TIRANË- Prej tetë ditësh, qytetarët u mblodhën në protestë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec. Me thirrjet “Dorëheqje”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ata marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë ku për 2 orë parashtruan një sërë kërkesash, përtej çështjes së Zvërnecit. Mesazhet e tyre shkojnë kundër të gjithë klasës politike, duke kërkuar largimin e figurave që kanë dominuar për 35 vite skenën politike shqiptare.
“Të gjithë një interes kanë në fund të ditës, nuk kanë interes me na çu ne para. O Sali nga ‘90 u mundove, s’na ndihmove, a mund të ikësh? Rama 30 vjet, nuk e bërë dot, a e hap dot krahun të vijë një tjetër. kanë 30 vite të njëjtët emra, fytyra”, tha një protestues.
"Rama në burg, Berisha në burg. Janë të dy bashkë 35 vite", tha një tjetër.
Kauza për të mbrojtur natyrën dhe zonën e mbrojtur të Nartës ishte arsyeja që i revoltoi për të dalë në shesh, por protestuesit prej tetë ditësh tashmë po shpalosin një sërë ankesash, nga emigrimi te gjendja e arsimit, shëndetësisë, drejtësia dhe çështja e pronave. Një tjetër simbolikë e përdorur në protestë ishte një gomone e sjellë para Kryeministrisë me thirrjet emigracioni nuk është zgjidhje. Një simbolikë makabre duke pasur parasysh që prej 26 vitesh shqiptarët nuk largohen më me gomone nga atdheu.

Gomonia para kryeministrisë
Fjalimet për diasporën dalluan, me qytetarët që bëjnë thirrje emigrantëve t’i bashkohen protestës.
“Dorëheqje pa kushte për Sali Berishën dhe Edi Ramën që janë dy fajtorët kryesorë që rinia shqiptare ka marrë rrugët e botës. U bëj thirrje të dalin para popullit shqiptar, të kërkojnë falje dhe të japin llogari”, tha një emigrant nga SHBA.
“Mos e lëshoni Shqipërinë! Nuk është emigrimi zgjidhje, është skllavërim. I lumtur është njeriu në vendin e vet, në tokën e vet. Emigrantët duhet të kthehen këtu për të ndërtuar një Shqipëri të re”, tha një emigrante shkodrane.
"Rinia duhet me qenë drita jeshile për këtë vend, emigracionit i bëj thirrje të vijnë këtu", tha një tjetër.
Përtej 5 kërkesave që i kanë paraqitur qeverisë, për herë të parë, protestuesit artikuluan idenë për krijimin e një partie dhe qeveri teknike. Sipas disa burimeve nga protestuesit partia e re mund të quhet "Shqipëria e re".
“Duhet të krijojmë një parti! Të jemi mbi 3000 themelues! Të mbajmë një mbledhje themeluese! Të çojmë një kërkesë te Gjykata e Tiranës që brenda 30 ditëve të miratohet! Dorëheqje!”, tha protestuesja.
"Mos bini viktimë, politika na ka shkelur për 35 vite. Mos u dorëzoni, kush ka fëmijë jashtë dhe kush ka halle të vijë këtu. Derisa të ketë qeveri teknike”, tha një tjetër.
“Është koha të kthejmë fëmijët tanë nga emigracioni! Shqipëria u takon vetëm atyre! Fëmijët tanë duhet të kthehen në Shqipëri", tha një tjetër.
"Çfarë ka bërë shteti i Edi Ramës për mërgatën? Le të bëhemi ne këtu në shesh 8001 njerëz, 1 milion njerëz", u shpreh një prej protestuesve.
Më 10 qershor, ata kanë thirrur një tubim mbarëkombëtar në Tiranë, duke iu bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet që t’iu bashkohen. Edhe në këtë protestë dominuan të rinjtë, por dallojnë pjesëmarrësh të të gjitha moshave, sidomos familjarë të shoqëruar me fëmijët e tyre.
