Pushimet verore pranë detit bëhen edhe më të këndshme kur organizohen aktivitete që ofrojnë adrenalinë edhe emocion.

Ajo që do ju paraqesim është një “Fast and Furious” e organizuar nga disa sportistë të “Duro Albania” të cilët elektrizuan për herë të parë Himarën në këto ditë të nxehta korriku.

Plot 13 garues me motorra dhe makina ofruan spektakël te sytë kureshtar të pushuesve të rinj, të moshuar dhe fëmijë që po shohin këto ditë në këtë vend të mrekullueshëm. 

Zhurmës drithëruese të motorrave, iu bashkua edhe ajo e makinave. Një kompozim perfekt që tërhoqi vëmendjen e pushuesve në këtë qytet bregdetar, aty ku deti me shkëmbinjtë e thepisur lëvizi në një trajektore të mrekullueshme së bashku me motorrat dhe makinat e garuesve. 

Geri, një djalë energjik organizonte këtë event të pasionit dhe guximit. Kamera dhe mikrofoni i Report Tv, nuk mundi të mos bëhej njësh me këta sportiest.

“Është hera e dytë që bëjmë një aktivitet të këtyre përmasave. Vendosëm ta bëjmë në qytetin e Himarës, që të promovojmë turizmin, gjithë qyteteve tu japim mundësinë që ti shijojnë dhe shohin nga afër këto gjëra, pasi janë gjëra të veçanta që nuk mund ti shohësh kudo.

Një e veçantë e këtij organizimi, janë makinat që kanë hyrë për herë ta parë, pasi pistat që në përdorim ka mundësi garimi edhe makinat edhe për motorrat. Elementi i sigurisë është gjëja jonë më e rëndësishme, sepse pa element sigurie asgjë nuk shkon mirë.

Jemi shumë mirë deri tani, motorristat janë shumë të kënaqur dhe janë motorrista profesionist të federuar nga Federata e Motorrçiklizmit dhe kjo na e bën më të lehtë zhvillimin e aktivitetit në tërësi. Mbështetja e sponsorave është shumë e rëndësishme pasi kjo është një garë fizike, mekanike, por ka edhe energjinë brenda, duhet të jetë dhe një karburant i mirë.

Alpeti është një sponsor që na mbështet në të gjitha garat”
, u shpreh Geri për mikrofonin e Report Tv. 

Dy garuesit Denis Tufa dhe Erjus Kallaku u shprehën se kanë shumë që merren me gara. Për ta është një emocion shumë i veçantë për publikun, pasi të gjithë në Shqipëri i duan motorrat. Gjëja parë që u shkon në mëndje para se të hynë në garë është që ta fitojnë garën.

Të dinë ta menaxhojnë garën nga fillimi në fund dhe pastaj një fitorë, një podium do ishte kënaqësia e tyre.

Veshja e garuesve është një element i veçantë që të bie në sy. Veshja është e tëra lëkurë, me protektorë kallçuku dhe çizme të gjata. Një lloj kostumi shumë i fortë dhe mbrojtës. 

Simaptizantë të shumtë të cilët kishin ardhur pikërisht për këtë event ishin mbështetësit kryesor të garuesve. 

Një grup motorristësh të cilët kishin ardhur në mbështetje të motorristave në Himarë, ishin përfaqësuesit e grupit “Shqiponjat e rrugëve Shqipëri”, me moton shqip-shqip, një ndër grupet më të vjetra dhe më të parat në Shqipëri. 

Ky event ka mbi supe dhe shumë masa të marra si pasojë e rrezikshmërisë që ka ky sport, ndaj të pranishëm ishin edhe policë, mjekë dhe infermierë. 

Jeta e natës në bregdet s'njeh moshë
Argëtimi është një prej gjërave kryesore që njeriu kërkon ti ofrojë shpirtit të tij të lirë gjatë kohës së pushimeve.

Këtej nga Himara, përveç aktivitetit të pushimit dhe relaksit, bareve dhe restoranteve iu shtohet edhe jeta e natës. 

Aktiviteti i motorave dhe makinave garuese vijoi edhe gjatë orëve të vona të natës në një koncert muzikor. Muzika rrok e ofruar nga këngëtari Renis Gjoka mblodhi jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar dhe fëmijë.

Magjia e vërtetë qëndronte te kërcimet e fëmijëve. 

Himara vërtetoi edhe një herë që ndërthurjet e brezave kuptohen akoma më mirë e vallëzojnë së bashku kur sinkronizohen me argëtimin gjatë një pushimi të gatshëm afër bregut të detit.