Ishte 11 qershor 1943.
Sipas Hana Klissurës i jati u nis nga Këlcyra paradite dhe qe ulur pranë shoferit. Kjo zgjedhje e vendosjes së tij dukshëm për këdo që kalonte në rrugë kishte të bënte me një problem që ai ato kohë kishte në njërin gju, të cilin duhej ta mbante sa më shumë të shtrirë. Ndërsa udhëtonin fare qetësisht një çast ai pa se rruga u mbyll prej disa pushkëve të kryqëzuara për ta detyruar autobusin të qëndronte. Sipas rrëfimit të Hanës bërë autorit të këtyre rradhëve, ndaluesit “Urdhërojnë të gjithë pasagjerët të zbresin edhe pyesin kush është prej tyre Ali beu! Babai thotë se “jam unë”. Atëherë e njoftojnë që kryetarët e tyre e kërkojnë me urgjencë për një takim, gjë që ngjante shpesh, sepse nuk kishte plasur akoma vëllavrasja, edhe babai ishte ai që kishte më prirje për të pasur këto përplasjet publike”.
Më pas Hana Klissura vijon variantin e saj të ngjarjes: “Babai u tha se ishte gati të shkonte ku donin, por duhej që t’i caktonin ditën edhe vendin, me që në moment ishte vetëm. Por ata insistonin se ishte urgjent. Atëherë shoferi që duket ishte njeri shumë i zgjuar, e kupton situatën dhe i thotë babait: “Me që qenka kaq urgjent, ne po të presim këtu”. Dhe priti me të vërtetë deri sa pa drejtimin që morën të armatosurit. Kur ata humbën në horizont, i hipi përsëri pasagjerët dhe në qytetin e parë i zbriti të gjithë ata. Pasagjerët treguan se Ali Këlcyrën e kishin kapur komunistet”.
Rrëfimi i Hana Klissurës më tej rrjedh me këto fjalë: “Shoferi vazhdon udhëtimin e tij siç e kishte të programuar, por pa marrë më pasagjerë edhe në çdo vend ku duhej të thoshte lajmin njoftonte çfarë kishte ngjaré. Kështu që në një kohë rekord për ato vite u muar vesh në të tërë jugun e Shqipërisë seç kishte ndodhur. Edhe juga u ngrit në këmbë. Atë ditë ishte ditë pazari në Këlcyrë dhe të tërë fshatarët e shkretë i lanë në vend gjënë që kishin prurë për të shitur edhe shkuan për ta shpëtuar”.
Sqaron Hana: “Unë këto gjëra pak i dinja nga babai, por kur ra monumenti i Enver Hoxhës edhe u hapën disa dosje, u ngjet edhe raporti që kishte bërë shoferi me vetëm firmën e tij me qenë se i kishte zbritur pasagjerët. Pati vënë edhe numrin e targës të autobusit si edhe emrin e tij. Kështu që pas shumë vjetësh u mund të vërtetohej ky event i papërsëritshëm dhe mbase suksesi i fundit personal i babait tim”.
Sipas Hana Klissurës, “Thonë se Mehmet Shehu nuk e kishte parashikuar këtë zhvillim të gjendjes dhe u trëmb pak për situatën e re edhe pas 18 ore babai u lirua pas tratativash ku kishte hyrë kryetari i bashkisë së Gjenokastrës, Rasim Babameto, duke burgosur 40 veta me rëndësi të radhëve partizane dhe deklaruar që do të dënoheshin me vdekje nëse baban nuk do ta dorëzonin të gjallë. Komunistët atëherë nuk kanë qenë akoma aq të fortë sa për ta vrare në Shqipëri, kështu që kishin planifikuar ta kalonin në Greqi, ku EAM-i ishte mjaft i fortë për ta vrarë”. Dhe ja pse “E vetmja çetë e Ballit e kryesuar prej Hysni Lepenicës zuri një vend që ishte parashikuar si një tunel për ta tej kaluar matanë kufirit”.
Hana është e bindur se “Shumica e popullit kërkonin ta rrethonin vendin ku gjindej pak a shumë, por pa përdorur armë se ishte frikë që atëherë ta vrisnin babain ata që e kishin akoma në dorë, duke thënë se u vra gabimisht nga një plumb i përdorur prej atyre që donin ta shpëtonin”.