Ndonëse u bë thirrje për një parti politike protesta ende nuk e ka një grup organizator. Pas fjalimeve për gati dy orë, si në çdo protestë të këtyre ditëve një pjesë e qytetarëve marshuan në disa rrugë të kryeqytetit.
Protesta vijoi me marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët u mblodhën edhe në qytete të tjera, Shkodër, Korçë, Pogradec, Fier, Elbasan e Gjirokastër.
Marshimi i protestuesve është stacionuar tani në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku janë ulur duke vijuar të valëvitin flamujt e pankartat.

Pas një marshimi të gjatë, protestuesit janë rikthyer para kryeministrisë. Ata kanë shkuar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, te Katedralja, te 9-katëshet, rruga e Kavajës, në Bllok dhe më pas te kryeministria.
Pas 2 orësh fjalime para Kryeministrisë, protetsuesit kanë marshuar në rrugët e Bllokut, një zonë e frekuentuar nga të rinjtë. Me thirrjet “bashkohuni me ne” dhe “çohuni nga kafja”, protestuesit u bënë thirrje të rinjve që t’iu bashkohen në protestë.

Edhe këtë të diel protestat u shtrinë në disa qytete të tjera të vendit, përveç kryeqytetit.
Shkodër
Në Shkodër sot qytetarët iu bashkuan kauzës së protestave të nisura në Tiranë kundër projektit në Zvërnec. Të rritur e fëmijë mbajnë pankarta në duar me mbishkrime “Gjenerata Z, kafja nuk është për ty, zgjohu, zgërlaqe ketë sistem” apo “duam kushtetutë të re”. Me thirrjet “çohuni nga kafja”, kërkuan më shumë mbështetje në protestë.
Korçë e Pogradec
Në qarkun e Korçës protesta u zhvilluan në qytetet e Korçës dhe të Pogradecit. Qytetarët marshuan me thirrjet kundër klasës politike. Protestuesit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “oligarkët s’kanë limite”, apo “sot flamingot, nesër unë”.
Elbasan
Për të tretën herë radhazi protestuesit në Elbasan marshuan drejt bulevardit kryesor me pankartat në duar. Në qendër të qytetit u mblodhën dhjetëra qytetarë.
Fier
Në Fier ishte protesta e katërt radhazi. Protestuesit kanë renditur edhe problematikat e qarkut Fier, duke filluar nga mbyllja e uzinës së Ballshit për të përfunduar te bregdeti i Darëzezës që sipas tyre është në dorë të oligarkisë.
Gjirokastër
Disa dhjetëra qytetarë u mblodhën edhe në Gjirokastër, duke iu bashkuar protestave.
Një kënd i veçantë i është dedikuar fëmijëve në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë. Prindërit që kanë marrë me vete të vegjlit kanë krijuar një hapësirë ku ata mund të pikturojnë dhe të shprehin kreativitetin e tyre, ndërsa protestuesit vijojnë kundërshtimin ndaj ndërtimit në Zvërnec. Siç shihet nga pamjet, fëmijët janë angazhuar me bojëra, letra dhe vizatime të vendosura në asfalt, nën vëzhgimin e prindërve të tyre, duke i dhënë protestës një atmosferë ndryshe dhe më kreative.
Për të shprehur revoltën e tyre kundër investimit në Zvërnec, qytetarët kanë shprehur ironinë në pankartat e tyre duke përdorur momente që kanë pushtuar rrjetin herë pas here, por edhe shprehje të famshme. Të tjerë, kanë zgjedhur edhe slogane të shkurtra për të përçuar mesazhin e tyre.
Një protestues i cili tashmë i është bashkuar marshimit nga kryeministria te sheshi “Skënderbej”, pati një mesazh për ata që nuk kanë ardhur në tubim. Ai tha se duhet ta vrasin frikën dhe të bashkohen për liri.
“Kisha një mesazh për ata shqiptarë që nuk janë bashkuar sot me ne sot në protestë. Një mesazh për shokun tim që ka familjarin në punë në bashki. Një mesazh për studentët, mjekët, policët që i çojnë mish për top, për arsimtarët që punojnë në shkollat që boshatisen, punonjësit e administratës: bashkohuni me ne, vriteni frikën, bashkohuni për liri! Thirrja ime është për ata që nuk janë!”, tha protestuesi.
Pasi recitoi vargjet e Fan Nolit, një protestuese iu drejtua të pranishmëve para kryeministrisë duke thënë se vetëm rrëzimi i Ramës nuk mjafton dhe bëri thirrje për krijimin e një partie kundër qeverisë, propozim që artikulohet për herë të parë në protestë.
“Edi Rama kundër një force që të gjithë duhet ta votojmë! Duhet të krijojmë një parti! Të jemi mbi 3000 themelues! Të mbajmë një mbledhje themeluese! Të çojmë një kërkesë te Gjykata e Tiranës që brenda 30 ditëve të miratohet! Dorëheqje!”, tha protestuesja.
Një qytetar i pranishëm në protestë ka bërë thirrje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura duke nisur me Zvërnecin.
“Dje në Zvërnec, në Akërni gjeta trishtim! Atë zonë e gjeta të shkatërruar! Tuba, kanale, gjithçka gjeta, veç turizmin elitar nuk e gjeta! Zvërneci është kryengritja për mbrojtjen e zonave të mbrojtura! Duhet të ngrihemi për ta mbrojtur!”, tha protestuesi.
Një grua që u ngjit në podiumin e protestës për Zvërnecin e përqendroi thirrjen e saj te fëmijët me autizëm. Ajo tha se si nëna e një fëmije me spektrin e autizmit, shteti nuk siguron shërbimet dhe ndihmën e duhur për ta, ndërsa bëri thirrje për të mos u dorëzuar.
“Unë jam një prind me fëmijë me autizëm! Këtu sot jemi mbledhur shumë! Do ju lutesha, të na dëgjoni në këtë kauzën tonë! Zoti na e dha sfidë, por ne do ta kthejmë në mision! Shteti ynë na ka shkelur dhe vazhdon të na shkelë! Na jep 150 mijë lekë! Duam qendra, duam mjekësi, dentistë dhe shërbime minimale! Shkojmë në spitale dhe na refuzohen sa themi kemi fëmijë me autizëm! Ju lutem, mos i diskriminoni më! Gjendja është alarmante, mos të përmendim nënat e divorcuara me fëmijë me autizëm, jetimët! Mos i diskriminoni! Boll na mposhtët, boll na mashtruat! Mjaft më!”, tha protestuesja.
Një protestuese në tubimin para kryeministrisë iu përgjigj deklaratave të Ramës për “protestën për mushkonjat” dhe “prishjen e turizmit” duke thënë se nuk do të largohen pa hequr kryeministrin.
“Përgjigjen do e marrësh këtu: kush është i sëmurë këtu? Edi Rama! Protestojnë për mushkonjat, tha. Jo kryeministër! Ne protestojmë për 35 vjet mjerim! Tha se këta të rinj që janë mbledhur në shesh po na prishin turizmin, por po na njeh gjithë bota! Këta njerëz që janë mbledhur këtu, nuk do të ikin pa të larguar ty prej këtej! Kryeministri e ka mbushur parlamentin me analfabetë, njerëz që s’dinë të lexojnë numrat, por një deputet merr 4-fishin e rrogës së një mësuesi që punon me të ardhmen e kombit! Turp!”, tha protestuesja.
Një djalë i ri mori fjalën në podiumin e protestës duke thënë se ndryshe nga ajo që thotë kryeministri Rama, protestohet kundër investimeve shpopulluese e jo strategjike. Gjithashtu tha se duhet të ndërtohet shteti e jo pushteti dhe duhet të vijojë protesta.
