Vetëm 51 ditë kryeministër! Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja. Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës rrëzoi kreun e Vetëvendosjes, që drejtoi ekzekutivin për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani deklaroi se do të votonte kundër mocionit të nisur nga partia e saj. Mocionin për rrëzimin e Kurtit e inicioi Lidhja Demokratike e Kosovës me argumentin se Albin Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pas deklaratave të këtij të fundit në lidhje me situatën për koronavirusin.

Por pavarësisht deklaratave, prapaskena kryesore e përplasjes mes palëve duket se ishte tarifa për Serbinë. Rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas LDK-së, i shkaktoi Kurti, ishte një nga arsyet për mocionin dhe rrëzimin e qeverisë. 

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por për qeverinë i duhej koalicion. Pas 4 muajsh negociatat u arrit marrëveshja me LDK-në dhe në 3 shkurt u formua qeveria re, por që rezultoi më jetëshkurtra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:18
'As i kënaqur, as i zhgënjyer për mocionin ndaj Kurtit', Mustafa: Nuk e përjashtojmë askënd nga partia, as Vjosa Osmanin

1585181986_IsaMustafaTrimi.png

“Nuk mund të them se jemi të kënaqur por as që jemi të zhgënjyer”, kështu është shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas rezultatit të mocionit të vetëbesimit për Albin Kurtin.

 ‘’Nuk mund të them se jemi të kënaqur por as që jemi të zhgënjyer. Nuk  mund të themi se nuk është pritur pasi e kemi themeluar këtë qeveri për të punuar dhe forcuar shtetin. Mund të them se gjatë rrugës ka pasur probleme të bashkëpunimit”, ka thënë Mustafa.

Në një intervistë për emisionin Pressing në T7 se Mustafa theksoi se VV ende e ka mandatin të cilit duhet të ia mundësojë presidenti për formimin e qeverisë së re, por nëse ata dështojnë, LDK do të bashkëpunojë me AAK’në, Nismën dhe minoritetet.

’Kam pasur vërejtje dhe i kam ende. Por duhet të jemi të kujdesshëm nëse arrijmë marrëveshje me AAK’në, Nismën dhe minoritet do insistojmë që asnjë prej protagonistëve të mos ketë rol të njëjtë. VV do të marrë mandatin pasi ajo është e kryer me Kushtetutë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëqoftëse VV nuk e bën atëherë presidenti përdor diskrecionin e tij dhe zgjedhë dikë tjetër’’, shton Mustafa.

Kreu i LDK-së është shprehur se ishte e nevojshme votimi i mocionit të vetëbesimit për Kurtin, pasi ndasitë ishin të thella brenda koalicionit.

“Ka pasur kërkesa nga BE për heqjen e tarifës dhe vazhdimin e dialogut dhe masat e SHBA’së që për herë të parë janë marrë ndaj Kosovës dhe për herë të parë jemi ne viktima të sanksioneve dhe jo serbia që i ka bërë gjithë të këqijat ndaj Kosovës. Si dhe shkarkimi i Minsitrit të punëve të brendshme dhe adminsitratës publike Agim Veliu. Nëse i keni parë sot debatet shihej se vlohej dicka nga brenda dhe nuk ishte dicka që shkonte krejtësisht në rregull. Mospajtimet ishin të thella mirë që u votua mocioni’’, ka thënë ai.

Mustafa është shprehur se organet e brendshme të LDK-së kanë marrë vendim që të mos bashkëpunojnë me PDK-në. Ai ka shtuar se nuk janë në dijeni të ndonjë marrëveshje e fshehtë mes Serbisë dhe Kosovës. Ai për këtë thotë se ka folur me të dërguarin Special të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Në këtë bisedë Mustafa thotë se Grenell ka premtuar që SHBA’ja nuk do të imponohej. Po ashtu, Mustafa theksoi se LDK nuk do të përkrahë marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Me mocionin e iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe mbështetjen e partive opozitare sonte është rrëzuar Qeveria Kurti, mirëpo jo të gjithë deputetët e saj e mbështetën LDK. Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala nga LDK kanë votuar kundër mocionit.

