TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e 3 të akuzuarve të së ashtuquajturës “Banda e Tritolit”, të cilët kishin këkruar gjykim të shkurtuar. Në seancën e ditës së sotme të zhvilluar me dyer të mbyllura ndaj 7 të pandehurve, gjykatësja Flora Hajredinaj ka rrëzuar kërkesat për gjykim të shkurtuar ndaj, Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Andon Mëhillaj me argumentimin se, nëse do ta pranohej ky gjykim, atëherë dosja do të veçohej nga të akuzuarit e tjerë dhe në këtë mënyrë provat do të ishin të cunguara. 

Sipas trupit gjykues, ka prova që tre anëtarët të cilët kërkojnë gjykim të shkurtuar, kanë bashkëpunuar në shumë krime me anëtarët e tjerë të bandës si, “vrasje me paramendim”, “krijimi i grupit të strukturuar kriminal” dhe “vepra me qëllime terroriste”. 

Në seancën e datës 4 dhjetor, tre të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, duke nënkuptuar përfitimin ulje të menjëhershme të 1/3-s së dënimit në fund të procesit gjyqësor.

Tre seanca gjyqësore janë zhvilluar deri tani ndaj, “Bandës së Tritolit”, ku të pandehur janë vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe 6 të tjerë si, Andon Mëhillaj, Marjon Mitro, Ndriçim, Gjokona, Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Genis Mëhillaj, ku ky i fundit është ende në kërkim nga drejtësia. Deri tani ndaj 7 të pandehurve rëndojnë rreth 38 akuza për vepra të rënda penale.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)