Policia Kufitare ka gjobitur me 10 000 lekë drejtuesit e një Jet Ski që po bënte manovra të rrezikshme në Gjirin e Livadhit duke rrezikuar pushuesit.
Gjatë kontrollit, rezultoi se ai nuk zotëronte dokumentacionin e nevojshëm dhe veç gjobës, u bllokua edhe mjeti lundrues.
Njoftimi:
Kreu manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokuan mjetin lundrues Jet Ski.
Ndëshkohet me gjobë 10 000 lekë të rinj drejtuesi i një mjeti lundrues për shkelje të rregullave të lundrimit.
Në vijim të kontrolleve intensive për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë Kufitare u sinjalizuan nga qytetarë që po pushonin në Gjirin e Livadhit se një mjet lundrues Jet Ski po kryente manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare evidentuan në Gjirin e Livadhit mjetin lundrues Jet Ski, me drejtues shtetasin A. L., banues në Tiranë. Mjeti ishte raportuar nga pushuesit pranë Policisë Kufitare dhe pamjet e tij ishin publikuar edhe në rrjetin social JOQ.
Gjatë kontrollit rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm. Për këtë shkelje, ai u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit.
Komente