Shumë vite më parë një të përditshmeje Hana Klissura mes të tjerash i ka deklaruar: “Gjëja e parë që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë luftës ishte kur e zunë babain komunistët për 48 orë”. Sipas saj, ata që i ndaluan dhe i zbritën “ishin dy djem të rinj të armatosur” dhe se pas këmbënguljes së tyre “babai, por dhe shoferi, e kuptoi se ata po e merrnin peng”. Po ashtu në gazetë Hana saktëson se pasagjerët shoferi “i çoi në Gjirokastër, i zbriti dhe pastaj shkoi lajmëroi në qytet se Aliun e kanë marrë komunistët. Hysni Lepenica u nis menjëherë dhe shkoi në kufirin shqiptaro-grek, përmes një gryke, pasi kishte frikë se komunistët, duke mos qenë shumë të fortë, mund ta nxirrnin atë jashtë kufijve dhe ta vrisnin, pasi atje s`e njihte njeri”.
Gjithnjë sipas saj “Lëshimi i tij u bë nga Qazim Babameto në Gjirokastër. Ata kishin zënë shumë krerë komunistë dhe i shkëmbyen. Bilé, njëherë mbaj mend që ka thënë zoti Babameto: “Më vjen mirë që shpëtoi për fëmijën e tij, por me vdekjen e tij do t’i kishte bërë më shumë nder Shqipërisë, pasi do vrisnim së paku shumë krerë komunistë.”
[gallery]19125[/gallery]
Enver Hoxha: E arrestuam ne.
Në librin e tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” Enver Hoxha ka këndin e tij politik dhe po aq ideologjik të rrëfimit të ngjarjes. Shkruan: “Ai bashkë me bashibozukët e vet u qëndronte përkrah trupave italiane né operacionet ndëshkimore kundër krahinave, ku luftonin çetat e batalionet tona, ai digjte e vriste, godiste pas shpine. Për të gjitha veprimet e tij ne ishim né dijeni dhe e kishim paralajmëruar, dikur edhe e arrestuam, po e lamé të lirë duke i thënë që të kishte mendjen, se herë tjetër nuk do të shpëtonte mirë”.
Po ashtu: “Një punë veçanërisht të ndyrë zhvilloi Ali Këlcyra për të sabotuar qëndresën popullore në Kurvelesh gjatë operacionit që fashistët italian zhvilluan aty në prill 1943, punë për të cilën këta i shprehnin mirënjohje. Komiteti i Partisë për qarkun e Gjirokastrës e pat paralajmëruar disa herë tradhtarin të hiqte dorë nga veprimtaria sabotuese, mirëpo ai vazhdonte të tijën, sepse zbatonte detyrimet që kishte marrë përpara Dalmacos. Partizanët, të cilën nuk mund të duronin dot një veprimtari të tillë në zonat që ata i kishin çliruar me aq therori, në fillim të qershorit e kapën Ali Këlcyrën në kohën kur ky po zhvillonte një fushatë për të ngritur popullsinë kundër çetave çlirimtare dhe kundër Partisë Komuniste. Për këtë ata donin t’ia jepnin gjyqit të popullit, që ta gjykonte e ta dënonte si bashkëpunëtor i fashizmit. “Balli Kombëtar” ngriti një zhurrmë të madhe rreth kapjes së njërit nga krerët më në zë të tij. Për të shmangur një luftë vëllavrasëse që Partia Komuniste nuk e donte, Komiteti Qarkor i Gjirokastrës udhëzoi të lirohej eksponenti ballist. Fashistët italianë lëvdoheshin se e çliruan ata nga duart e partizanëve”.
Dëshmitari i parë real
Dëshmuesi tjetër i ngjarjes quhet Avdyl Bizhga, i cili nga partizan i thjeshtë u bë komandant batalioni në Brigadën e Pestë Sulmuese, e cila vepronte në atë zonë. Në pasluftë u emërua deri edhe komandant i Gardës së Republikës. Tani nuk jeton më, por rrëfimin e vet e ka lënë në një libër të shkruar nga Resul Bedo dhe Besim Shyti.