“Protestoj sepse shikoj dritë në fund të tunelit, shpresoj se këtë vend mund ta bëjmë vetëm ne. Rama na tha ju s’i doni investimet strategjike, e gabuar! Rama na tha s’i doni turistët, e pavërtetë! Ne nuk duam investimet shpopulluese, që dëmtojnë natyrën! E dyta, qeveria shqiptare duhet të ndryshojë një koncept të gabuar, ne duhet të ndërtojmë shtetin dhe jo pushtetin! E treta, gjyshërit tanë kanë vuajtur komunizmin, tani është radha jonë! Mos u dorëzoni, mos u dorëhiqni, mos u sprasni!”, tha i riu.
Një fëmijë ka humbur mes protestuesve para kryeministrisë. Ai quhet Arjon, 10 vjeç, me bluzë e kapele të gjelbër, të stampuar me “Minecraft” dhe pantallona blu të errëta. Protestuesit bëjnë thirrje që kush ta gjejë ta dorëzojë pranë policisë ose podiumit.
“Ju lutem, shikoni pranë jush!”, tha njëri nga protestuesit, ndërsa më pas të gjithë u ulën për të kërkuar vogëlushin.
Fëmija u gjet pas pak minutave kërkim.
Një turiste nga Italia u ngjit në prodiumin para kryeministrisë duke i inkurajuar për të vijuar ndërsa u shpreh se nuk tremben nga protesta.
“Përshëndetje! Kemi ardhur nga Italia, jemi shumë të lumtur që jemi këtu me ju dhe si turistë mes shqiptarëve, s’jemi të frikësuar. Protesta juaj s’na frikëson, mendojmë se është shumë e rëndësishme të flasësh me zë për mbrojtjen e mjedisit dhe për transparencë nga qeveria! Faleminderit që na keni mirëpritur!”, tha turistja.
“Shqipëria nuk është në grabitje”, ishte thirrja e një analistit Fatos përpara kryeministrisë.
“Zhvillim për oligarkët” e quajti ai investimin në Zvërnec, të cilin e cilësoi si rastin që ka zbuluar funksionimin e qeverisë dhe grabitjes së vendit. Lubonja bëri thirrje për hetimin e investimit nga SPAK dhe për reagim nga ndërkombëtarët.
“Çfarë është ky zhvillim që këta na thonë se jemi kundër? Ky është ai zhvillimi i Shqipërisë me oligarkët, për oligarkët. Ky nuk është zhvillim, ky është një tumor që po rritet në trupin e Shqipërisë që duhet ta pastrojmë. Duhet energji e madhe derisa ta detyrojmë për dorëheqjen. Zvërneci ka treguar si punon sistemi i Ramës dhe pikërisht grabitja e Shqipërisë. I bëjmë thirrje SPAK-ut të na mbrojë nga ky projekt kriminal, të hapë proces dhe ta ndjekë me transparencë! Një thirrje tjetër e bëjmë për ata ndërkombëtarë që akoma nuk po flasin, nuk po mbajnë një qëndrim politik ndaj këtij regjimi që duhet të dënohet politikisht nga ata që mendojnë se Evropën dhe SHBA duhet t’i kemi në krah!”, tha ai.
Protestuesit kanë sjellë një gomone në tubimin për Zvërnecin para kryeministrisë, si një shenjë simbolike për emigrantët që janë larguar prej vitesh.
I mbuluar me flamurin kombëtar, një emigrant nga SHBA u bëri thirrje të rinjve në shesh të mos dorëzohen dhe të vijojnë të protestojnë kundër pushtetit. Ai kërkoi që Berisha e Rama të dorëhiqen pa kushte dhe t’i kërkojnë falje popullit.