“Nuk është e natyrshme që njerëzit brenda LDK’së të jenë për LDK’në dhe të votojnë në kundërshtim me vendimet e LDK’së. Natyrisht që ne flasim për vendime demokratike brenda LDK’së, por kjo tejkalon këto. Kur merret vendimi sidomos ata që mbajnë pozita të larta brenda LDK’së duhet që të i përmbahen. Nuk po themi se do të marrim masa ndaj deputetëve por do të bisedojmë që të ndalen këto praktika”, ka vijuar më tej Mustafa, ndërsa thekson se në asnjë rast nuk përjashtohet Vjosa Osmani dhe se palët do të ulen të bisedojnë se cilat ishin arsyet që e çuan atë të merrte vendimin kundër.

“Ajo ka dhënë premtime normalisht edhe ne e mbështesim sepse ajo nuk jep premtime në vete pa partinë. Nuk e përjashtojmë askënd, nuk e përjashtojmë as Vjosën’’, ka përfunduar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Ora 23:53
Votoi kundër mocionit për Kurtin, Vjosa Osmani: S’e tradhtova LDK-në, nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN-in në qeveri

1585176921_autovjosa1584814892600x360.jpg

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani në fjalimin e saj rreth mocionit të Albin Kurtit është shprehur e bindur se nuk voton asnjë mocion vetëbesimi që e kthen PAN’in në qeveri.

“Ky është një fjalim që asnjëherë nuk do të doja ta mbaja sepse në qasëtin që unë po flas, Kosova po përballet me një sfidë të madhe, virusin Covid-19. Unë nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN’in në qeveri”, është shprehur Osmani.

Kryeparlamentarja tha se me votimin e këtij mocioni rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër veç asaj të koronavirusit. Ndërsa, shtoi më tej se kishte respektuar çdo parim të LDK’së dhe kryetarin e saj, Isa Mustafën, për të cilin citon edhe disa fjalë.

Sot në Kosovë rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër, ajo e dehumanizimit dhe përçarjes. Kjo që po ndodh sot do të mbahet mend, sikur koronavirusi.

Unë e kam respektuar çdo pikë që ka vendosur Mustafa. Po e citoj kreytarin Mustafën: Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe nuk mund ta luftojnë asnjërën e tjetrën. Ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës. Ata duhet të shkojnë të pastrohen në lavazh e jo të qeverisin. E kishte fjalën për partitë e PAN’it”, ka cituar Osmani.

Duke folur për qëndrimet e veta, në emër edhe të elektoratit të LDK-së, Osmani ritheksoi se është kundër çdo marrëveshje që me partitë e PAN-it. Osmani theksoi se votoi kundër mocionit me bindje të plotë se voton për të ardhmen e atdheut të saj.

E kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoratit të LDK’së. Unë e di cila është kontrata që lidhëm me qytetarët. Ajo ka qenë jo koalicion me partitë e PAN’it. Dhe po luftimin e korrupsionit. Për këtë i kam qytetarët dëshmitarë. Unë jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN’it”, ka thënë Osmani.

Në fund, ajo tha se për vota kundër këtij mocioni është votë pro të ardhmes së vendit të saj.

"Asnjë qëndrim nuk e kam ndryshuar. Para 6 tetorit, pas 6 tetorit dhe sot. Unë kam qëndruar fuqishëm në parimet që kam shpalosur para qytetarëve.

Unë i bashkohem zërit të çunit vullnetmirë. Unë do të votoj kundër mocionit. Sepse jam e bindur që do të votoj për të ardhmen e vendit tim. Do të votoj kundër çdo mocioni që Kosovën e len pa ministra si Vitia e Abdixhiku. Do të votoj kundër këtij mocioni që mund ta kthejë PAN’in në qeveri”, shtoi Osmani.

 

Ora 23:37
Votimi për rrëzimin e Kurtit nga pushteti, Haradinaj: Tregues se Kushtetuta dhe Kuvendi i Kosovës funksionojnë

1585176039_5e43e2bada591ramushharadinaj563x360.jpg

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas mocionit të mosbesimit i cili rrëzoi me 82 vota pro dhe 32 kundër, Albin Kurtin nga posti i tij kryeministror.

Haradinaj thekson se votimi i mocionit e rreshton Kosovën krahas vlerave të demokracisë dhe është një tregues se Kushtetuta dhe Kuvendi i këtij vendi janë funksional.

“Sot, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 82 vota përkrahën mocionin e votëbesimit. Ky është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, shkruan Haradinaj.