Efektiv që shty dhe rrëzoi një ditë më parë gazetaren Anila hoxha dhe operatorin që e shoqëronte është shkarkuar nga detyra dhe do të ndiqet penalisht. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi  bën thirrje që qytetarët të denoncojnë raste të tilla në mënyrë që të mos ketë më shfaqje të tilla të shëmtuara.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, shkruan Çuçi.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë ku gazetarët kishin vajtur për të raportuar në Qafë Mollë ku u gjet i vrarë dhe i groposur biznesmeni Ruzhdi Hoxha. Gazetarët nuk u lejuan nga policia të filmon dhe t’i afroheshin vendit të ngjarjes, ndërsa një nga efektivët e policisë është nervozuar dhe ka shtyrë me forcë një operator. Ky i fundit ka rrëshqitur dhe më pas ka rrëzuar në tokë edhe gazetaren Anila Hoxha, të cilët përfunduar në një rrëpirë buzë rrugës.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe SHÇBA, e cila thotë se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës.