Rrëzohet kërkesa për komision mbi
drogën,Halimi:S'duan transparencë

Rrëzohet kërkesa për komision mbi<br />drogën,Halimi:S'duan transparencë
Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka refuzuar kërkesën e radhës së PD për Komision Hetimor për trafikun e drogës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Eduard Halimit i cili e ka argumentuar rrëzimin e hetimit pasi mazhoranca nuk do transparencë për drogën.
 
“Kërkesa u rrëzua nga mazhoranca, duke refuzuar që të hetohet mbi këtë fenomen që ka mbërthyer vendin dhe është duke u kthyer në një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Halimi.

“Ne kërkuam që të mos i mohohet qytetarëve e drejta e transparencës ndaj fenomenit të narkotrafikut që ka pushtuar sot tokën, detin dhe ka arritur kulmin e vetë, ka pushtuar ajrin siç u faktua edhe nga ngjarja e rëndë e Divjakës në datën 10 maj”,tha ai duke theksuar se “Mazhoranca këmbëngul edhe sot të hetojë denoncuesit e avionëve të drogës dhe jo trafikun e drogës, duke kërkuar me ngulm të fshehë përgjegjësitë e qeverisë dhe lidhjet e saj me drogën”.

“Droga kërcënon sot vendin, kërcënon fqinjët, kërcënon fëmijët tanë dhe të ardhmen tonë. Faktet flasin kundër mazhorancës e cila i ka dalë në krah krimit gjithë këto muaj, dhe do të jetë hetim parlamentar ai që do të bëjë transparent”, argumenton Halimi.
 
“Përse duan t’i fshihen transparencës? Përse nuk bashkohen me ne për të hetuar këtë fenomen? Nëse nuk kanë frikë nga përgjegjësitë dhe nuk kanë frikë të fshehin diçka, përse nuk pranojnë hetimin parlamentar?”- janë disa nga pyetje që ngre deputeti i PD Eduard Halimi lidhur me vendimin e Konferencës së Kryetarëve.

“Ne jemi të bindur se përfaqësojmë interesat e shumicës së qytetarëve që kërkon të shkulë nga rrënjët narkotrafikun në Shqipëri, kërkon të ndërtojë një vend ku karteli i drogës të luftohet dhe jo mbrohet nga qeveria, ndaj do t’i shkojmë deri në fund betejës për të bërë transparent gjithë fenomenin e narkotrafikut dhe lidhjet dhe rrënjët e tij kudoqofshin.”-përfundoi deklarata e Halimit.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho tha se kërkesa e paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së është antikushtetues.

“Nga një anë kemi rritje të krimit, por strukturat e shtetit dhe vetë shteti është në këmbë. Rezultatet janë në rritje për eleminimin e këtij fenomeni negativ. Ne jemi në dijeni vetëm të një fakti , të disa akuzave që ka ngritur opozita. Jemi në dijeni dhe të një fakti tjetër që në datën 10-të, strukturat e policisë u vunë në dijeni për fluturimin e një avioni. Mbas 20 minutash strukurat e policisë kanë qenë atje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore, kanë bllokuar avionin, tre persona, një furgon dhe një trafikant”, tha Braho.

Më pas ai theksoi se janë tre vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë ngritjen e një komisioni hetimor për një çështje që është nën hetim nga Prokuroria.

“Nuk e di se çfarë do të bëni ju, doni të përziheni me prokurorinë?! Kuvendi nuk duhet të përzihent me punën e prokurorisë. Në këtë aspekt unë gjykoj se kërkesa është e pambështetur dhe e pabazuar në ligj”, tha Braho.

Deputeti Eduard Halimi tha se rasi i Divjakës është vetëm një nga episodet, por opozita kërkon që të hetojë fenomenin.

“Është fenomen sepse gjatë këtyre muajve kemi disa fakte dhe grup-fakte të cilat e kthejnë këtë gjendje që ndodh në Shqipëri në një fenomen të narkotrafikut. Episode ka. Komisionin e ka ngritur mazhoranca për të hetuar pikërisht ata kanë që akuzuar, për të hetuar akuzat për përdorimin e mjeteve ushtarake. Edhe ai komision ka rënë për aq kohë sa edhe dje po betonohej aeroporti”, tha Halimi.

Ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili e cilësoi mungesë serioziteti kërkesën e PD-së për ngritjen e një tjetër komisioni hetimor.

“Nuk jemi këtu që t’i bëjmë shërbim qëndrimeve të PD-së, figurativisht fluturake, sepse ngrihet një komision hetimor të cilin opozita mori pjesë, dhe në momentin e caktuar, atëherë kur arsyetimi i saj tha që nuk kam nevojë të rri, e quajti të ezauruar. Ndërkohë fluturoi në një komison tjetër, të cilin mund të bindet po nesër të thotë që na doli një ngjarje tjetër, po e lëmë edhe këtë. Kjo lloj mungese serioziteti në komisionin e parë, e bën të pa themeltë edhe këtë kërkesë të dytë”, tha Vasili, ndërsa theksoi se i gjithë shteti është në këmbë për të luftuar trafikun e drogës.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ftoi opozitën që nëse ka diçka serioze, mund të kontribuojë në komisionin hetimor tashmë të ngritur nga Kuvendi.

“Ne, jo më larg se dy javë përpara e kemi diskutuar këtë problem. Këtë pretendim që sot opozita e ka, e hodhi edhe dje. U azhornua në Parlament me ngritjen e komisionit hetimor. Dhe unë do të ftoja opozitën që nëse e keni vërtet seriozisht, jepni të gjithë kontributin tuaj, te komisioni hetimor tashmë i ngritur, thërrisni kë të doni, dëgjoni kë të doni, kërkoni çdo informacion që doni. Ne si mazhorancë jemi të hapur, por që të dublikojë pas 15 ditësh, kërkesë mbi kërkesë për të njëjtën gjë, për të njëjtin fenomen, të njëjtën çështje, as institucionalisht dhe as politikisht nuk keni të drejtë”, tha Ruçi, i cili shtoi se kërkesa është tashmë nën hetim nga Prokuroria.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se për shkak të qëndrimeve të kundërta që kanë palët për këtë çështje, do të jetë seanca plenare ajo që do të vendosë, ndërsa ftoi palët që të arrijnë një konsensus.

“S’ka pse të mos ketë konsensus, mendoj unë, kur ka vullnet, sepse dhe kjo nuk është normale që të krijohet një komision hetimor, pavarësisht se u krijua nga mazhoranca dhe opozita bojkoton. Mund të ketë edhe një komision hetimor që të ngrihet nga opozita dhe të bojkotojë mazhoranca. Nuk e di se në çfarë situate do të ishim. Ka një problem këtu. Ka një mbivendosje, ka edhe një sjellje jo shumë etike do të thosha përveç qëndrimit të ndryshëm politik, të këndvështrimit. Megjithatë nuk ka konsensus. Kështu që për këtë kërkesë do të shprehet seanca plenare. Nëse ka ndonjë mundësi deri atëherë që për këto probleme, të gjenden zgjidhje përmes komisionit aktual hetimor”, tha Meta.

Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS