ITALI- Një stuhi goditi ishullin vullkanik Ischia, rreth 30 kilometra larg nga Napoli në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash si dhe dëme të shumta në njerëz e materiale. Zona më e prekur raportohet se është komuana Casamicciola.
Viktima e parë e konfirmuar, mbrëmjen e së shtunës, ishte një 31-vjeçare. Shtatë viktima u gjetën të dielën, duke përfshirë tre fëmijë, njëri prej tyre vetëm 22 ditësh. Ndërsa ditën e stome është gjetur dhe trupi i pa jetë i një burri. Aktualisht 4 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa 230 të tjerë janë zhvendosur në zona të tjera të Italisë.
Por, 20 persona janë ende të izoluar pa ujë dhe energji elektrike. Janë katër-pesë familje që, 36 orë pas përmbytjes së Casamicciola, nuk janë bërë ende të sigurta pavarësisht punës së shpëtimtarëve.
Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave u mblodh në mëngjes dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një vit, duke akorduar një kredi fillestare prej dy milionë euro dhe duke emëruar Simonetta Calcaterra si komisionere të jashtëzakonshme.
Një video prekëse është publikuar nga mediat italiane. Një qen ka mbetur i bllokuar në makinën e pronarëve të zhdukur, pas rrëshqitjes së dheut në Casamicciola, Ischia. Në video shihet sesi qeni leh nga makina e cila është bllokuar nga rrëshqitjet e dheut.