Tregu i pronave në Shqipëri po rritet dhe është gjithnjë në zhvillim, duke u përpjekur të pozicionohet në tregun e pasurive të paluajtshme të Ballkanit. Në terma të madhësisë, është ende i vogël, por duke u kombinuar me tregun në Kosovë, bëhet më i krahasueshëm me pjesën tjetër të Ballkanit. Çmimet janë disi më të ulëta se sa në rajon, por disa projekte në zhvillim si në zona bregdetare, prezantojnë një potencial për shtetin, në përpjekje për të tërhequr investitorë dhe blerës të pasurive të patundshme. E intervistuar për Property Forum, Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania, tregon për tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Si do ta përshkruanit tregun e zyrave në Shqipëri?
Stoku i një tregu të tillë në Tiranë, që prezanton kështu “de facto” tregun e zyrave në të gjithë Shqipërinë, ka përjetuar së fundmi, një rritje të projekteve “të ngrira” për rreth 3-4 vitet e fundit. Megjithatë, cilësia e këtij stoku nuk krahasohet ende me tregun e zhvilluar europian të zyrave, pasi ende nuk ka: shkallë të emergjencës nga zjarri, lartësinë e duhur të tavanit të ndërtesës, standarde të menaxhimit të pronës etj.
Çfarë sfidash kanë kompanitë duke u përpjekur të gjejnë hapësirë?
Është e vështirë të gjesh hapësira zyrash të mëdha dhe fleksibël, me standardet e duhura të sigurisë, të hapësirës së parkimit, cilësisë së duhur të ajrit dhe të tjera veçori, që zakonisht i ofrojnë vetëm ndërtesa të cilësuara si kategoria A, të cilat nuk aplikohen ende në Shqipëri. Ndaj, meqenëse stoku i zyrave është i limituar, tregu drejtohet nga pronari dhe shumë pak koncesione janë bërë në kuadër të dhënies së tyre, nga pronari drejt qiramarrësve.
Sa është aktualisht stoku vakant në përqindje dhe qiraja mesatare?
Në fund të gjysmës së parë të vitit 2015, hapësira e të gjithë zyrave në Tiranë arriti 104 mijë m², me ndërtesa të kategorisë A dhe B. E shprehur në përqindje, stoku arrin 13%. Pjesa më e madhe e zyrave janë në qendër të qytetit, ndërsa disa të tjera janë edhe jashtë në periferi, sikurse pranë Rinasit ose edhe në autostradën Tiranë- Durrës.
Qiraja mesatare mujore në Tiranë arrin te 14 euro/m² në muaj. Ka pasur një rritje të qirasë me ardhjen në treg të stokut të ri të zyrave.
A është ky treg zyrash i përqendruar kryesisht në Tiranë?
Po, ky treg është plotësisht i përqendruar në Tiranë, ku është fokusuar 60% më tepër e aktivitetit ekonomik të vendit dhe ku janë lokalizuar më tepër se 80% e shërbimeve të sektorëve të ndryshëm. Qytetet dytësore janë më tepër të lidhura me disa industri që zhvillohen në ato zona, nuk kanë zona të përcaktuara biznesi si Tirana.
Cili është trendi i momentit që dominon këtë treg?
Gjatë gjysmës së parë të 2015-s, grosistët në total kanë 57.868 m². Kërkesa shfaqet në rënie, si rezultat i ngadalësimit ekonomik. Edhe aktivitetet e qiramarrjes janë në procese rishikimi, rinegocimi, ku përfshihen edhe kërkesa të uljes së çmimit të qirave.
Si është stoku aktual në tregun e shitjeve me pakicë? Kur do të mund të shohim zhvillime të reja?
Stoku i qendrave tregtare në Tiranë ka arritur një shifër prej 205 mijë m², nga 11 mijë që ishte 10 vjet më parë. Qendrat kryesore tregtare janë TEG, QTU. Ato janë të lokalizuara jashtë Tiranës, por lehtësisht të arritshme. Prurje të reja erdhën me hapjen e qendrës së re, Tirana Ring Center. Edhe Toptani, një qendër e re, pritet të hapet në gjysmën e parë të vitit 2016, që pritet të sjellë 60 mijë m².
Gjatë konferencës në Beograd të Property Forum, ju treguat se ka një rritje në interesa të investitorëve nga Lindja e Mesme. Ka ndryshuar diçka që atëherë?
Me rënien e çmimeve të naftës, duket se investitorët e Lindjes së Mesme kanë humbur interesin e tyre për tregje të tjera, sikurse Shqipëria. Ata mbeten “lojtarë” të mirë në tregje më të zhvilluara dhe të stabilizuar sikurse Londra dhe Parisi.
Çfarë prisni nga e ardhmja e tregut të pronave në Shqipëri?
Për shitjet me pakicë, hapja e qendrave të reja tregtare do të sjellë edhe një ngopje të tregut. Megjithatë, nuk priten zhvillime të reja në vitet në vijim. Në kushte ku trendi i konsumit është në rënie, operatorët e shitjeve me pakicë janë duke adaptuar kërkesa të reja në treg. Disa qendra tregtare që ofrojnë veshje të markave të luksit me çmime të larta, tashmë e kanë orientuar veten drejt masës, për konsum gjeneralist. Këtë e kanë bërë duke sjellë produkte të diversifikuara dhe me çmime konkurruese.
Sa i përket tregut të zyrave, ardhja në treg e ndërtesave të reja do të sjellë një shtesë të konsiderueshme që pritet të ketë impaktin e saj në çmimet e qirave. Do të jetë e leverdishme, sidomos për ta bërë Tiranën më tërheqëse, duke qenë se ofron më tepër mundësi, nga të cilat do të mund të zgjedhësh. /Monitor/