Aksioneri kryesor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë është marrë sërisht në pyetje nga anëtarët e grupit hetimor që po kryen verifikime lidhur me vrasjen e shtetasit Palestinez Anëar Rizik. Londinezi Charles Bouri për gati dy orë me rradhë ka dhënë shpjegime përpara dy oficerëve të policisë gjyqësore, duke pretenduar se mes tij dhe aksionerëve të tjerë nuk ka pasur asnjë konflikt, por dyshimet e vetme sipas tij janë mbi anëtarët e fisit Zalla të cilët i kanë këkrcënuar herë pas herë me jetë. Në dëshminë e tij aksioneri kryesor Charles Bouri ka këmbëngulur se në adresë të tij por edhe të puntorëve të tjerë të fabrikës së çimentos kanë mbëritur mesazhe dhe telefonata kërcënuese. Disa prej këtyre rasteve ai i ka mësuar nga miku i tij Xhorxh Jeha, të cilit në fakt i mbërinin sms kërcënuese me jetë nga anëtarët e fisit Zalla, por dhe banorë të zonës për rreth ku ndodhet fabrika e çimentos. Edhe pse dy oficerët kanë këmbëngulur lidhur me mundësinë për një luftë brenda llojit mes aksionerëve të fabrikës, biznesmeni Charles Bouri i ka qëndruar besnik dhënieve të tij se mes tij dhe aksionerëve të tjerë ska pasur asnjë konflikt apo plan mafioz për të bërë eleminimin e njëri-tjetrit. Bouri ka treguar se me palestinezin Anëar Rizik kishte gati 10-vjet që bashkëpunote dhe se atij i kishte besuar financat e fabrikës si dhe postin e zv/drejtorit.

KAFJA ME OFICERIN
Gazeta "Shqiptarja.com" zbulon se biznesmeni Charles Bouri para se të paraqitej në ambjentet e policisë së Tiranës ka konsumuar kafe me njërin nga oficerët e dosjes në një nga lokalet e kryeqytetit. Ata kanë qëndruar për gati 30 minuta dhe më pas janë larguar së bashku duke hyrë në ambjentet e policisë së Tiranës ku Charli ka dhënë shpjegimet e tij lidhur me vrasjen mafioze të financierit të fabrikës së çimentos Anëar Rizik. Ky i fundit u ekzekutua me një granatë artizanale në derën e banesës së tij, teksa ishte duke ikur për në punë. Autorët kishin lidhur me një tel siguresën e granatës artizanale dhe teksa Anëar Rizik hapi derën, është bërë aktivizimi i kapsollit duke sjellë shpërthimin e fuqishëm prej nga mbeti i vdekur në vend 43-vjeçari Rizik.

MESAZHI PARALAJMËRUES
Fredjan Zalla, nipi i shtetasit Bashkim Zalla në dy mesazhe kërcënuese dërguar Charles Bourit paralajmëron se vrasjen do fillojnë pas datës 30 prill. Në mesazhet me këtë përmbajtje ai thotë "…zoti carli, ke afat deri më datë 30 prill, është afati i fundit për ju, kjo hakmarrje për drejtesi,ti mos e zbato, mas datës 30 shikojmë…" si dhe mesazhi i dytë ka këtë përmbajtje "…ju keni kujdes se do paguani me kokë, shkëputeni nga fabrika marëdhieniet, hakmarrje për drejtësi loja filloj, deri më datë 30 do shikojmë...".

(aq/shqiptarja.com)