Ndërsa në botë raportohen çdo vit rreth 210 milion përdorues droge, ky fenomen është mëse i dukshëm edhe në vendin tonë.

Aktualisht numri i përdorues/abuzuesve në vendin tonë ka kapur shifrat rreth 50-60 mijë.

Kjo shifër u bë sot publike nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në ceremoninë e hapjes së takimit dyditor (3-4 nëntor 2014) Ndërkombëtar Multi-Përfitues të Punës së TAIEX-it (Technical Assistance and Information Exchange) për Teknikat e Parandalimi të Drogës dhe Ndërhyrjeve të Trajtimit me bazë Internetin.

Qëllimi i këtij takimi është diskutimi i praktikave më të mira dhe zhvillimet e reja në teknologjinë e Internetit për parandalimin dhe teknikat e trajtimit të problemeve të drogës në Shtetet Anëtare të BE-së me përfituesit e Programit IPA, për t'i sjellë këto të fundit më pranë në përputhje me politikën anti-drogë të BE-së. Beqaj tha se substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% (një pjesë e konsiderushme e të cilave administrohet intravenoz duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të trasmetueshme); rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj.

Ndërkaq, vëzhgimet dhe vlerësimet e fundit flasin për një rritje të preferencave për substanca sintetike, të ashtuquajtura të bareve, veçanërisht e stimulantëve të tipit të amfetaminës (ekstazi), etj. Përveç vullnetit të qartë të Qeverisë së koalicionit 'Aleanca për Shqipërinë Evropiane', për luftë pa kompromis kundër kultivimit e tregtimit të lëndëve narkotike, ministri theksoi domosdoshmërinë e një përgjigje adekuate sociale ndaj fenomenit të drogës.

Duke përgëzuar krijimi i shërbimeve të këshillimit lidhur me problemet e drogës dhe dhënien e metadonit në disa qytete të vendi si, Elbasan, Tirane, Durrës, Vlorë e Korçë sikurse edhe ofrimi i asistencës për HIV/AIDS, Beqaj e konsideroi si sfidë shtrirjen e këtyre shërbimeve në të gjithë territorin.

ATSH