Një helikopter i Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës u rrëzua të mërkurën në zonën e liqenit Jabllanica, në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Hercegovinë-Neretva.

“Në helikopter ishin katër anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve fillestare, tre prej tyre nuk janë lënduar, ndërsa njëri ka kërkuar ndihmë mjekësore”, tha zëdhënësi Ludevit Mariç.

Sipas tij, shkaku i aksidentit nuk dihet ende, ndërsa hetimet në lidhje me të, do të rezultojnë me më shumë detaje.

Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës kanë në dispozicion më shumë se 40 helikopterë.

Midis tyre janë 35 helikopterë Mi-8, që janë prodhuar më shumë se 40 vjet më parë në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik. Më herët është paralajmëruar se ata do të hiqen nga përdorimi, për shkak të vjetërisë dhe pamundësisë për t’i mirëmbajtur.