për babanë dhe Kadarenë, Tedi Papavrami: Periudha më e bukur e jetës sime, në Shqipëri (VIDEO)

Sonatat e Bethovenit e rikthejnë Tedi Papavramin në vendin e tij.  E takojmë në sallën "Tonin Harapi", ku ndan me ne kujtimet e tij në Lice. Aty ku ai luante në violinë e herë pas herë bënte lojëra çapkëne për t’iu shmangur detyrave. Në po atë institucion ku para 35 vitesh ka skalitur figurën e rreptë të atit mësues, Robert Papavramit. Teksa viziton klasat, përshëndetet me liceistë e profesorë, kujton ndryshimet. Për të këto janë emocione të pashlyeshme! Rikthim në kohë! Por artisti zbulon për "Report Tv”se krahas Bethoveenit, po përgatiti një sërë surprizash të tjera. Për frankofonët "Kur sunduesit grinden" i Ismail Kadaresë në qershor do të jetë gati. E violinisti rrëfen impresionet e tij, si përkthyes e lexues i kolosit të letërsisë. Në datë 13 maj, Tedi Papavrami dhe François-Frédéric Guy do të mbyllin sezonin artistik të Festivalit “Different Trains” tek qendra kulturore në Katedralen Ortodokse, në orën 19.00.

Tedi, riktheheni sërish në Tiranë. Kësaj here për të luajtur me pianistin francez François-Frédéric Guy tre sonatat e Beethoven, të 2-tën, të, 7-ën dhe të 10-ën. Përse këto të treja?

Hezitova fillimisht, a ta mbarojmë ciklin me sonatën e dhjetë, ta lija për koncertin e ardhëm, apo ta mbaroja me “Kreutzer”. Por u konsultova edhe me pianistin, François-Frédéric Guy edhe vendosëm që ta lëmë me “Kreutzer”.
Sonata e dhjetë ka në qendër momentin, kur Beethoven shkëputet nga gjithçka edhe vendos të krijojë, si vjen kjo nëse bëjmë një paralelizëm edhe me jetën tuaj?

Është shumë filozofike, meditative, ku ka një lloj lumturie të brendshme, diçka të parezistueshme, që vjen edhe buron gjithë kohës. Kjo mund të duket jo reale për jetën. Por më duket sikur pas saj është fakti se Beethoven pas gjithë fatkeqësive që ka kaluar, me vuajtje të thella, ka kaluar në një etapë në krijimtarinë e tij, ku mbërrin në një lloj kompletacioni, meditimi të vazhdueshëm, që krijon vepra, që nuk mund të thuash se kanë kontradiktë, por janë mbinjerëzore. Kalon në një fazë më shpirtërore se kurrë ndonjëherë, edhe pse si të gjithë kompozitorët e tjerë, Beethoven gjithmonë ka një fond shumë të thellë, mund të thuash filozofikë. Aty kalon në diçka që është e vështirë të transmetohet, janë gjëra që duken shumë të thjeshta, por që duhet që të kenë ton ekspresiviteti shumë të veçantë. Mund të them se është sonata më e ndërlikuar për të interpretuar nga të dhjetat, por më e vështira edhe për t’u perceptuar.

Neve sot gjendemi në një sallë të veçantë për ju, në sallën koncertore “Tonin Harapi” të Liceut Artistik, ku ju keni kaluar pjesën më të rëndësishme të formimit tuaj. Si e kujtoni atë periudhë sot, pas 35 vitesh?

Po sigurisht, kam shumë shumë kujtime në lice. Liceu ka ndryshuar shumë, por po mundohesha që të gjeja dritaren, që ka qenë salla e mësimeve të babait tim, ku kam mësuar violinë. Ndërsa, Tonin Harapin e kam pasur kushëri, në martesë në një degë të familjes sime. Është një emocion edhe në të njëjtën kohë më bëhet shumë qejfi për ata që ushtohen këtu, sepse në këto kushte mund të bëjnë punën e duhur.

Kush ju ka sjellë për herë të parë në lice?

Në fakt, babai im ishte mësues në Lice. Në atë kohë ishte i kufizuar numri i fëmijëve që ishin nga Tirana në Lice, sepse duhet të vinin nga rrethet. Por, unë fitova një konkurs kur isha 5 vjeç, që më ndihmoi që të ndiqja mësimet në lice. Kujtoj se ka pasur fëmijë nga e gjithë Shqipëria.

Ndryshe nga fëmijët e tjerë, ju kishit babanë tuaj, violinistin Robert Papavrami edhe mësues, profesor. Si ka qenë për juve kjo periudhë?

