Bashkia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me rrëshqitjen e dherave në fshatin Tudan. Përmes një mesazhi Bashkia shprehet se një nga shkaqet kryesore të kësaj situate janë reshjet e shiut që përfshinë vendin gjatë intervalit kohor nëntor-shkurt.

Nga ana tjetër theksohet se ekipet e punës kanë ndërhyrë disa herë për pastrimin e këtij aksi. Për shkak se kjo situatë është përsëritur vazhdimisht, Bashkia informon se ata kanë bërë një kërkesë për vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Nga studimi paraprak ekspertët rekomandojnë se gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë të punohet për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë dhe të bëhet pastrimi i rrugës shoqëruar me një mur mbrojtës në pjesën e sipërme (ndërhyrje e cila mund të bëhet vetëm në muajt e verës).

Pavarësisht kësaj Bashkia Elbasan thekson se fshati Tudan nuk është i bllokuar dhe aksesohet nga dy segmente të tjerë.

Mesazhi i Bashkisë së Elbasanit:

Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në lidhje me rrugën e fshatit Tudan e cila ka pësuar rrëshkitje të konsiderushme të dherave. Shirat që përfshinë të gjithë territorin në muajt Nëntor-Shkurt sollën problematika edhe në Bashkinë e Elbasanit.

Në fillim të muajit Janar Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile, pranë Bashkisë së Elbasanit u njoftuan për bllokimin e një prej rrugëve që lidh fshatin Tudan. Prej asaj kohe nga ekipet tona është ndërhyrë disa herë për pastrimin, ndërkohë që situata është përsëritur vazhdimisht.

Agjencia e Shërbimeve Publike tentoi të mbajë rrugën të hapur derisa situata u kthye në rrezik edhe për punonjësit duke u detyruar të largojmë makineritë për shkak të rrëshkitjes së vazhdueshme. Të ndodhur në të tilla kushte, Bashkia e Elbasanit  me shkresën e datës 16.01.2026, prot/190 ka kërkuar një vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar kryen veprimet e nevojshme në terren dhe në përgjigjen e tyre nr. prot.130/7 dt. 13.03.2026 theksojnë se nevojitet një studim i thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar terrenin.

Nga studimi paraprak ekspertët rekomandojnë se gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë të punohet për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë (detyrë e cila është kryer tashmë me vendosjen e tubave) dhe të bëhet pastrimi i rrugës shoqëruar me një mur mbrojtës në pjesën e sipërme (ndërhyrje e cila mund të bëhet vetëm në muajt e verës).

Bashkia Elbasan mirëkupton shqetësimin e banorëve të Tudanit për përdorimin e këtij aksi më të shkurtër për ta. Por nga ana tjetër sqaron se fshati Tudan nuk është i bllokuar dhe aksesohet nga dy segmente të tjerë.

Aksi që lidh fshatin Tudan me qendrën e Njësisë Administrative, pra me të gjitha shërbimet shëndetësore, komunale etj është plotësisht e aksesueshme. Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e banorëve për përdorimin e rrugëve të tjera, derisa kushtet atmosferike të lejojnë ndërhyrjet në këtë aks.

Edhe në të tilla kushte vendimin përfundimtar për stabilizimin e plotë të rrugës, do ta japë studimi i thelluar gjeologo-inxhinierik. Mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se siguria e përdoruesve të rrugës është e vetmja përparësi.