Restaurohet portreti i Ismail Kadaresë, pikturë e realizuar gjatë viteve 1958–1959 që tregon shkrimtarin në moshë të re. E ruajtur për shumë kohë, në gjendje thuajse të shkatërruar, veprës nuk i dihej autorësia, ndërsa procesi i restaurimit dhe i studimit nisi në janar të vitit 2025. Falë kërkimeve, në pjesën e pasme të telajos u zbulua një firmë e shkruar në rusisht me emrin Kilica. Kështu u konfirmua se autori i portretit është piktori i njohur shqiptar Vilson Kilica. Ajo vëren se portreti i është dhuruar Kadaresë nga piktori.
“U zbulua mbas veprës së artit kur ajo ishte e parestauruar dhe ku shkruhej Kilica në rusisht dhe këtu përmbyllet si të thuash datimi dhe gjetja e autorit, që janë shumë të rëndësishëm për një muze arti ose dhe për një muze, i cili konservon vepra arti siç është në këtë rast emri i Vilson Kilicës brenda këtij muzeu për Ismail Kadarenë.”, thotë studiuesja e artit Suzana Varvarica.
Sipas saj, vepra është realizuar në kohën kur Kilica studionte në Bashkimin Sovjetik.
“Këto studime kanë arritur në rezultatin që vepra është krijuar në kohën e studimeve të tre autorëve ose të tre artistëve shumë të mirë shqiptarë, siç është: Ksenofon Dilo, Kristaq Rama dhe Vilson Kilica, të cilët qëndronin së bashku në Tiranë, kur ktheheshin për pushime nga Bashkimi Sovjetik, pra nga periudha e shkollës dhe një nga kënaqësitë e tyre ka qenë të bashkëbisedonin ose të pikturonin. Dhe në këtë kohë zbulohet që ata kanë pasur mik dhe Ismail Kadarenë”.
Restaurimi u krye nga Olsi Laska, specialist i Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili arriti të rikthente gjendjen e dikurshme të veprës, duke ruajtur ngjyrat, strukturën dhe frymën origjinale të portretit. Kjo vepër tregon fillesat e hershme të stilit modern të Vilson Kilicës.
Krahas kësaj, kujdes po tregohet edhe për restaurimin e librave të rrallë dhe dorëshkrimeve nga biblioteka personale e shkrimtarit — mes tyre edhe një Bibël e vitit 1892 në frëngjisht dhe një tjetër, botim i vitit 1914, dhuratë Ismailit nga Helena Kadare në vitin 1963.
“U evidentua që ishte kjo Bibël e cila është një antikuar i 1892, në gjuhën frënge. Për fat, për shkak të cilësisë së jashtë zakonshme të libërlidhjes dhe të botimit ishte solide, por e dëmtuar në këto pjesët e para. U dërgua në laboratorin e ë bibliotekës kombëtare të Shqipërisë dhe aty u bë një ndërhyrje shumë e kujdesshme restauruese dhe ia kemi zgjatur pa diskutim shumë jetën. Ndërsa Bibla tjetër dhe bëhet fjalë për libra të ndaluar, ne e dimë që ato kanë qenë këtu gjatë regjimit komunist, ka një tjetër histori edhe më të rëndësishme nga pikëpamja e jetës së shkrimtarit.”, thotë drejtuesja e shtëpisë-studio “Kadare”, Anisa Ymeri.
Prej sot, portreti i restauruar i Ismail Kadaresë do të jetë i ekspozuar për publikun në Shtëpinë–Studio Kadare, i dokumentuar si një nga veprat më të rëndësishme të fondit të këtij muzeu.
Komente