Atje, në faqen 33, ndodhet kapitulli “Mbledhja e Rehovës”. Ai nis me fjalët “Mbledhja e Rehovës u bë fill pas operacionit që bënë fashistët në prill 1943. Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të popullit nga të gjitha fshatrat e krahinës së Kardhiqit dhe të Kurveleshit të sipërm, përfaqësues të Frontit Naconalçlirimtar dhe përfaqësues të Ballit Kombëtar”.
Më pas Avdyl Bizhga vijon: “Përfaqësues i Ballit ishte Ali be Këlcyra. Ai kish menduar se pas djegieve dhe vrasjeve të shumta që ishin bërë, krahina do të ishte gjunjëzuar. Ali beu dhe krerë të tjerë të Ballit menduan se kish ardhur koha ta shtrinin influencën e tyre në krahinë. Në këtë mbledhje parullat e tyre dhe kapadaillëku, u demaskuan dhe u rrëzuan nga mbledhja e Rehovës”. (Kapitulli mbyllet pas nëntë rreshtash të tjerë, pa përshkruar asnjë të dhënë konkrete për çfarë realisht ndodhi në atë mbledhje, cilat qenë fjalët që u thanë prej përfaqësuesve të dy palëve dhe qëndrimet që mbajtën pjesëmarrësit e shumtë nga populli, po ashtu nëse pati debat dhe si ngjau kjo etj., etj., ).
Tek kapitulli tjetër i librit, ai me titullin “Ngjarje e veçantë”, që në fillim shkruhet: “Pas operacionit të prillit 1943, kur italianët dogjën dhe shkatërruan, vranë dhe prenë në zonën e Kardhiqit dhe Kurveleshit, populli i acaruar i kish ngritur këngë Ali Beut që hiqej si patriot”.
Ja edhe vargjet e saj, siç i shkruan autori:
“Beu i Këlcyrës me nam
Që punon për Itali,
Gju më gju me gjeneralë
Garanton diktatori,
Ti e dogje Kurveleshin,
S’le kasolle e shtëpi”.
Bizhga thotë se krijimi i kësaj kënge fillesën e ka pas operacionit ndëshkues të prillit, pikërisht atij aksioni të italianëve, për parandalimin e të cilit Ali Këlcyra sipërmori bisedimet e papërfunduara kurrë me gjeneralin Renco Dalmaco.
Mendojmë kështu sepse sipas historianes Sonila Boçi qe vetë Ali Këlcyra, i cili ia ngriti perden e fshehtësisë kësaj përpjekjeje për marrëveshje dhe e pohoi publikisht në një mbledhje populli, ku paraqitnin programet e tyre politike PKSH dhe BK. Para njerëzve shumë të tronditur nga egërsia e operacionit ndëshkimor italian, ai e shpjegoi gjestin e vet të bisedimeve me komandën italiane si një mënyrë ekstreme për të shmangur dëmet e mëdha mes njerëzve të thjeshtë e të pambrojtur prej ushtrisë së armatosur deri në dhembë. Tha se kishte shpresuar shumë në rolin e tij për ta frenuar operacionin ushtarak italian, por këta të fundit ia patën refuzuar propozimet zbutëse.
Ky, vetëpohimi i Ali Këlcyrës për Protokollin, mund të ketë ndodhur në takimin ballafaques të Rehovës përderisa që prej këtij çasti nis të hartohet dhe të ekzekutohet plani i rrëmbimit të tij me qëllim dënimin me pushkatim si bashkëpunëtor i pushtuesve.
Në maj 1943, thotë historiania Boçi, partizanët e zonës së Mallakastrës dhe të Kurveleshit, që tashmë e kanë marrë vesh ngjarjen, nga ky veprim ndihen dukshëm të egërsuar. Drejtuesit e tyre lokalë po ashtu. Qarkulloi atë kohë edhe kjo këngë dëshmuese e gjendjes së irrituar të përkrahësve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare: “Aty te Ur’ e Kardhiqit,/Na u bë një vukuaf,/Tre-katër djem të rinisë,/Nga beu duan xhevap./O bej sonte të urdhërosh,/Si mik vetëm për një natë,/Na fal se s’kemi shampanjë,/S’kemi ballo dhe muzikë,/Kemi qumësht, djath’ e dhallë,/Bilbili ia këthen me grykë./Ne tradhtarë nuk jemi,/As të shiturë si ti,/Jemi vetëm shqipëtarë,/Beu dallaveraxhi”.