“Jam këtu i ardhur nga Amerika, por nuk kam bërë mirë që kam ikur ajo dihet se lashë atdheun, por nuk kam ikur për të mos u kthyer më në Shqipëri. Kështu si puna ime janë të gjithë emigrantët nëpër botë dhe duke parë si po shkon Shqipëria, të gjithë do të kthehen për ta ndërtuar, për ta bërë një Shqipëri të re! Jam i moshuar krahasuar me gjithë rininë shqiptare që kanë 10 ditë që bëjnë këtë protestë qytetare, por në kohën time vetëm po të flisje vesh më vesh me dikë do të hyje në burg për 10 vjet, ndërsa sot jeni të lirë të protestoni kundër pushtetit diktatorial. Në ’91 ky pushtet s’u rrëzua, por u transferua. Rinia shqiptare të bashkohet sot këtu! Dorëheqje pa kushte për Sali Berishën dhe Edi Ramën që janë dy fajtorët kryesorë që rinia shqiptare ka marrë rrugët e botës kur kemi pasuri të pakrahasueshme! U bëj thirrje Berishës e Ramës të dalin para popullit shqiptar, të kërkojnë falje dhe të heqin dorë sa nuk është vonë, të japin llogari!”, tha protestuesi.
Një tjetër protestues i pranishëm para kryeministrisë bëri thirrje që të mblidhen gjithnjë e më shumë për t’i treguar Ramës sa shumë janë së bashku.
“Sa njerëz në spitalet tona humbin të drejtën e jetës? Gjyqet për ne vazhdojnë me vite, kurse për ata firmosen ligjet brenda ditës. Kushtetuta garanton të drejtën e pronës, por sa nga ju s’kanë letrat e pronës? Sa familje jetojnë vetëm nga paratë që dërgojnë emigrantët? Çfarë ka bërë shteti i Edi Ramës për mërgatën? Le të bëhemi ne këtu në shesh 8001 njerëz, 1 milion njerëz, ta shikojë me sytë e tij sa shumë jemi për një Shqipëri pa Edi Ramën!”, tha protestuesi.
Një shkodrane prej 34 vitesh në emigrim gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, u bëri thirrje të rinjve të mos e braktisin Shqipërinë. Sipas saj është koha për të ndërtuar një Shqipëri të re, dhe i bëri thirrje emigrantëve që të kthehen.
“Jam shkodrane, kam 34 vjet në emigrim! Na ka ardhur në majë të hundës! Mos e lëshoni Shqipërinë! Nuk është emigrimi zgjidhje, është skllavërim. Nuk është kush i lumtur në emigrim. I lumtur është në vendin e vet, në tokën e vet. Sali Berisha, Edi Rama duhet të shkojnë në burg. Ata e kanë çuar këtë vend kështu, ata e kanë bërë me ik me marr rrugët. Na kanë grabitur pronën, prandaj ju lutem, ju përgjërohem, rrini këtu, mos e lëshoni Shqipërinë, se boll kanë vjedhur. Emigrantët të vijnë në vendin e vet, guri i rëndë peshon në vendin e vet. Rama në burg, Berisha në burg. Janë të dy bashkë 35 vite. Rinia duhet me qenë drita jeshile për këtë vend, emigracionit i bëj thirrje të vijnë këtu. Jo për plazh, këtu, për të ndërtuar një Shqipëri të re, është e pamundur me jetuar kështu midis europës. Ne e duam Shqipërinë edhe më të mirë se Europën”, tha protestuesja.
Pogradeci ka dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Protetsuesit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “Oligarkët s’kanë limite”, apo “sot flamingot, nesër unë”.
Për të dytën ditë radhazi, qytetarët kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Protestuesit kanë parakaluar në pedonalen e qytetit dhe janë mbledhur para bashkisë, ndërsa me thirrjet “çohuni nga kafja”, kërkuan më shumë mbështetje në protestë.
Me ironi, qytetarët i janë përgjigjur pyetjes që ka mbizotëruar protestën e Zvërnecit: kush e organizon? Një protestues u ngjit në podium duke shpalosur ‘listën’, një renditje problematikash që ai renditi si pakënaqësi të forta ndaj qeverisë.
“Kam një njoftim shumë të rëndësishëm për emrat e grupit organizator, momenti i shumëpritur. I pari është një djalë 35-vjeçar që quhet Shpopullim. E dyta është një vajzë po ashtu 35-vjeçare, quhet Prona Private! E treta dhe më e rëndësishmja është shpirti i gjithë këtij organizimi këtu, quhet Rinia Shqiptare! Të katërtit janë Fëmijët tanë për të cilët kemi dalë të gjithë këtu në shesh dhe unë jam krenar! E pesta është një zonjë për nga mosha që ka lënë të paktën 160 mijë familje që presin me vite për një vendim drejtësie, Drejtësia është një nga arsyet dhe organizatoret e kësaj proteste! Shqiptarët s’mund të presin më me 10-15 vite për të marrë të drejtën e tyre! E gjashta, sot thonë mos shkofsh nëpër spitale sepse sistemi shëndetësor është një tmerr i vërtetë që mos vaftë as hasmi. I shtati, e ka lënë postulat Naim Frashëri, Arsimi! Duam arsim cilësor! E teta është Bujqësia, fermerët tanë duhet të jenë këtu, duhet tu ofrohen kushtet minimale për të prodhuar për fëmijët tanë. Të nëntët, Pensionistët! Ta bëjmë këtë luftë për gjyshërit e gjyshet tona! E fundit, minatorët, naftëtarët, ata që kanë dalë nga shtëpitë e tyre pa ditur nëse do të kthehen dhe sot janë në mëshirë të fatit!”, tha i riu duke shtuar:
“Mos harroni që për gjithë këtë grup organizator fajin e ka kjo qeveri!”

Protestuesit kanë nisur me fjalimet e para duke bërë thirrje për largimin e qeverisë Rama. Një protestuese tha se është momenti për të kthyer fëmijët nga emigracioni, ndërsa i drejtoi një mesazh kryeministrit duke u shprehur se diaspora s’do të vijë për pushime, por për protestë.
“Është koha të kthejmë fëmijët tanë nga emigracioni! Shqipëria u takon vetëm atyre! Fëmijët tanë duhet të kthehen në Shqipëri! Për të gjithë ata që thonë pse jemi mbledhur, të gjithë ne e kemi një hall. Boll është boll! Z. Kryeministër, kam një lajm për ty: diaspora këtë radhë nuk do të vijë për pushime, por do të vijë në protestë! Falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë ardhur nga larg, por edhe për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës që po bëjnë protesta. Boll është boll!”, tha ajo duke iu bashkuar thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg!”, tha ajo.
Komente









Popull dele pa shkoll , pa motiv , protest Telenovele , qesharak u ka dhen nga 50 Euro shperblim te dalin ne shesh. Shqiperia nuk ndalen ne rugetimin drejt bashkimit europian dhe per kete duhet te falenderoni Edi Ramen
PërgjigjuNë fakt, sapo mbaroi nga çdo rrugë e shesh..ora 23:29. Pra, 5 orë e gjysmë!!!
PërgjigjuBashkohuni te gjithe ju sharlatane dhe anti-shqiptare dhe protestoni krah per krah serbve,grekerve e iranianeve kunder zhvillimit te Shqiperise. Mos harroni te shkoni edhe tek SPAKU te protestoni per harresen ndaj masakrave shteterore te 21 Janarit dhe Gerdecit o patriota te leshit.
PërgjigjuDuhet me patjeter te krijojn nje Parti te re, ta quajn si te duan, Shqiperia e Re, me patjeter, dhe te gjithe anetaret mos te kene lidhje me PD-PS. Larg ketyre fundrrinave te pd dhe ps bashke !!
PërgjigjuQenkan perzhier me derrat e Saliut, si Lubonja me shoke ndaj edhe nuk do te merren seriozisht.
PërgjigjuPatronazhiste nuk i keni numeruar ditet mire. Po s'keni faj se dy ditet e para te protestes nuk i pasqyruat!!!
Përgjigju