Aktivisti Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga autoritetet izraelite pas interceptimit të flotiljes “Global Sumud” në ujëra ndërkombëtare, ka rrëfyer në podcastin “Apostrof” me Bjorn Runën detaje nga trajtimi që, sipas tij, aktivistët përjetuan gjatë ndalimit dhe paraburgimit në Izrael.

Sipas Goxhajt, sjellja e forcave izraelite ka qenë e dhunshme që nga momenti i parë i kontaktit me aktivistët.

“Sjelljet kanë qenë brutale që nga fillimi. I vetmi vend ku nuk na kanë prekur me dorë ka qenë momenti kur na hoqën prangat në autobus dhe zbritëm për të hyrë në aeroport,” tha ai.

Goxhaj tregoi se gjatë gjithë transportimit dhe ndalimit, kontakti fizik me forcë ishte i vazhdueshëm.

“Në çdo rast tjetër minimumi ka qenë kapja nga qafa, ulja e kokës poshtë, transportimi me forcë, shtrëngimi i prangave. Ky është minimumi. Pastaj maksimumi arrin deri tek goditja me plumba gome,” u shpreh ai.

Por sipas aktivistit shqiptar, ajo që i bëri më shumë përshtypje nuk ishte vetëm sjellja e ushtarëve apo policëve, por edhe ftohtësia e personelit civil me të cilin ra në kontakt gjatë paraburgimit.

Duke kujtuar takimin me një mjek para hyrjes në burg, Goxhaj tha se nuk pati sjellje të ashpër apo fyese, por mungesa e empatisë ishte e dukshme.

“Ftohtësia ishte absolute. Ti e dije mirë që mjeku është në anën e armikut. Ai të kuron sepse i intereson atij, jo se i bëhet vonë për ty,” tha ai.

Sipas Goxhajt, e njëjta atmosferë ndihej edhe te institucionet e tjera me të cilat aktivistët u përballën.

“Ftohtësia e mjekut apo e prokurorit apo e gjykatësit më vonë. Disa ta vinin dhe në dukje që ne jemi në Izrael dhe ne bëjmë çfarë të duam,” tregoi ai.

Aktivisti tha se gjatë gjithë kohës kishte ndjesinë se askush prej atyre me të cilët përballej nuk kishte asnjë lloj keqardhjeje për atë që po ndodhte.

“Ti e kuptoje shumë mirë që ai nuk ishte miku yt, nuk të donte të mirën, as që i interesonte fare për ty dhe as që kishte ndonjë ndjenjë pishmanllëku që ti ishe dhunuar apo keqardhje. Kjo ishte shumë e qartë nga të gjithë,” tha Goxhaj.

Baki Goxhaj ishte pjesë e flotiljes ndërkombëtare që synonte të dërgonte ndihma humanitare në Gaza. Anija ku ndodhej u interceptua nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare, ndërsa aktivistët u ndaluan dhe më pas u deportuan./TemA