Këshilli i Punëve të Jashtme të Këshillit të BE e diskutoi këtë të hënë procesin e zgjerimit në aspektin e sigurisë. Në nisje të tij Komisionerja u ndal tek siguria dhe sundimi i ligjit në mesazhin e saj teksa përmendin Ballkanin Perëndimor.
Solli rastin e Kosovës, sipas të cilës me ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara ka bërë një ndërhyrje teksa procesi për ish-krerët e UÇK-sw është në zhvillim e sipër, një lëvizje të cilën siç tha BE nuk e pranon dhe e cilësoi të papranueshme.
“Dëshiroj të jem e qartë se, në Kosovë, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një proces gjyqësor është në zhvillim e sipër bie ndesh me çdo standard të vendosur ndërkombëtarisht për sundimin e ligjit”, tha Kos.
Jo vetëm kaq, por sipas eurokomisioneres, ngushtimi i kompetencave të Dhomave të Specializuara ndikon edhe në aspiratën e Kosovës për tu bërë pjesë e BE.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë: zgjerimi i Bashkimit Evropian po ecën përpara. Ne po ecim përpara. Nëse vendet kandidate po bëjnë hapa prapa, atëherë ato nuk janë në rrugën e duhur dhe, në të vërtetë, nuk do të jenë në gjendje të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, vijoi Kos.
Parlamenti i Kosovës i miratoi ndryshimet në ligjin për dhomat e specializuara javën e kaluar në një seancë të jashtëzakonshme, sipas një nisme të propozuar nga PDK.
Kjo forcë politike, ka argumentuar se pas dënimit me 81 vite burg të 4 ish krerëve të UÇK nga Gjykata Speciale në Hagë, ndërhyrjet që iu bënë ligjit synojnë të kthejnë në shinë një proces që ka devijuar. Pas deklaratave të Marta Kos, nënkryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vlora Çitaku, nga radhët e PDK, tha se me BE do të diskutojnë ligjin i cili siç tha nuk synon të shmangë drejtësinë.
“Është normale që ndonjëherë me miq të kemi mospajtime, po besoj që do të kemi kohë të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe t’ua sqarojmë vullnetin politik të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kosova, me ligj dhe me vullnet, kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi, po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë”, tha Çitaku.







