Edhe këtë të diel protestat u shtrinë në disa qytete të tjera të vendit, përveç kryeqytetit.

Shkodër

Në Shkodër sot qytetarët iu bashkuan kauzës së protestave të nisura në Tiranë kundër projektit në Zvërnec. Të rritur e fëmijë mbajnë pankarta në duar me mbishkrime “Gjenerata Z, kafja nuk është për ty, zgjohu, zgërlaqe ketë sistem” apo “duam kushtetutë të re”. Me thirrjet “çohuni nga kafja”, kërkuan më shumë mbështetje në protestë.

Korçë e Pogradec

Në qarkun e Korçës protesta u zhvilluan në qytetet e Korçës dhe të Pogradecit. Qytetarët marshuan me thirrjet kundër klasës politike. Protestuesit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “oligarkët s’kanë limite”, apo “sot flamingot, nesër unë”.

Elbasan

Për të tretën herë radhazi protestuesit në Elbasan marshuan drejt bulevardit kryesor me pankartat në duar. Në qendër të qytetit u mblodhën dhjetëra qytetarë.

Fier

Në Fier ishte protesta e katërt radhazi. Protestuesit kanë renditur edhe problematikat e qarkut Fier, duke filluar nga mbyllja e uzinës së Ballshit për të përfunduar te bregdeti i Darëzezës që sipas tyre është në dorë të oligarkisë.

Gjirokastër

Disa dhjetëra qytetarë u mblodhën edhe në Gjirokastër, duke iu bashkuar protestave.


Lajmi kryesor:

‘Zvërneci’/ Qytetarët 2 orë në shesh, protestë kundër gjithë klasës politike! Sjellin gomone: Emigrimi s’është zgjidhje! Për herë të parë artikulohet krijimi i një partie