Rrënohet shtëpia e poetit të
madh At Gjergj Fishta, ja imazhetShtëpia e Zekajve në Lezhë/Foto

Rrënohet shtëpia e poetit të<br />madh At Gjergj Fishta, ja imazhetShtëpia e Zekajve në Lezhë/Foto
TIRANE - Në këtë shtëpi ka jetuar At Gjergj Fishta, një prej emrave më të vyer të letërsisë shqipe.  I lindur në tetor të vitit 1871, në atë oborr, e këto ambiente, të afërmit e thirrisnin në emër Zef, pasi në fëmijërinë e tij at Gjergj Fishta mbante këtë emër. Mandej kur vendosi të shungurohet e ti kushtohet fesë ai zgjodhi për veten emrin Gjergj.

Në këto ambiente poeti dhe kleriku i ardhshëm kaloi vitet e para, derisa Zefi i vogël do të shfaqte para famullitarit të fshatit një zgjuarsi të pashoqe. E prej atëherë rruga e tij do të merrte tjetër kthesë, në drejtim të shkollës, letërsisë dhe të fesë.  

 	Shtëpia e At Gjergj Fishtës me logo
(Foto: Shtëpia e Fishtës)

RRËNIMI I SHTËPISË

Kjo shtëpi është tani në prag rrënimi të plotë. Pa dyer e dritare, me fragmente muresh të rënë e të plasaritur, me çati të shkatërruar... Në fshatin e  vogël Fishtë në Zadrimë të Lezhës, na thonë se aty nuk mbërrin dora e shtetit, e “njimend, asht fat qi kulla e Fishtës rri ende n’kambë”.

18 mars 2013. Kulla dykatëshe ofron në pamjen e saj ballore një imazh  të mjerueshëm. Një derë e kalbur ku duken ende gjurmët e bojës së shpërlarë, një e gjelbër e vakët e shuar, në krah të saj pllakati që na njofton se pikërisht kjo është shtëpia ku lindi At Gjergj Fishta, poeti  që shkroi të famshmen “Lahutë të malcisë”.

Pak më përtej në dritaren me hekura është tendosur një flamur kuq e zi dhe ai i dalë boje. Ndërsa një e çarë e frikshme e murit, që ngjitet deri në katin e dytë të kullës jep alarmin sos. Mbase ky fragment muri rrëzohet brenda vitit. S’do të jetë asgjë më shumë, veçse një lajm i zakonshëm në rradhën e gjatë të lajmeve për shkatërrime në trashëgiminë tonë kulturore.

Pas tij do të bjerë një fragment tjetër  muri, e mandej një tjetër e një tjetër...Derisa asnjë gjurmë të mos mbetet edhe nga kjo shtëpi ku lindi një prej mendjeve më të ndritura shqiptare. Siç nuk ekziston më asnjë gjurmë nga shtëpia e dikurshme e Luigj Gurakuqit, krejtësisht e masakruar dhe tjetërsuar, edhe pse shumë debate janë zhvilluar rreth rrënimit të saj, e shumë projekte janë hartuar për ta kthyer në identitet. 
 
GËNJESHTRA  E ALDO BUMÇIT

Me fjalë e me projekte edhe kjo shtëpi e At Gjergj Fishtës është restauruar disa herë. Por projektet kanë mbetur gjithnjë sirtarëve. Gënjeshtra e fundit ishte projekti i 2011-ës. “Kemi gati një projekt për shpëtimin e shtëpisë së Gjergj Fishtës”. Madje u deklarua se do të realizohet brenda vitit.

Lajmin e dha drejtori i drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë Arbër Kadia, duke njoftuar se projekti për restaurimin e kësaj shtëpie është gati dhe do të kushtojë mbi njëzet e pesë mijë euro. Restaurimi i plotë i çatisë, dritareve dhe  i dyerve prej druri si edhe  ndërtimi i derës së oborrit me çati druri... Këto ishin parashikuar për tu realizuar në këtë projekt.

“Do të jenë ndërhyrje që do të konsolidojnë më së miri strukturën e godinës, por duhet thënë se nuk janë përfundimtare. Për asnjë monument kulture nuk ka ndërhyrje përfundimtare. Njëherë restaurohet çatia, herë tjetër parmakët apo kasat e dyerve”, citohet të ketë thënë Kadia para dy viteve.

Ndërsa deklaratën e parë publike për ndërhyrje në këtë monument e dha ish-ministri i kulturës Aldo Bumçi në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar mbajtur me rastin e 140 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Në atë deklaratë të tetorit 2011 Bumçi tha se “shtëpia e Atë Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës, do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare”.

Se sa të gënjeshtërta ishin këto iniciativa na e dëshmon vetë kjo foto e marsit 2013, ku shtëpia e at Gjergj Fishtës është më e rrënuar se dikur, pa dyer e dritare, me çati të kalbur e mure gati për tu shembur.

HISTORIA E EMRIT

Zefi që u bë Gjergj Fishta

Gjergj Fishta lindi në një familje fshatare në Fishtë të Lezhës më 22 tetor viti 1871, nga baba Ndok Simoni dhe nëna Prene Lazer Kaçi, të pa arsimuar, i ardhur nga një vend i prapambetur, për shkak të pushtimeve të egra osmane, ku shkollimi ishte një mollë e ndaluar, madje dhe i dënuar me ligj.

Para se të bëhej frat ai e kishte emnin Zef. Ishte trup madh dhe me një urtësi dhe zgjuarsi të veçantë. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.

Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 përfundoi studimet shkëlqyeshëm.

Ndërrimi i emrit të tij nga Zef në Gjergj përbën kuriozitet. Siç shpjegojnë studiues të tij, ka qenë zakon që kur një person bëhej frat, ndërronte emrin e tijd he zgjidhte vetë një emër tjetër të preferuar prej tij.

Kjo bëhej për të qenë i vetëdijshëm se fillonte një jetë e re, gjatë së cilës do ti përkushtohej qëllimit të përkushtimit. Kësisoj Zef Fishta vendosi ta quante veten Gjergj Fishta. Madje kur përmendet hsitoria e emrit të tij, nuk mudn të mos shtohet një shprehje e thënë prej vetë poetit me shaka: “Sikur të mos isha ba frat, unë do të isha nji alamet Zefit”.

RRËFIMI I NJË STËRNIPI
 
Nga rrëfimet e para pak viteve, një stërnip i Fishtës tha se nuk ka asnjë gjurmë nga shtëpia ku ka lindur Fishta. “Atje ku dikur ishte shtëpia e lindjes së tij, sot është një livadh që quhet Çarja e Gegë Pjetrit”. Sipas tij shtëpia  që  ekziston sot, është shtëpia ku poeti u rrit.

Deri disa vjet më parë aty kishte jetuar një pasardhës i familjes Fishta, i cili nuk jeton më. E vetmja dëshmi që tregon se aty ka jetuar Fishta është një pllakë ku shkruhet: ”Këtu ka banuar At’ Gjergj Fishta, 1871-1940”.


SHTEPIA FISHTES
(Foto: Shtëpia e Fishtës)

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve