Debati mes mazhorancës dhe opozitës u zhvendos nga Strasburgu në Kuvendin e Shqipërisë. Në Komisionin e Jashtëm për më shumë se 1 orë u diskutua mbi mos gjetjen e dakordësisë për miratimin e një deklarate të përbashkët në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim Asociimit.

Opozita akuzoi edhe një herë mazhorancën për rrëzimin e amendamenteve një ditë më parë, ndërsa socialistët thanë se demokratët po dëmtojnë integrimin

“Nga 35 amendamente, eurodeputetë kanë miratuar 31, ndërkohë nga mazhoranca janë rrëzuar. Ky është një sinjal alarmi për integrimin e Shqipërisë. Ato amendamente janë të reflektuara në rezolutë e PE dhe raportin IBAR. Keni dëshmuar jeni ju pengesa në integrimin europian”, tha Albana Vokshi.

“Kanë qenë jo më tepër se 6-7 amendamente të miratuara nga PS”, tha Edmond Haxhinasto.

“Kemi miratuar 15 amendamente të PD, nuk ka si të vendosim aty referenca që flasin kundër progresit të Shqipërisë dhe referenca që nuk i përshtaten frymës së bashkëpunimit që kemi patur deri më tani”, tha Erion Malaj.

Në qendër të debateve u kthye edhe koncerti i këngëtarit të njohur Kanye West dhe financimin nga qeveria me 4.2 mln euro, akt normativ të cilin opozita e cilëson shpërdorim të parasë publike dhe paralajmëron se do të votojë kundër në parlament.

“Futja e duarve tek rezervat, 4.2 mln euro për një koncert privat, ndërkohë që nuk ka para për zjarrfikësit, pensionistët, onkologjikun. sepse ne sigurisht nuk do ta votojmë këtë akt normativ”, tha Vokshi.

“Është keqpërdorim i parave publike për propagandë meskine politike partiake. sjellin këtu një njëri që është bojkotuar nga shumica e vendeve të BE-së”, tha Tritan Shehu.

“I japim pamjen Shqipërisë jo të një vendi autokratik, por të një sulltanati dhe jep 4 mln euro për një aktivitet të ska lidhje fare me buxhetin e shtetit. Aq më tepër për një këngëtar që njihet për koncepte naziste, antisemite… dhe është bllokuar në shumicën e vendeve europiane. Në Europë nuk pranohen sulltanatet.”

“Është një ngjarje e madhe për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Janë rreth 30 mijë të tuaj nga 80 vende të ndryshme të botës. Dhe shumë mirë të vijnë ta përjetojnë në Tiranë siç është vërtetë dhe jo ashtu siç ka dalë nga lajmet dashakeqe të revolucionarëve patetik në bulevard”, tha Sara Mile.

Në fund Komisioni për Punët e Jashtme kaloi me votat e mazhorancës 4 projektligje të lidhura me legjislacionin e Unionit për bizneset evropiane.