Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka sqaruar se vetëm aktrimi dhe skenari për filma të realizuar nga njerëz do të konsiderohen për të fituar një Oscar.
Akademia, e cila kontrollon çmimin më prestigjioz të industrisë së filmit në SHBA, të premten publikoi rregulla të përditësuara për filmat dhe dokumentarët që mund të konkurrojnë për Oscar, diçka që vjen në kuadër të rritjes së Inteligjencës Artificiale.
Akademia specifikoi se vetëm aktrimi “i realizuar nga njerëzit” dhe skenari “me autorësi nga njerëzit” mund të nominohet për një çmim. Akademia i quajti këto kërkesa një ndryshim “thelbësor” të rregullave për çmimet Oscar.
Në muajt e fundit, ka pasur raste të shtuara të përdorimit të mjeteve dhe teknologjive me IA për të zëvendësuar ose rikrijuar funksionet e kryera nga njerëzit.
Aktori Val Kilmer, i cili vdiq në vitin 2025, pritet ‘të rikthehet’ falë IA për të luajtur një rol kryesor në një film të ardhshëm. Vitin e kaluar, aktorja dhe komediania me bazë në Londër, Eline van der Velden, tha se kishte krijuar një aktor plotësisht të rremë me IA për ta “shndërruar në një superyll global”.
Kur sindikata që përfaqëson skenaristët e Hollivudit hyri në grevë dy vite më parë, një nga çështjet kryesore ishte përdorimi i IA nga studiot e filmit dhe televizionit për shkrimin e skenarëve.
Ndërkohë, baza e të gjitha mjeteve të IA janë modelet e mëdha gjuhësore (LLM), të cilat janë trajnuar me tekste, imazhe dhe video të krijuara nga njerëzit gjatë dekadave për të prodhuar rezultatet e tyre.
Studiot e Hollivudit, aktorë dhe autorë kanë ngritur padi duke pretenduar shkelje të të drejtave të autorit ndaj një sërë kompanish të IA.
Megjithatë, akademia nuk vendosi një ndalim të përgjithshëm të përdorimit të IA në filma.
Jashtë aktrimit dhe shkrimit, nëse një regjisor përdor mjete IA në punën e tij, këto mjete “as nuk rrisin dhe as nuk cenojnë mundësinë për t’u nominuar”, shkroi akademia.
“Akademia dhe secila degë do të gjykojnë arritjen, duke marrë parasysh shkallën në të cilën një njeri ka qenë në qendër të autorësisë krijuese kur zgjedhin se cilin film të shpërblejnë”, shtoi grupi.
“Nëse lindin pyetje lidhur me përdorimin e përmendur të inteligjencës artificiale gjeneruese, Akademia rezervon të drejtën të kërkojë më shumë informacion mbi natyrën e përdorimit dhe autorësinë njerëzore.”
Teknologjia ka qenë pjesë e kinemasë për shumë vite, me përdorimin e imazheve të gjeneruara nga kompjuteri (CGI) që përdoret gjerësisht që nga vitet 1990.
Ndërsa CGI konsiderohet kryesisht një proces manual, i bërë dhe i përsosur nga njerëzit për të krijuar elemente të një filmi, mjetet e IA zakonisht janë të dizajnuara për të automatizuar plotësisht punën përmes përdorimit të komandave të thjeshta.
Komente











