Në prag të ndërrimit të viteve të gjitha çmimet e produkteve kryesore në Berat, përfshirë edhe gjelin e detit, kanë pësuar rritje deri në 20 %.

Nga një vëzhgim në tregun e Beratit,vërehet se çmimi 1 kg gjel deti shitet me 800 lekë dhe 1 kg pulë deti 900 lek. Banorët ndihen të pambrojtur dhe shprehen të shqetësuar për rritjen e çmimeve që i kufizon në blerjet e domosdoshme për natën e ndërrimit të viteve dhe se ndihen më të varfër se 1 vit më parë.   

"Shumë shtrenjtë është, si blejmë dot, aq të ardhura kemi. Siç i mbushim vit për vit tavolinën se mbushim dot", thotë një banor.

"Jemi në varfëri të plotë, çmimet sa vijnë dhe rriten dhe kjo ndodh çdo vit për festa. Me të ardhurat që kemi nuk mund ti blejmë dot të gjitha ato që i duhen çdo familje për natën festive të Vitit të Ri. Tavolinat tona këtë vit do të jenë bosh,varfëria është e madhe".

Nga ana e tyre tregtarët shprehen se nuk janë ata fajtorë për rritjen e çmimeve por tregu. Edhe ata shprehen të pakënaqur nga rritja e çmimeve që ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse.

"Çmimet po i rrit gjithë bota", thotë një tregtar.

"Nuk blen askush. Kam 1 ton vaj ulliri në shtëpi dhe nuk e blen njeri", thotëv një tjetër.

"Nuk ka fuqi blerëse fare", shprehet një tjetër tregtar.