TIRANE-Gjatë 24 orëve të fundit janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh dhe janë ndëshkuar me  gjobë 9 të tjerë, pasi abuzuan me çmimet e medikamenteve, produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, për fshehje të ardhurave dhe punësim të paligjshëm. Shkelësit janë kapur pas denoncimeve nga qytetarët, se subjekte të caktuara abuzojnë me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike apo që nuk u lëshojnë kuponin tatimor.

Në Tiranë strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, ndëshkuan 7 administratorë subjektesh. Konkretisht janë ndëshkuar me gjobë 50.000 lekë; J. P., K. B., M. Xh., K. S., P. C., M. A. dhe G. P., pasi në tregun agroushqimor, në minimarketet dhe marketet në pronësi të tyre u konstatuan raste të abuzimit me listën e çmimeve, si dhe moslëshim i kuptonit tatimor. Gjithashtu, po në Tiranë u procedua penalisht P. Ç., për mospagim takash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor.

Në Vlorë u ndëshkuan me masë administrative gjobë 50.000 lekë secili; M. I. dhe A. A., pasi gjatë kontrolleve u konstatua se nuk lëshonin kupon tatimor. Gjithashtu, po në Vlorë u proceduan penalisht M. Xh., pasi  është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe E. Gj., pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të abuzimit me çmimet dhe moslëshimin e kuptonit tatimor, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.