Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes Arbër Zaimi u shpreh në një lidhje me 'Skype' për emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' se Albin Kurtin e rrëzoi aleanca fluide e Presidentit Thaçi me Isa Mustafën, Kadri Veselin dhe Fatmir Limajn.

"Presidenti ka krijuar një aleancë fluide me forcat opozitare dhe aleatin kryesor që ishte në qeveri. Aleancën e Hashim Thaçit me Kadri Veselin, Isa Mustafën dhe Fatmir Limajn nuk e ka bërë Grenell. Një bashkim i fundit për të shpëtuar pasurinë e tyre. Mustafa ka prirjen ta mbrojë korrupsionin.

Për tarifën ka pasur presion nga SHBA dhe ne e kemi hequr. Duhet të kuptojmë se Grenell ka një mision të vetëm që e ka marrë nga administrata e SHBA dhe se cfarë ndodh këtu, këto nuk janë punët e Grenellit" tha ai.

Por çfarë do të ndodhë tani? "Mbështetja e Vetëvendosjes prej 6 Tetorit ka ndryshuar shumë, ne me besim të plotë do të shkonim në zgjedhje pas krizës. LDK po kthehet në një megafon të Presidentit Thaçi. Qeveria pa Vetëvendosjen? Nuk mund të bëhet, Kushtetuta nuk e lejon.

Ne kemi 2 precedentë të mocioneve, nuk ka pasur hapa për mandatim, por edhe nëse do të kishte, i mandatuari duhet të ishte nga partia që ka dalë e para në zgjedhje. Duhet të ketë zgjedhje të reja, cdo zgjidhje tjetër do ta çonim në Gjykatë Kushtetuese" tha ai.