TIRANE- Peshkimi i jashtëligjshëm vijon të mbetet një shqetësim serioz në vend, i cili nuk po mposhtet pavarësisht rregullimeve që ka pësuar kuadri ligjor. Vetëm vitin e kaluar janë gjobitur 76 subjekte për peshkim të jashtëligjshëm, nga 1540 inspektime të kryera. Por Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përgjegjëse për peshkimin ka në organikë të inspektoratit të peshkimit vetëm 22 inspektorë deti në total. Anëtari i Grupit “Mbrojtësit e Detit” Blend Laci thotë për REPORT TV se problem është mungesa e sistemit të gjurmimit nëpër varkat e peshkimit.
Mungesa e sistemit të gjurmimit nëpër anijet e peshkimit, i ka lënë dorë të lirë shkeljes së ligjit. Nga ana tjetër ka qenë fakti që nuk shumë raste policia kufitare dhe roja bregdetare nuk i japin mbështetje inspektoratit të peshkimit. Kemi parasysh që 22 inspektor janë për gjithë Shqipërinë, është gati e pamundur për ato që të jenë në kohë reale në çdo shkelje”, tha Laci.
Sipas informacioneve, secili inspektor duhet të monitorojë minimalisht 70 km vijë bregdetare. Një hapësirë thuajse e pamundur të monitorohet nga 1 inspektor ndërkohë që rrjetat fundore vijojnë të jenë prezentë në det, apo edhe varkat e vogla që përdoren nga peshkatarët për të peshkuar. Ndërkohë Laci thotë se duhet formalizim total i këtij sektori.
“Duhet të formalizohet sektori i peshkimit pasi një pjesë e mirë e varkave të vogla të peshkimit artizanal janë të paregjistruara, të palicencuara , do të thotë ushtrojnë aktivitet të paligjshëm dhe në këtë moment bëhet shumë e vështirë ti kontrollohen dhe të organizosh punën më tutje”, u shpreh ai.
Por nga ana tjetër shqetësim mbetet vjelja e midhjes “hurmë” apo e njohur si dateri. Edhe pse ligji në nenin 37 liston të gjitha llojet e organizmave ujorë që nuk lejohet të peshkohen mes tyre edhe dateri, shumica e restoranteve e kanë pjesë të menyve të tyre.
“Konstatimi më i shpejtë dhe i saktë vërehet nëpër restorantet luksoze të Tiranës por dhe qytetet e tjera ku haptazi të shërbehet dateri”, thekson Laci.
Pak ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë alarmin për sektorin e peshkimit pas një auditimi të bërë për vitin 2019. Sipas auditimit Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit rural e ka jashtë kontrollit këtë sektor ku peshkimi i paligjshëm ushtron aktivitetin e tij jashtë çdo lloj monitorimi dhe se midhjet që hidhen në treg janë të pakontrolluara.