Në fakt, në shkollë ishte diçka tjetër, sepse si të gjithë të tjerët babai ishte shumë i rreptë, krijonte shumë frikë. Krijonte gjithmonë një impresion rreptësie. Të gjithë kalonin dhe studionin nëpër korridore kur ai kalonte. Ndërsa, unë nuk e quaja baba, por profesor kur isha në Lice. Por, kjo e thjeshtonte pak marrëdhënien, sepse e ndieja veten jo si me një të huaj, por megjithatë ishte diçka tjetër, se nuk isha si në shtëpi, që e quaja babo.

Shpeshherë instrumentistët për shkak të punës, që duhet të bënin gjatë fëmijërisë thonë se: “Nuk kanë kaluar fëmijëri”. Por, si e kujtoni ju atë periudhë?

Nuk kam fare këtë përshtypje, them se kjo është subjektive. Nuk vjen nga rrethanat konkrete të jetës që ne kemi pasur, por vjen nga gjëra shumë më të brendshme. Mund të them se kam njohur rreptësinë, disiplinën, por nga brenda isha i lirë. Kjo vjen nga fakti, sepse vet nuk isha i disiplinuar, por më vinte nga jashtë. Isha i detyruar që të studioja, por mendjen e kisha se si mund që t’ju shpëtoja detyrimeve. Në fakt, periudha më e bukur e jetës sime është kjo e Shqipërisë, sepse kur kam shkuar në Francë kanë nisur detyrimet, ka pasur edhe ndjenja më të zymta.

Tedi, duke bërë një retrospektivë nga mosha 12-vjeçare që u larguat në Francë, edhe deri në momentet që në flasim, cilat janë ato momente që mund të veçoni përsa i përket krijimtarisë suaj artistike?

Ka qenë një punë e vazhdueshme, edhe në një presion shumë të fortë. Por, janë vite vërtet mbresash, sidomos vite pune, pune, pune për të ndërtuar një stil, një interpretim. Nuk kanë sharmin e fëmijërisë, por shpresoj që shprehin sharmin e fëmijërisë.

Aktualisht çfarë jeni duke përkthyer, kujtoj se do të nisnit librin e fundit të Kadaresë “Kur sunduesit grinden”...

Po, kam nisur përkthimin e librit të fundit të Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”. Nuk e di se kur do të dalë, në shtator apo në janar, por unë duhet që ta dorëzojë në qershor.

Si ka qenë “kapërcimi” si përkthyes nga një libër në një tjetër i Ismail Kadaresë?

Kisha pak kohë që nuk kisha përkthyer, por rigjeja idetë e tij edhe kjo ishte kënaqësia e parë. Jam futur në libër në detaje, në këto konkluzione të papritura, që në fakt duket të largëta, por që pasqyrojnë njëra-tjetrën. Në fakt nuk e kam arritur fundin, por mezi po pres që të përkthej faqet e fundit, për të parë konkluzionin e tij.

Kadare ka një gjuhë shumë të pasur letrare, a ju ka ndihmuar kjo apo ka qenë e vështirë për t’u përkthyer?

Ka momente të vështira, të cilave u kam dhënë një zgjidhje të parakohshme, por që do t’u rikthehem sërish. Si gjithmonë, në përkthim nganjëherë kur gjen diçka që autori ka dashur që të thotë, kjo të gëzon edhe të entuziazmon. Por ka edhe momente të tjera, si kur gjuha e parë të ofron disa rezonanca që nuk i gjen në frëngjisht.

Por, si lexues çfarë do të thoshit për Kadarenë-shkrimtar?

Ajo që më mbetet si lexues është gjithmonë gjetja e disa botëve metaforike, si “Kamarja e turpit” apo “Pallati i Ëndrrave”. Më kujtohet një detaje, tek “Kamarja e turpit”, ku thotë se: “Kamarja ishte vënë në një lartësi të panatyrshme, pak më lart se një njeri në këmbë, edhe pak më poshtë se një njeri mbi kalë. Aty ku viheshin kokat e prera”. Pyes vetën nëse e ka parë vet, e ka shpikur, është një fakt mbase konkret. Ka diçka që të lë pa zë, sepse krijon një lloj pasigurie nga ky saktësim i lartësisë së kamares, janë gjëra të tilla që mbeten. Janë këto detaje që përbëjnë thelbin e letërsisë, një shikim ndryshe, jo shikimi konvencional, që shkruhet  edhe që thuhet gjithandej.

Rikthehemi sërish tek Festivali Diferent Trains, kur do të riktheheni sërisht në Tiranë...

Tani programin e kemi të qartë, sepse kemi tre sonata 3-8 dhe 9. Pastaj do të shikojmë me violonçelistin Vlorent Xhafajn, se kur mund ta organizojmë. Për ne është një repertor, që e luajmë vazhdimisht. E më pas kam edhe koncerte të tjera, me pianistin François-Frédéric Guy etj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën