Vlora është gati për të pritur më shumë turistë se vitin e kaluar, kjo referuar rezervimeve të deritanishme. Por shqetësim për operatorët turistikë mbetet mungesa e burimeve njerëzore.

Gratë dhe vajzat refuzojnë të punojnë sanitare, ndërsa të rinjtë që deri dje punonin në bare e restorante janë larguar nga vendi.

‘Burimet njerëzore janë të stepura ndaj kam bërë dy panaire në Lungomare dhe në Universitetin e Vlorës për të rekrutuar vajza e gra kryesisht për sanitare, por dhe për shërbime në restorant dhe bar. Pagat këtë vit për sanitare, kamariere e banakierë janë rritur me 5 mijë lek në muaj. Mesatarisht marrin 400 deri në 450 mijë lek në muaj.’- tha Anisa Ceno, administrator e hotelit.

Anisa Ceno, administratore e një hoteli në Vlorë synon tregun vendas, pasi për punëtorët e huaj nga Filipinet apo Nepali, kostoja është shumë më e lartë.

“Shumë biznesmenë paguajnë më shumë force punëtore nga jashtë, përmes kontratave me agjencitë e ndërmejtësit 3500 euro kostoja e aksesist, e hyrjes në treg të personave që vijnë nga jashtë është rruga më e shkurtër por më konsistente nga ana financiare. Ndryshe nga ata unë kam vullnetin dhe  kohën për të këmbëngulur në punësimin e shqiptarëve”.- u shpreh Ceno.

Ndërsa duke folur për çmimet, Ceno tha se kanë pësuar rritje krahasuar me një vit më parë në të gjitha njësitë e shërbimit në Vlorë.

“Çmimet janë rritur nga 10 deri në 15 për qind, shkak lënda e parë dhe pagat e burimeve njerzore. Dhomat fillojnë me 55 euro e lart...”.- tha Ceno.