TIRANE, 11 Shkurt /ATSH-E,Xhajanka/- Pas një periudhe të gjatë rënieje, ecuria e yield-eve në tregun primar, në tremujorin e IV, 2014, ka ndërruar kah dhe ka shfaqur prirje rritëse, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të publikuar prej saj.
Zgjerimi i yield-eve ka prekur si bonot e thesarit, ashtu edhe instrumentet e tjera afatgjata të qeverisë. Duke nisur nga fundi i muajit shtator, yield-i i bonos 12-mujore dhe i maturiteteve të tjera më të vogla ka regjistruar rritje, duke influencuar nivelin e pjerrësisë së kurbës së yield-eve.
Kërkesa e bankave në ankandet e zhvilluara shpesh herë ka qenë më poshtë se shumat e emetuara, duke shtuar kështu presionet rritëse tek yield-et. Pas një përqasjeje pozitive dhe pranie aktive në gjysmën e parë të vitit, bankat kanë nguruar të marrin pjesë në ankande në muajt e fundit. Më shumë se situata e likuiditetit dhe rishikimi i pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike, faktorë kryesorë që ka ndikuar këtë sjellje kanë qenë politikat më të shtrënguara të imponuara nga bankat mëma që origjinojnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për financim në tremujorin e katërt ka rezultuar më e lartë, duke shtuar presionet te yield-et, vëren Banka e Shqipërisë.
Yield-i 12-mujor ka shënuar nivelin 3.45% në fund të muajit dhjetor, nga 3.22% në fund të shtatorit. Një rritje të fortë ka patur edhe yield-i 3-mujor, ndërkohë që ai 6-mujor ka qenë më i qëndrueshëm. Interesi i bonove 3-mujore shënoi mesatarisht 3.12% në tremujorin e fundit, nga 3.02% tre muaj më parë.
Në këtë drejtim influencoi edhe përdorimi më i shpeshtë i këtij instrumenti në financimin afatshkurtër nga qeveria, gjatë kësaj periudhe. Yield-et e obligacionit 3-, 5- dhe 10-vjeçar me interes fiks përfituan nga rritja e interesimit në ankandet respektive dhe arritën të ruajnë nivelin e muajve të mëparshëm. Nga ana tjetër, obligacionet 2- dhe 7-vjeçare kanë regjistruar rritje muaj pas muaji, duke e mbyllur vitin me respektivisht 5.04% dhe 7.85%, nga 4.89% dhe 7.77% që ishin në fund të tremujorit të tretë. Mungesa e kërkesës ka influencuar më dukshëm yield-et e instrumenteve me normë të ndryshueshme në një kohë që, përveç rritjes së yield-it 12-mujor të përdorur si indeks, edhe marzhet e kërkuara mbi të janë rritur. Kështu, për obligacionet 5-, 7- dhe 10-vjeçare me yield të ndryshueshëm, primet e kërkuara mbi indeksin u rritën me 0.14, 0.03 dhe 0.15 pikë përqindje./a.g/









