Edhe pse ulja e taksave vendore është shpesh premtim elektoral, konsultimet për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2026 nga ana e pushtetit lokal tregojnë se qytetarët do të përballen me kosto shtesë në tarifat dhe taksat vendore. Një tjetër bashki që rrit taksat për vitin 2026 është ajo e Elbasanit.

Rritja deri në 20% e taksave tashmë është zyrtarizuar, pasi paketa fiskale u miratua me votat e mazhorancës. Qytetarët e Elbasanit do të paguajnë më shumë nga janari 2026 për të paktën tetë tarifa vendore, mes tyre tarifën e pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës.

Gjatë prezantimit të paketës fiskale, kryebashkiaku Gledian Llatja justifikoi rritjen e taksave vendore nga 11.3 deri në 20% me shtimin e kostove për shërbimet publike.

Llatja tha se, pavarësisht rritjes, disa kategori do të përjashtohen nga taksat, përfshirë aktivitetet që lidhen me turizmin dhe trashëgiminë kulturore brenda mureve të kalasë historike.

Këshilltarët e opozitës votuan kundër rritjes së taksave dhe tarifave vendore. Sipas tyre, qytetarët nuk mund të paguajnë më shtrenjtë për shërbime që  siç pretendojnë ata, nuk ofrohen në cilësinë e duhur. Ata kritikuan edhe mënyrën e tarifimit, duke e cilësuar të padrejtë që një familje me pak anëtarë të paguajë të njëjtën taksë me një familje me më shumë anëtarë.

Bashkia e Elbasanit nuk kishte rritur taksat dhe tarifat vendore që prej vitit 2022 për afro 219 mijë banorët e saj, një pjesë e të cilëve tashmë ndodhen në emigracion.