Një familje me 8 anëtare u shpëtua falë ndërhyrjes në kohë të Policisë së Bulqizës dhe ndihmës profesionale të ekipit Dibra Rafting.

Ata mbetën të bllokuar në mes të Drinit te Zi, pranë Urës së Gjoricës, pasi niveli i ujit u rrit me shpejtësi si pasojë e shkarkimeve të ujit nga hidrocentralet në Maqedoninë e Veriut.

Familja kishte dalë për piknik dhe kishte hyrë në lumë për t'u freskuar, por mbeti e izoluar në mes të Drinit të Zi pasi niveli i ujit u rrit me shpejtësi. Mes të shpëtuarve ishin edhe katër fëmijë.

Besjan Zhuta ndërhyri me një gomone duke shpëtuar familjen, mes tyre 4 fëmije.

Në një lidhje live me emisionin ‘Studio Live’ në Report TV ai tregoi se si shkuan në vendngjarje me të marrë njoftimin dhe si shpëtuan familjen e bllokuar.

“Ne u njoftuam pasi kishim ngecur në një pjesë të lumit Drin që pëson rritje herë pas here. U njoftuam dhe me pajisjet tona që kemi për rafting, shkuam direkt në vendngjarje për ndihmë. Falë nesh, zjarrfikëses dhe policisë, ccdo gjë doli me sukses dhe shkoi shumë mirë pa asnjë lloj problemi” tha ai.

Sipas tij, raste të tilla ndodhin shpesh në këtë zonë, pasi niveli i Drinit të Zi mund të rritet papritur nga shkarkimet e ujit.

“Zakonisht njerëzit shkojnë lahen në lumë, rrjedha e lumit pëson rritje pa e kuptuar dhe ata ngecën në pjesën tjetër të lumit. Kjo zonë frekuentohet shumë. Nëse ka reshje shiu, duhet pasur kujdes sepse rrjedha e Drinit të Zi nga ora 4 pasdite rritet, ndaj në këto raste duhet bërë kujdes. E gjithë pjesa e lumit ka rrezikshmëri kur niveli i ujit është i lartë” tha ai

Ai shtoi se Drini i Zi është një zonë ku organizohen shpesh ture rafting me turistë, por theksoi se ky sport duhet zhvilluar vetëm me pajisje dhe masa të plota sigurie.