Pas marrjes vesh të lajmit se Ali Këlcyra qe takuar me Renco Dalmacon, çfarë, e ritheksojmë, tashmë ishte pohuar para qershorit 1943 nga ky vetë dhe jo se PKSH e pati siguruar të dhënën në mënyrë të pavarur nëpërmjet kanaleve të saj informues brenda zyrave të italianëve, strategjia e kësaj të fundit ishte hë për hë të mos kishte asnjë denoncim publik të paktit. Si lajm të brendshëm e paraqit këtë edhe Enver Hoxha në librin °Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, ku pohon se dokumentet e para provë për bisedimet e Ali Këlcyrës dhe Nuredin bej Vlorës me komandantin italian të trupave të pushtimit, Renco Dalmaco, u kishin rënë në dorë vetëm në fillim të shtatorit apo e shumta në ditët e fundit të muajit gusht.
Në rregullin e mbajtjes “rezervat” përfshiheshin jo vetëm botimet në gazetën “Zëri i Popullit”, por as vendosja nëpër trakte. Sonila Boçi dëshmon se madje kur një përpjekje e tillë për denoncimin masiv të Ali Këlcyrës u bë, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare traktin me atë temë nuk e la të shpërndahej.
Vijon Bizhga me hollësi
Sipas Abdyl Bizhgës dhe librit të tij të kujtimeve “Pas takimit në fshatin Rehovë, Ali be Këlcyra dhe suita e tij zbriti në qytetin e Gjirokastrës, në folenë e tyre të ngrohtë e të sigurtë. Kur beu vendosi të largohej nga Gjirokastra, me që, u druhej pritave, e braktisi veturën me të cilën lëvizte zakonisht dhe vendosi të udhëtojë si njeri i thjeshtë me autobus për të shkuar në Përmet, ku ndoshta e prisnin detyrat që kishte marrë nga miqtë e tij italianë”.
Më tej: “Në pranverën e vitit 1943, njësitet e çetës dhe ato të fshatrave të krahinës ushtronin kontroll në rrugët automobilistike për të kapur informatorët e fashizmit dhe të Ballit. Kështu që patrulla partizane e përbërë nga pesë partizanë të çetës “Çerçiz Topulli”, Demo Fejzo, Sevo Rrapi, Mitat Kondi, Hariz Shalari dhe Foto Anastasi një ditë ndaluan autobusin e linjës dy km larg Urës së Kardhiqit, e njohën beun, e kapën dhe e morën me vete. As ai nuk u bë për burrë, as xhandarët dhe karabinierët që e shoqëronin nuk u bënë të gjallë. E lanë beun në baltë.
Kurse partizanët e prunë në bazën e Cepos...”
Bizhga nuk e thotë datën kur ndodhi kjo ngjarje e bujshme.
Sipas rrjedhës së kujtimeve, por edhe të interpretimit jo pak të ideologjizuar të Abdyl Bizhgës, “Kapja e Ali beut ngjalli panik në pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Miqtë e beut dërguan nga Gjirokastra një batalion milicësh që thërrisnin “Duam beun ose na prisni!” Më vonë erdhi edhe një çetë ballistësh dhe së bashku me milicët sulmuan Cepon.
Në Cepo në ato kohë ndodhej vetëm një pjesë e çetës “Çerçiz Topulli” me në krye Karafil Bellon. Pak partizanë ishin, po ishte tërë krahina e gatshme. Me t’u dhënë sinjali i ngrit në këmbë i madh e i vogël, njësitet e fshatrave zunë shtigjet- Njësiti ynë Kaparjel-Golem udhëhiqej nga Demo Fejzua që e kish kapur Ali benë”.
Sipas Abdylit atë ditë Shefqet Peçi dhe krerë të tjerë partizanë të zonës “patën shkuar në disa fshatra të tjera me detyra të luftës”.
Vazhdon me tej rrëfimi: “Karafil Bellua më tha: “Dëgjo o Dule Bizhga! Këtu po bëhet lëmsh. Aty mbi shkëmb mbaje Ali beun se e shikon? Erdhën me rrëmbim milicët, erdhën dhe ballistët nga Teqe e Zallit e disa nga Këlcyra, e të gjithë thërrasin: “Duam beun”. Unë s’e liroj pa ardhur Shefqet Peçi. Lajmëro Shefqet Peçin! I thuaj çfarë të bëjmë? Xhani i vëllait vrapo! Erë të bëhesh!
Dhe unë ia mbatha me vrap. Erë unë, erë Shefqeti.
Te Ura erdhi dhe një batalion bersalierësh dhe u prit me pushkë. Ku u hapte shteg pepinove Karafili”.
Tregon Bizhga: “Shefqet Peçi do të takohej përsëdyti pas një jave me Ali be Këlcyrën. Takimi i tanishëm ishte krejt i befasishëm. Partizanët e kishin arrestuar Ali benë dhe e kishin sjellë në qendrën partizane të Cepos. Ky takim s’ishte i barabartë.
Avdyl-më tha Shefqeti-më sill një nga ata partizanët!
I çova dy.
-Shoku Shefqet-thanë ata tërë qejf, ne si s’gjetëm spiunë të tjerë në autobus, arrestuam Ali beun, ky është kryetari i tyre.
-Kundërshtoi?-pyeti Shefqeti.
-S’i lamë kohë shoku Shefqet, po ai veç thotë ca fjalë të huaja audiencë, kërkon që ta presësh në audiencë që ne s’e marrim vesh këtë fjalë.
-Avdyl-mu drejtua sërish Shefqeti-thuaji beut se do ta pres po jo tani se s’kam kohë!”
Sigurisht i gjendur përballë një ndodhie të tillë të papritur, çfarë vërteton se ai arrestim i Ali Këlcyrës, një personalitet shumë i njohur kombëtarisht, nuk ishte kryer me ndonjë urdhër luftarak apo sipas ndonjë direktive partie të ardhur nga udhëheqja e PKSH-së, por as prej ndonjë kuturisjeje të ndonjë drejtuesi lokal.
Në rrethana të tilla, kur një skuadër patrulluese e pati bërë fakt të kryer, me refuzimin e atyre çasteve për ta takuar të rrëmbyerin Shefqet Peçi nuk donte t’i bënte karshillëk Ali Këlcyrës, por të fitonte kohë duke komunikuar jo vetëm me shefin partiak të të gjithë territorit të Gjirokastrës dhe të krahinave të saj, Bedri Spahiun, por mundësisht edhe me Shtabin e Përgjithshëm dhe Enver Hoxhën.
Vijon më tej rrëfimi: “Shefqeti e priti Ali benë. Biseda me të u bë disi e ashpër.
Ali beu tha: Unë do të protestoj.
-Ju mund të protestoni Ali be, por ne kemi ligjet tona dhe do të veprojmë në bazë të tyre-u përgjigj qetë-qetë Shefqeti.
-Për cilat ligje?-pyeti Ali beu.
-Për ligjet partizane-i tha Shefqeti.
Kurse populli e partizanët i thoshin: Mirë, Ali be, ju e mbani veten për patriot, atëherë ç’duan bersalierët italianë që kërkojnë lirimin tuaj? Ata të quajnë ty “Nostro fratello”. Pse Ali be, vëlla i italianëve jeni ju?”
Më pas Abdyl Bizhga shkruan se punët u ndërlikuan shumë shpejt dhe duke parë që partizanët nuk po e lëshonin Ali Këlcyrën, milicët e bashkë me ta edhe trupa italiane nga divizioni “Peruxha” sulmuan bazën e Cepos. Përdorën madje edhe artileri. “Por Cepo qëndroi”.
“Kur erdhi urdhri për lirimin e beut, shkruan kujtimerrëfyesi, më thirri Shefqet Peçi dhe më tha:
-Dule Bizhga, dorëzoje Ali beun te Ura e Kardhiqit me shkrim. Me proces-verbal, më kupton?
-Si urdhëron-i thashë. E mora Ali benë dhe me disa shokë e zbrita te Ura e Kardhiqit ku prisnin autoritetet fashiste të vendit.
-Merreni-u thashë-po me firmë ama, merreni dhe më jepni firmën që e morët.
-Mirseardhe Ali bej-i tha kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, një kolaboracionist i fëlliqur.
-Më mirë të mos kisha ardhur-tha Ali beu-se më dolën të palarat në shesh.
Unë, si mora firmën që e dorëzova, u largova bashkë me shokët”.
(Vijon)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)